Fjalimi i Presidentes Jahjaga me rastin e ndërrimit të komandës së KFOR-it

Aleanca Veri-Atlantike, me forcën paqeruajtëse të saj në Kosovë, KFOR, kanë luajtur rol transformues në Kosovë në misionin e tyre. Kjo forcë, e përbërë nga mijëra burra dhe gra të ardhur nga mbi 40 vende të botës, ka ofruar paqe dhe siguri për qytetarët e Kosovës, duke na dhënë mundësinë që të ndërtojmë të ardhmen në një mjedis të qetë dhe të sigurt, të cilin kjo gjeneratë e Kosovës nuk e kishte njohur më parë.

Të nderuar udhëheqës të  Institucioneve të Republikës së Kosovës,
I nderuari Admiral Clingan,
I nderuari Gjeneral Drews dhe Gjeneral Halbauer
Të nderuar ushtarë  dhe oficerë paqeruajtës të KFOR-it,
Të nderuar udhëheqës të Bashkësive Fetare në Kosovë
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

 
Aleanca Veri-Atlantike, me forcën paqeruajtëse të saj në Kosovë, KFOR, kanë luajtur rol transformues në Kosovë në misionin e tyre. Kjo forcë, e përbërë nga mijëra  burra  dhe gra të ardhur nga mbi 40 vende të botës, ka ofruar paqe dhe siguri për qytetarët e Kosovës, duke na dhënë mundësinë që të ndërtojmë të ardhmen në një mjedis të qetë dhe të sigurt, të cilin kjo gjeneratë e Kosovës nuk e kishte njohur më parë.
 
Falë pranisë suaj në Kosovë, vendi ynë ka arritur që për një kohë të shkurtër të sanojë shumicën e pasojave të luftës, ta rindërtojë vendin dhe të zhvillojë ekonominë, të konsolidoj paqen, duke krijuar dhe forcuar institucionet demokratike, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në stabilitetin rajonal.
 
Këto janë suksese të përbashkëta me të cilat krenohemi.
 
Qytetarët sot janë zot të vetvetes, duke pasur kurajë për të ndërtuar, në suaza afatgjate, të ardhmen, duke pasur një vizion të qartë për rrugën e integrimit të vendit dhe popullit tonë në Bashkimin Evropian. Në këtë institucionet e Kosovës gjithmonë kanë pasur mbështetjen tuaj,  paqeruajtës të KFOR-it, dhe për këtë më lejoni t’iu falënderoj në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
 
Ky ndërrim komande sot në Prishtinë ka edhe një domethënie të veçantë, sepse bëhet në kohën e përmbylljes së suksesshme të fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Roli i ushtarëve të KFOR-it në këtë proces ka qenë i pamohueshëm (extraordinary) duke na qëndruar pranë në rrugëtimin tonë për t’iu bashkuar familjes së popujve të lirë dhe në krijimin e kushteve për ndërtimin e një shoqërie shumëkombëshe, të bazuar në respektin për rendin dhe ligjin dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë.
 
I nderuari Gjeneral Drews,
Ishte nder i veçantë  t’iu njihja dhe të punoja me ju gjatë një viti duke dëshmuar përkushtimin tuaj për t’i kontribuar paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
 
Ju treguat lidership, maturi dhe frymë bashkëpunimi me institucionet e vendit, gjë që rezultoi në koordinim të mirë dhe të efektshëm në përmbushjen e detyrave tona, të vizionit tonë të përbashkët për ofrimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë.
 
Në ju gjeta një personalitet të sinqertë,  një përkrahës të fuqishëm të sundimit të rendit dhe ligjit dhe të proceseve demokratike në vendin tim.
 
I nderuari Gjeneral Drews, pranoni falënderimet e sinqerta dhe respektin tim për punën tuaj të palodhshme në misionin tuaj në Republikën e Kosovës.
 
Me dekret të veçantë ju nderoj me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë.
 
I nderuari Gjeneral Halbauer,
Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju uroj mirëseardhje, duke ju dëshiruar përmbushje të suksesshme të misionit tuaj, në bashkëpunim  me institucionet e Republikës së Kosovës, në ruajtjen e rendit dhe ligjit, në ruajtjen e paqes, sigurisë, stabilitetit, mirëqenies dhe mirëkuptimit në mes njerëzve, duke qenë të sigurt në përkushtimin tuaj në ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës.
 
Në emër të institucioneve të Kosovës, ju garantoj se do të keni bashkëpunimin tonë. KFOR-i mbetet misioni ndërkombëtar më i respektuar dhe më i besuar dhe si i tillë gëzon mbështetjen e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
 
Ne ndajmë të njëjtin përkushtim ndaj vlerave dhe idealeve të ndërtimit të një jete sa më të mirë për qytetarët tanë, të bazuar mbi parimet e demokracisë, barazisë dhe të lirisë së plotë për të gjithë qytetarët pa dallim.
 
Ne e dimë që e kemi përkrahjen tuaj të vazhdueshme për të mënjanuar sfidat që i bëhen rendit dhe ligjit në Kosovë, për të garantuar lirinë e lëvizjes në çdo cep të Kosovës dhe për të penguar shkelësit e ligjit që po mbajnë peng jetën e qytetarëve të Kosovës.
 
Askush nuk mund të minojë investimin tonë të përbashkët, për një të ardhme më të mirë për të gjithë në Kosovë - sakrificën e gjeneratave të tëra të qytetarëve të Kosovës dhe mijëra ushtarëve të NATO-s.
 
Do të vazhdojmë të punojmë në përmbushjen e vizionit dhe misionit tonë të përbashkët që ta bëjmë Kosovën një vend stabil dhe gjithëpërfshirës, në rrugën e saj drejt integrimeve Euro-Atlantike.
 
Ju faleminderit!