Fjalimi i Presidentes Jahjaga në akademinë me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së ish-Presidentit Rugova

Është nder i jashtëzakonshëm për mua që të nderoj me kujtimin e përjetshëm njeriun e veçantë të Kosovës, trashëgimia e të cilit është thesari ynë i sotëm; shteti, demokracia dhe zhvillimi ynë.

E nderuara Zonja Fanë,
E nderuara familje Rugova
I nderuar Kryeministër Mustafa,
Të nderuar ministra,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të nderuar miq, shokë e bashkëpunëtorë të Presidentit Dr. Ibrahim Rugova,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
 
Është nder i jashtëzakonshëm për mua që të nderoj me kujtimin e përjetshëm njeriun e veçantë të Kosovës, trashëgimia e të cilit është thesari ynë i sotëm; shteti, demokracia dhe zhvillimi ynë.

Është jashtëzakonisht e vështirë të përshkruhet me fjalë emblema e Pavarësisë së Kosovës; arkitekti i shtetësisë së saj; njeriu që i dhuroi kësaj toke dashurinë dhe përkushtimin.

Edhe më e vështirë që të gjykojmë për njeriun që ka shkruar historinë e vendit të tij. Çdo përpjekje dhe sfidë e jona – ishte beteja e tij; çdo sukses dhe arritje e jona – një forcë e re për të dhe çdo fitore një hap i ri i përbashkët.

Në këtë dhjetëvjetor së bashku kujtojmë njeriun që na ka udhëhequr drejt historisë së re - të paqes, demokracisë dhe shtetit të qytetarëve të tij, të denjë për të qenë pjesë e pandashme e botës së zhvilluar.

Presidenti Rugova është simboli i unitetit të popullit të Kosovës, duke udhëhequr një politikë të urtë e paqësore, për të ruajtur - në kohët më të vështira të historisë sonë të rëndë - njeriun e Kosovës.

Ngjashëm me çliruesit më të mëdhenj botërorë të shekullit të tij - Presidenti Rugova udhëhoqi politikën e rezistencës paqësore, duke u bërë zëri i të shtypurve dhe forca shpirtërore e një populli që po luftonte për lirinë e tij dhe për të nesërmen më ndryshe.

Historia nuk ishte aq e lehtë as për të dhe as për familjen e tij – një pasqyrë e kohës për secilin njeri të Kosovës - por historia do ta sjellë në krye të një lëvizjeje popullore, sa paqësore dhe të fuqishme, në një moment të rëndësishëm kthese për vendin e tij.

Historia e shekullit të tij do të shkruhet nga vetë ai, sado që me popullin e tij dhe me të gjithë të tjerët do të ishte njeri i zakonshëm që ndan gëzimin dhe hidhërimin; dyshimet dhe frikën; rëniet dhe ngritjet.

Presidenti Rugova do të udhëheqë për afro dy dekada, përmes një lufte sa të rëndë dhe shkatërruese, të historisë së hegjemonisë dhe të urrejtjes, drejt paqes dhe mirëkuptimit me të gjithë, i mbështjellë me idenë e urtësisë se shteti dhe demokracia ndërtohen me miq.

Ai i dha jetë miqësisë së përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i qëndruan Kosovës pranë në çdo moment, që i vunë gurthemelin shtetit të ri, por njëkohësisht tha se Kosova me secilin vend, brenda BE-së dhe kudo qoftë tjetër, do të ndërtojë lidhje të rëndësishme.

Në këtë dhjetë vjetor kur nderojmë figurën e Presidentit Rugova, kujtojmë me dhimbje se sa ironike është vetë jeta, që për pak kohë nuk e la ta shijonte Ditën e Pavarësisë - për të cilën kishte jetuar dhe punuar – dhe vdekja e mori pikërisht në periudhën kur Kosovës i duhej më së shumti; për ta ruajtur unitetin e popullit dhe për ta forcuar pjekurinë e udhëheqjes drejt aktit final të shtetësisë, në prag të të cilit ndodhej.

Presidenti Rugova na e dëshmoi forcën e vullnetit për të vendosur themelet e shtetësisë së Kosovës, një vend demokratik dhe të gjithë qytetarëve të tij të barabartë, në një kohë kur ëndrrat nuk ktheheshin në realitete; riktheu besimin dhe krenarinë e nëpërkëmbur të qytetarëve të Kosovës; i dha fuqi ndërtimit të institucioneve të vendit duke kërkuar vendosjen e shtetit të së drejtës, me rend dhe ligj dhe me respektim të tij.

Paqja e ndërtuar bashkë me të, pas një lufte të gjatë dhe shkatërruese, me sakrificën e gjeneratave të tëra që e deshën Atdheun e tyre, nuk është dhuratë por bekimi më i madh për ne.

Paqja nuk mund të sfidohet, sepse përpjekjet për ta ndërtuar atë ishin më të mëdha sesa forca që mund ta rrënojë. Dhe beteja për paqen sot është beteja për Kosovën e nesërme, një shtet unitar, më i mirë, më i zhvilluar dhe më i përparuar. Më i begatë. Shtet i të gjithë qytetarëve të tij të tij pa dallim, që e duan dhe punojnë për të ardhmen e tij; Një shtet i së drejtës. Mbi të gjitha një vend që ka shtrirë dorën e mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit me të gjithë në rajon, që kërkon drejtësinë për hir të pajtimit.

Beteja e të sotmes për ne është beteja e demokracisë, ku rregullat janë themeli i saj; ku diversiteti është vlerë e shoqërisë; ku idetë përkthehen në vepra dhe ku mirëkuptimi zëvendëson urrejtjen. Ne jemi në një rrugë të pakthim të bërjes së shtetit që ndryshon nga stereotipet ballkanike – të ndjekjes së një tranzicioni të gjatë e të lodhshëm, që sfidon ligjet dhe zgjat kulturën e mosndëshkimit.

Pyetjet që sot ngriten përpara nesh – të përmbylljes së procesit të shtetndërtimit përmes fuqizimit të institucioneve demokratike, që u shërbejnë qytetarëve; përmes përfundimit të reformave në shoqëri, që e fuqizojnë atë dhe e bëjnë pjesë të pandashme të çdo lëvizjeje për shtetin; përmes ndërtimit të mirëkuptimit dhe kultivimit të kulturës së dialogut politik, që forcon demokracinë; përmes dialogut të brendshëm ndërmjet të gjitha komuniteteve pa dallim, që shton vlerën e shoqërisë – na përkujtojnë fuqinë e Presidentit Rugova për t’i zgjidhur ato sado që duken të vështira.

Vizioni i tij për Kosovën pjesë e pandashme e botës së përparuar, anëtare e barabartë me të gjitha shtetet e tjera në OKB, në NATO dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare, është jo vetëm aspirata jonë, por përpjekja e pandalshme për ta shndërruar në realitet.

E nderuar Zonja Fanë,
E Nderuar Familje Rugova,
Të nderuar pjesëmarrës,
Në kujtim të figurës së njeriut që i siguroi vetes vendin e pamohueshëm në histori me besimin në njeriun, ndjejmë krenarinë që udhëhoqi Kosovën drejt lirisë dhe paqes, dhe që e bashkoi atë me botën. Ndjejmë krenarinë që na mësoi se si duhet atdheu, të cilin e mbajti të bashkuar kur i nevojitej më së shumti dhe si bashkohen forca për ta ndërtuar të nesërmen.

Zoti e bekoftë kujtimin për të!
Zoti e bekoftë Kosovën!