Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga për Konferencën Rajonale për Ndihmë Juridike Falas

Republika e Kosovës është një shtet demokratik, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, i ndërtuar në parimin qytetar, ku të gjithë njerëzit, pa marre parasysh përkatësinë etnike, fetare dhe racore, i realizojnë të gjitha të drejtat dhe liritë.

I nderuar kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi,
I nderuar zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë z. Hajredin Kuçi,
Të nderuar përfaqësues të gjyqësorit të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile,
Të nderuar pjesëmarrës  të shteteve të rajonit,
Të nderuar përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë,
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Republika e Kosovës është një shtet demokratik, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, i ndërtuar në parimin qytetar, ku të gjithë njerëzit, pa marre parasysh përkatësinë etnike, fetare dhe racore, i realizojnë të gjitha të drejtat dhe liritë.
 
Kemi avancuar në proceset demokratike, duke u përafruar me normat dhe standardet e Bashkimit Evropian. Sundimi i ligjit, barazia e të gjithëve para ligjit, e drejta e patjetërsueshme e përfaqësimit dhe e mbrojtjes juridike për secilin qytetar, janë disa nga parimet të cilat tashmë janë jetësuar dhe së bashku me ndarjen e plotë të pushteteve në të cilën pavarësia e gjyqësorit luan një rol të jashtëzakonshëm, ndihmojnë në çuarjen e të gjitha proceseve përpara.
 
Gjatë këtyre viteve të shtetndërtimit jemi angazhuar dhe kemi bërë përpjekje për të arritur pacenueshmërinë e kësaj ndarjeje, në mënyrë që të ofrojmë barazi, efektshmëri dhe parashikueshmëri juridike për të gjithë qytetarët, pa dallim race, etnie a religjioni.
 
Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim, dhe ne i kemi krijuar te gjitha parakushtet dhe japim mbështetje të plotë, edukimit juridik ligjor dhe ngritjes së vetëdijes dhe promovimit të këtyre vlerave dhe të drejtave edhe me angazhimin e shoqërisë civile dhe grupeve të interesit.
 
Kjo nxit gjithëpëfshirje të qytetarëve në krijimin e kushteve për drejtësi, që shton hapësirën për përfaqësim dhe rrit kërkesën për llogaridhënie të institucioneve.
 
Të gjithë atyre që kanë nevojë ju sigurohet mbrojtja juridike falas për të gjitha çështjet, siç është ajo e biznesit, e pronës, e punës dhe gjithsesi të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.
 
Ndihma juridike falas fuqizon qytetarët e të gjitha shtresave, ju jep atyre zë dhe dinjitet, dhe liri.
 
Jemi të përkushtuar që mbrojtja juridike falas t’i përmbushë të gjitha kushtet dhe standardet në cilësi, në ekspertizë dhe në kohë, që qytetarët të jenë plotësisht të kënaqur me të.
 
Ju sot, nëpërmes debatit dhe prezantimit të përvojave nga vendet e juaja, nga organizatat dhe shoqatat, do të ndikoni në rritjen e cilësisë dhe shfrytëzimin e praktikave më të mira.
 
Vendet e rajonit janë të ndërlidhura njëri me tjetrin dhe nevojitet bashkëpunim jo vetëm institucional por edhe ndërmjet organizatave dhe shoqërisë civile, në mënyre që t’i përmbushim obligimet tona ndaj të gjithë qytetareve, duke bërë që secili individ të njihet i barabartë, i dinjitetshëm dhe i mbrojtur.
 
Ky bashkëpunim njëherit forcon dialogun rajonal, si imperativ për aspiratat tona për integrim në BE.