Fjalimi i Presidentes Jahjaga në 40-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Jam e nderuar që jam me ju në këtë përvjetor të Akademisë. Është kjo hera e parë imja si Presidente e vendit, që t’i drejtohem këtij Institucioni që mbledh intelektualët tanë, trashëgimia e të cilit është bazament i zhvillimit të përgjithshëm në shoqëri.

I Nderuar Kryetar i Kuvendit Veseli,
I Nderuar Kryeministër Mustafa,
I nderuari kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Hivzi Islami
Akademikë të Nderuar,
Zonja dhe Zotërinj,
 
Jam e nderuar që jam me ju në këtë përvjetor të Akademisë. Është kjo hera e parë imja si Presidente e vendit, që t’i drejtohem këtij Institucioni që mbledh intelektualët tanë, trashëgimia e të cilit është bazament i zhvillimit të përgjithshëm në shoqëri.
 
Ky jubile prej 40 vjetësh – i punës dhe angazhimit të palodhshëm të secilit prej jush, është më shumë se një simbolikë numrash – është përpjekje e pareshtur për të qenë në shërbim të vendit si forcë shtytëse, posaçërisht në kohë kthesash të mëdha.
 
Prandaj, kujtoj me shumë pietet dhe përkulem përpara figurave të një brezi të tërë të akademikëve të Kosovës, që i dhanë vulën një numri procesesh në vend dhe mendimit kritik – një trashëgimi e veçantë edhe e shtetbërjes dhe zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë tonë.
 
Në këtë kohë të sfidave të mëdha e të përcaktimit të vlerave të shkencës në shoqërinë tonë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës duhet të qëndrojë fuqishëm në rolin e saj të zhvillimit të kombit, paralelisht me atë të shkencës dhe të arteve.
 
Shtetbërja e Kosovës bazohet mbi punën e përbashkët të secilës pjesë të shoqërisë sonë dhe në këtë rrafsh Akademia ka forcë dhe potencial për të dhënë kontributin e vet për zhvillimin e vendit tonë. Rëndësia e inkuadrimit të Akademisë në këto procese është jetike për vendin, sepse ndërton konsensusin në shoqëri dhe sepse strategjia zhvillimore do të bazohej në vlerat e rezultatet shkencore dhe në rrethanat shoqërore.

Akademia ka rol për të luajtur në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës dhe forcimin e demokracisë tonë të re. Ne duhet të ndërtojmë kulturën politike të dialogut dhe ta pasurojmë diskursin në sferën tonë publike për të ardhmen tonë të përbashkët, që tejkalon ndasitë ndërmjet forcave politike. Argumenti i forcës dhe fuqia e numrave nuk mund ta zëvendësojë bashkëbisedimin!
 
Ne nuk guxojmë të vëmë në rrezik partneritetin me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-në dhe BE-në, e as t'ua zëmë frymën zhvillimeve demokratike dhe të rëndojmë jetën e qytetarëve të vendit, besimi i të cilëve në secilin prej nesh – qoftë liderë institucionalë ose partiakë – po zbehet çdo ditë e më shumë. Ne duhet të jemi pranë qytetarëve të vendit, sepse vota e tyre na ka zgjedhur për të qenë në shërbim të tyre dhe për t’u garantuar një të ardhme më të mirë.

E kemi obligim dhe borxh ndaj gjeneratave të tëra që kanë sakrifikuar për të sotmen tonë, që ta kompletojmë dhe ta përmbyllim konsolidimin tonë si shtet.
 
Andaj them që Akademia dhe intelektualët anëtarë të saj kanë rol për të luajtur – në kohën kur na duhet më shumë besim në vetvete se dallimet mund t’i tejkalojmë duke mësuar se dialogu është zgjidhja e vështirësive të sotme; në kohën kur duhet kuptuar se ndërtimi i shtetit të së drejtës shmang rrugën si zgjidhje dhe ofron zgjidhjet brenda institucionit; pa kushte, pa hasmëri dhe pa frikë ndaj njëri-tjetrit; në kohën kur na duhet më shumë pajtim mes nesh për rolin tonë në dialogun me Serbinë, më shumë besim se rruga jonë e bërjes së shtetit nënkupton përafrim me BE-në, një realitet që bashkon të gjithë qytetarët e vendit pa dallim.

Por, ne sot vazhdojmë të jemi larg projektit të BE-së: jo vetëm sepse nuk kemi arritur të tejkalojmë dallimet tona të brendshme e të punojmë në strategjitë për anëtarësim, por edhe sepse nuk kemi arritur që në skenën ndërkombëtare të forcojmë më shumë argumentin e një shteti të së drejtës.
 
Megjithëkëtë, ne kemi hasur në vështirësi – sepse dialogu me Serbinë është më shumë çështje e konsensusit tonë, që duhet të prodhojë edhe stabilitet të brendshëm por edhe rezultate konkrete, që çon drejt shtetit gjithëpërfshirës por që nuk prek shtetësinë. Kemi hasur në vështirësi, sepse normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet shteteve tona është rrugë dykahëshe, e dy bashkëbiseduesve, që ndihmon pajtimin ndërmjet dy popujve tanë dhe që hap shtegun drejt BE-së, që duhet ta mbajë të hapur perspektivën e rajonit në përgjithësi.
 
Andaj Akademia ka kontribut për të dhënë në procesin historik të pajtimit të popujve, në ndihmë të korrigjimit të padrejtësive të së kaluarës, që hap rrugën e zhvillimit të përgjithshëm në mënyrë të barabartë të të gjithëve në rajonin e Ballkanit, duke siguruar paqen dhe stabilitetin.
 
Të nderuar anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,
 
Ky përvjetor dëshmon misionin tuaj për të ndërtuar ura bashkëpunimi në fusha të ndryshme e në veçanti në shkencë, me të gjithë jo vetëm në fqinjësi por edhe më gjerë.
 
Dhe mbi supet tuaja qëndron barra për ta bërë shkencën, artin dhe edukimin pjesë të jetës në shoqërinë tonë, duke e shndërruar në vizion të rëndësishëm për të ardhmen e gjeneratave të reja.
 
Paqi fat!