FJALIMI I PRESIDENTES JAHJAGA NË 25 VJETORIN E DITËS SË UNITETIT GJERMAN

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
E nderuara Ambasadore Viets,
Zonja dhe Zotërinj,

Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe emrin tim personal më lejoni që t’ju uroj ju dhe popullit gjerman 25 vjetorin e Ditës së Unitetit Gjerman.
 
Që nga 3 tetori i vitit 1990, Gjermania shembi muret, theu kufijtë ideologjik dhe fizik. E bashkoi Evropën rreth vlerave dhe aspiratave të lirisë, të demokracisë dhe prosperitetit. Frymëzoi gjeneratat të tëra për t’i dhënë fund represionit dhe për t’u rimëkëmbur për të jetësuar idealet e lirisë.
 
Njëzet e pesë vjet më vonë, ky unitet historik mbetet po aq i rëndësishëm. Sot më shumë se kurrë na duhet një vizion i thyerjes së kufijve dhe shembjes së mureve. Na duhet që t’i rikthejmë idetë që bashkojnë popujt mbi parimet e demokracisë dhe bashkëpunimit.

Sepse, puna jonë e përbashkët, për një Evropë të bashkuar dhe në paqe, nuk ka përfunduar. E kjo punë e papërfunduar ndihet në Kosovë më shumë se kudo tjetër.
 
Ne jemi shumë krenarë për një lidhje të fortë partneriteti dhe miqësie që populli i Kosovës e gëzon me Gjermaninë. Jemi falënderues për roli që ju luajtët në ndalimin e gjenocidit në Kosovë, në stabilizimin e Kosovës përmes pranisë së ushtrisë tuaj paqeruajtëse.
 
Atëherë kur hapët dyert për refugjatët që po iknin nga lufta dhe skamja, dhe tash kur po i përkrahni institucionet e Kosovës në vënien e themeleve për një ekonomi stabile të Kosovës.
 
I kemi vënë shpresat tona në këmbënguljen tuaj që Ballkani Perëndimor të ecë drejt integrimit evropian dhe në vizionin tuaj që ky integrim do t’i sjellë BE-së vlerë të shtuar, ndërsa për rajonin paqe afatgjate.
E kam parasysh që ne na presin shumë obligime të pa përmbushura ende.  Por, ne jemi të përkushtuar që së bashku me partnerët tanë, me ju, ta jetësojmë vizionin për Kosovën e sundimit të ligjit, fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal, dhe më së shumti vendit me perspektivë të qartë, ku qytetarët e tij shohin të ardhme.
 
Ju faleminderit për praninë tuaj të fuqishme në Kosovë, për partneritetin dhe miqësinë!
 
Gëzuar!