FJALIMI I PRESIDENTES ATIFETE JAHJAGA PARA SHOQATËS DEBATUESE OXFORD UNION

Zonja Presidente, anëtarë të shoqatës, ju faleminderit për ftesën që të ndaj me ju një pjesë të historisë - të historisë më të fundit - atë të intervenimit ndërkombëtar dhe shtetndërtimit në Kosovë dhe rrugës tonë përpara.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Zonja Presidente, anëtarë të shoqatës, ju faleminderit për ftesën që të ndaj me ju një pjesë të historisë - të historisë më të fundit - atë të intervenimit ndërkombëtar dhe shtetndërtimit në Kosovë dhe rrugës tonë përpara.
 
Është po ashtu një nder i veçantë që të kthehesh në këtë Universitet, një vend të ideve të mëdha dhe zbulimeve të rëndësishme. Jam posaçërisht e privilegjuar që jam gruaja e parë Presidente nga Evropa Juglindore që ndaj me ju rrëfime të rëndësishme duke ndjekur kështu gjurmët e shumë personaliteteve të shquara - produkte të inspirimeve, bashkëveprimeve njerëzore, e po ashtu edhe të rrethanave tragjike dhe të frikshme, të cilat kanë definuar jetët e miliona njerëzve në këtë kontinent dhe më tej.
 
Ndjej përulësi të pamasë që mund të jap kontributin përkrah njërit prej idhujve të mi, Nënës Terezës, shenjtores me origjinë shqiptare, një grua me ideale dhe vlera të forta, e cila u betua në një kishë në Kosovën jugore dhe ju drejtua shoqatës suaj shumë vite më parë. Ajo ngërthen kontributin që rajoni mund t’i ofrojë pjesës tjetër të botës, kontribut i cili shpeshherë padrejtësisht nuk i është lejuar të zë vendin e merituar.
 
Siç e ka thënë Churchill, dhe shumë të tjerë e kanë përsëritur pas tij, Ballkani prodhon më shumë histori sesa që mund të konsumojë, dhe atyre që zgjedhin ta shohin në këtë mënyrë, përvjetori i 100-të i fillimit të Luftës së Parë Botërore, dhe të gjitha ngjarjet e ndërmjetme, do t’iu duken si një profeci e vetëpërmbushur.
 
Për të tjerët, sidomos për akademikët, përvjetori do të shërbejë si një kujtesë e brishtësisë së shoqërisë ndërkombëtare. Ndërsa historia e dalë nga ky shekull do të shërbejë si një tregim paralajmërues që përballet me pikëpamjet optimiste të një bote të ndërvarur që i sheh konfliktet e mëdha si pjesë të së kaluarës.
 
Sigurisht, përderisa përkujtojmë plumbin i cili u shkrep në rrugët e Sarajevës drejt Arqidukës Franz Ferdinand, trashëgimtarit të perandorisë Austro-Hungareze, akt i cili edhe e filloi Luftën e Parë Botërore, të gjithë do t’i përmendim ngjashmëritë mes asaj kohe dhe të tashmes. Po, disa nga zhvillimet janë tmerrësisht të përafërta. Por, ngjashmëritë janë të pakta. Dallimet janë të shumta.
 
Sot, unë do t’ju flas për këto dallime duke e analizuar një proces i cili ende vazhdon, për të cilin jam e bindur, se është rasti ynë i vetëm që të sjellim përfundimisht paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, pikërisht në vendin ku ndodhën shumë nga ngjarjet e disa dekadave të fundit, dhe që të përmbushim premtimet për një Evropë të bashkuar, të tërë dhe në paqe.
 
Përgjatë këtij shekulli, popujt e Ballkanit iu nënshtruan një fragmentimi të thellë, i cili më së shpeshti ndodhi si pasojë e brutalitetit të ushtruar për qëllime hegjemoniste dhe dominuese.
 
Gjatë periudhës së ndërrimit të mileniumeve, Kosova ishte një fushëbetejë. Kësaj radhe, ndërsa Federata Jugosllave po shpërbëhej dhe ndërsa Serbia lansoi agjendën e saj nacionaliste të krijimit të Serbisë së Madhe, një kampanjë e represionit filloi në Kosovë, si kundërshtim i vullnetit të shumicës së saj shqiptare për të formuar shtetin e tyre të pavarur, rrugë kjo e ngjashme me rrugën e ndërmarrë nga shumica e republikave jugosllave.
 
Kosova dhe veprimtaria e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një force guerile e cila mundohej ta shkëpuste Kosovën nga kontrolli i Serbisë dhe të krijonte një shtet të pavarur, u ballafaquan me një dhunë që nuk përjashtoi askënd. Civilët u bënë cak i spastrimit etnik nga regjimi serb, dhe NATO-ja - për herë të parë në tërë historinë e saj - intervenoi për të mbrojtur civilët duke zbatuar premtimin e Evropës dhe botës demokratike që të mos lejojë gjenocidin të ndodhë më kurrë.
 
Ky intervenim humanitar u shndërrua në precedent për krijimin e normës së përgjegjësisë për të mbrojtur, ose për të intervenuar në mbrojtje të viktimave të vrasjeve masive dhe shkeljeve të rënda të të drejtave njerëzore nga vetë shteti.
 
Ishte po kjo baza që e bëri NATO-n të intervenojë përsëri rishtazi në Libi, dhe kjo është arsyeja përse përvoja e Kosovës- edhe pse nuk përben një plan apo një zgjidhje të përcaktuar për krizat e tjera – ka një rëndësi për botën dhe për angazhimet e ardhshme për synime shtetndërtuese.

Por, siç e dëshmon edhe shembulli i Kosovës, shtetndërtimi është i vështirë dhe me raste frustrues për komunitetin ndërkombëtar dhe posaçërisht për popullatën e cila e gjen veten përballë prioriteteve të shumta dhe nevojave të menjëhershme – përballë presionit për të siguruar nevojat esenciale për bukë dhe gjalp apo përballë çështjeve të sigurisë dhe ndërtimit të institucioneve shtetërore të cilat do ta marrin përgjegjësinë për të krijuar një shoqërie demokratike dhe ekonomi të tregut, në një kohë kur këto të fundit nuk kanë ekzistuar më parë.
 
Në mes të vitit 1999, ne trashëguam një shtet të shkatërruar: Mijëra civilë të vrarë dhe një trashëgimi të armiqësive ndëretnike.
 
Rimëkëmbja nuk ishte e lehtë. U desh shumë ndihmë dhe shumë durim. Po ashtu edhe një angazhim i madh ndërkombëtar, i cili i ofroi Kosovës dhe qytetarëve të saj mundësitë dhe kohën e duhur për t’u maturuar, në mënyrë që kur koha e përshtatshme të vinte, Kosova ta shpallte pavarësinë e saj dhe ne të mund të fokusoheshim për ta bërë atë një vend të qëndrueshëm.   Demokratik. Multietnik. Shtëpi për të gjithë qytetarët e saj pa marrë parasysh prejardhjen e tyre kombëtare. Në paqe me fqinjët dhe plot respekt për sovranitetin e tyre. Një vend kandidat për Bashkimin Evropian dhe NATO-në si dhe një vend me aspirata për vlerat të cilat këto dy institucione përfaqësojnë për bashkëpunimin dhe sigurinë kolektive.

Në vitin 2008 ne shpallëm Kosovën vend të pavarur, duke kurorëzuar kështu angazhimet e gjeneratave të tëra të kosovarëve që të jenë zot të fateve të tyre. Gjatë gjashtë viteve të kaluara, jemi fokusuar në realizimin e këtij vizioni.
 
Dhe - përkundër vështirësive të tranzicionit të cilat i kemi përjetuar dhe ndaj të cilave asnjë shtet tjetër nuk është imun, si dhe kontradiktave të cilat e karakterizuan lindjen e Kosovës si shtetin më të ri në Evropë- ne i kemi qëllimet tona shumë të qarta. Në këto gjashtë vjet, ne kemi dëshmuar aftësinë tonë që t’u qëndrojmë besnik vlerave të cilat janë themeli i shtetit tonë dhe kemi dëshmuar vendosmërinë tonë që të punojmë bashkë me fqinjët tanë për të tejkaluar pengesat e bashkëpunimit. Për ne, këto procese janë të pakthyeshme. Kemi luftuar shumë për lirinë dhe të drejtat tona - përfshirë këtu edhe liritë më bazike si liria e fjalës apo e drejta për jetesë - për të heq dorë prej tyre apo për t’ua mohuar të njëjtat të tjerëve.
 
Vendosmëria jonë drejt qëllimit përfundimtar është po aq e palëkundur. Ndërsa shumë njerëz përgjatë dekadës së fundit në Evropë diskutojnë rreth qëndrueshmërisë së politikës së zgjerimit, dhe shkaku e efekti mbi frustrimin e brendshëm mbi normat e larta të papunësisë, Ballkani Perëndimor ka qenë i unifikuar në aspiratën për anëtarësim në BE, si agjenda e vetme që na bashkon të gjithëve.
 
Perspektiva drejtë BE-së ka dëshmuar të jetë mjet i paimagjinueshëm i transformimit në një rajon i cili shpeshherë i ka rezistuar ndryshimit. Dhe unë besoj që ndodhemi para një momenti të cilin duhet ta ruajmë dhe ta avancojmë më tej, ne si rajon po ashtu edhe BE-ja, si një garanci e vetme e progresit të cilin e kemi arritur, si dëshmi solide se ne tashmë kemi mësuar nga e kaluara. Dhe këtu qëndron dallimi kryesor.
 
Paqja në Evropë, në masë të madhe e mbështetur nga ekzistimi i Bashkimit Evropian- ka sjellë me vete jo vetëm rritje dhe zhvillim të paprecedentë, por ka sjellë po ashtu edhe një periudhë të stabilitetit politik, liri të lëvizjes dhe mirëkuptim më të thellë në mes njerëzve dhe popujve.
 
Vendet kryesore të BE-së kanë qenë dëshmitar të dallimit historike që BE-ja ka sjell në anën tjetër të Perdes së Hekurt, dhe ne, vendet e Ballkanit Perëndimor, e kuptojmë më së miri potencialin që ky projekt ka për të transformuar vendet tona dhe për të ndryshuar kahun e historisë.
 
Në bazë të këtij premtimi, të një bashkëpunimi të ardhshëm për një paqe të qëndrueshme dhe stabilitet, ne, vendet e rajonit e kemi kuptuar se duhet të punojmë së bashku. Ne kemi një të shkuar të rëndë, një të shkuar nga e cila mund të mos jemi rimëkëmbur akoma dhe pasojat e së cilës po i vuajmë ende, por jemi bërë bashkë për vizionin premtues të një Evrope të bashkuar.
 
Rruga jonë drejtë BE-së është kushtëzuar me aftësinë tonë për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore në Ballkan, të cilat nënkuptojnë respekt për vlerat që përfaqësojnë shoqëritë tona dhe respekt për integritetin e vendeve tona respektive. Marrëdhëniet e mira nuk ndërtohen vetëm me nënshkrim të marrëveshjeve, por me anë të implementimit të tyre dhe pranimit të pavarësisë së vendeve tona.
 
Marrëdhëniet në mes të vendeve te Ballkanit vazhdojnë të mbesin të brishta, të rënda dhe plot mosbesim. Ne akoma nuk kemi arritur të ndërtojmë ura në mes nesh pavarësisht disa hapave të rëndësishëm të cilat i kemi ndërmarrë gjatë dekadës së fundit për të ndryshuar pikëpamjet e gabuara ndaj njëri- tjetrin.
 
Por, përkundër kësaj, ajo që ishte e paimagjinueshme vetëm një vit më parë- dialogu në mes të Serbisë dhe Kosovës- u bë suksesi më i madh sepse ideja e integrimit evropian - ide e bashkëpunimit dhe marrëveshjes- mbizotëroi.
 
Të dy shtetet, të cilat aspirojnë anëtarësimin në BE, e kanë kuptuar në mënyrë të duhur faktin se nëpërmes dialogut mund të arrijnë zgjidhje për të gjitha çështjet, duke hequr dorë nga idetë e hegjemonizmit dhe duke mësuar të dëgjojnë, të kuptojnë dhe të gjejnë fusha që i bashkojnë. Ne kërkuam një rrugëdalje nga rruga pa krye ku ishim, që të hapim rrugëve tona respektive drejt anëtarësimit në BE.

Ne duhej të gjenim forcë dhe kurajo për të adresuar atë që ishte gjëja më e vështirë e dekadës së kaluar, hapjen e kapitullit të pajtimit politik me Serbinë dhe akomodimin e komunitetit serb i cili jeton në pjesën veriore të Kosovës, i mbajtur peng nga hezitimi i Serbisë për të pranuar realitetin e Kosovës së pavarur.
 
Ishte kjo bindja me të cilën ne iu qasëm dialogut me Serbinë.

Dialogu i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA është mënyra e vetme për të rifilluar marrëdhënien tonë si palë të barabarta.

Dialogu ka për qëllim që të sigurojë stabilitet dhe të ulë tensionet në rajon nëpërmes zgjidhjeve të bazuara në standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Ne i kemi hyrë procesit të dialogut të bindur se vetëm nëpërmes dialogut mund të arrijmë stabilitetin e nevojshëm për konsolidimin e vendeve tona, ringjalljen e ekonomive tona dhe ndërtimin e marrëdhënieve fqinjësore të cilat do të na sigurojnë të ardhmen evropiane.
 
Në këtë proces ne kemi kërkuar përfshirje politike dhe shoqërore. Dialogu ishte investim madhor i cili tejkalon kufijtë ideologjikë dhe politikat ditore. Pasi, unë besoj fuqimisht, se ai i përcakton rrugët tona dhe prek jetën e secilit qytetar.

Me siguri se, gjatë angazhimeve për ndërtim të konsensusit, ne kemi hasur edhe në skepticizëm, i cili duhet të kuptohet në kontekstin e të kaluarës sonë me Serbinë dhe një numri të madh të marrëveshjeve të dështuara të cilat i kanë shkaktuar shumë vuajtje qytetarëve të vendit tim, vend në të cilin kujtesa e luftës dhe pasojave të saj janë ende të freskëta.

Si udhëheqëse e institucionit më të lartë të vendit tim, unë e kam mbështetur dialogun në mes të dy vendeve të pavarura - duke përfshirë edhe takimin tim me Presidentin e Serbisë në Bruksel vitin e kaluar, e vendosur që të hapim një faqe të re dhe të ndihmojmë në ndërtimin e vizonit të ri për të ardhmen e mbarë rajonit.

Gjatë vitit të kaluar ne kemi arritur marrëveshje për shpërbërjen e strukturave ilegale serbe të cilat vepronin në veri.
 
Ne integruam me sukses anëtarët e atij komuniteti në Policinë e Kosovës.

Ne kemi mbajtur zgjedhjet lokale, për herë të parë në mbarë territorin e Kosovës për kryetarë komunash dhe asamblistë të cilët- ne besojmë- do të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

Po ashtu kemi arritur marrëveshje rreth energjisë, menaxhimit të integruar të kufijve, transportit, tatimeve dhe doganave, dokumenteve si dhe kemi hapur zyra ndërlidhëse në të dy kryeqytetet.

Marrëveshje të cilat sigurojnë stabilitet dhe definitivisht marrëveshje të cilat ofrojnë siguri më të madhe për mbarë rajonin.

Këto marrëveshje duhet të implementohen në plotëni. Po ashtu, procesi i normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të vlerësohet kapitull për kapitull dhe hap pas hapi!

Duke vlerësuar implementimin e secilit kënd të marrëveshjes dhe duke siguruar përfundimin e suksesshëm të secilës periudhë implementuese deri sa të arrijmë në përfundim. Kosova dhe Serbia duhet të ndërtojnë partneritet, të bazuar në njohje të dyanshme, si hap i fundit për integrim në BE.
 
Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë u bë e mundshme për shkak se alternativa jonë e vetme ishte BE-ja, e cila e bëri të qartë se anëtarësimi nënkupton vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe se progresi ynë i  gjithmbarshëm është i lidhur me tejkalimin e dallimeve.

Kjo po ashtu u bë e mundshme për shkak se kuptuam se përparimi i një shoqërie nuk mund të mbetet peng i mospajtimeve tona dhe paaftësisë sonë që ta shfrytëzojmë mundësinë për të ecur përpara. Dialogu shihej si mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve të cilat rëndonin mbi jetërat e qytetarëve tanë dhe të cilat kishin bllokuar rrugën tonë përpara.
 
Dhe kjo rrugë, është rrugë e përbashkët e vendeve të Ballkanit, e ndërlidhur dhe e ndërvarur, si dhe e kushtëzuar nga bashkëpunimi ynë dhe aftësia jonë për të ndërtuar reciprocitet.
 
Nuk mund të ketë as përparim e as anëtarësim ne BE për asnjërën nga vendet aspiruese pa zgjidhjen e problemeve që qëndrojnë në mes nesh. BE-ja nuk është vend në të cilin ne zgjidhim problemet tona, por një forum në të cilin ne i kontribuojmë ndërtimit të ardhmes të së përbashkët evropiane dhe në të cilin dallimet tona transformohen në përparësi, dhe ku bashkëpunimi ynë është një vlerë e rëndësishme për të gjithë anëtarët e këtij unioni.

Ne kemi investuar shumë në procesin e dialogut dhe duhet të shtyjmë përpara dedikimin për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për qytetarët e Kosovës, për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.
 
Sepse para nesh kemi një numër të çështjeve urgjente, një pjesë e madhe e të cilave ndërlidhet me forcimin e institucioneve demokratike në vend dhe me përmbushjen e nevojave të qytetarëve.

Zhvillimi ekonomik, posaçërisht mundësitë për krijimin e vendeve të reja të punës dhe ringjalljes së ekonomisë duhet të kenë prioritet parësor, sepse kjo kërkesë po shfaqet si një emërues i përbashkët i shqiptarëve dhe serbëve. Është një brengë e tyre e përbashkët.
 
Por, ne kuptojmë që të dy çështjet janë të ndërlidhura, siç është edhe dialogu në mes të qytetarëve tanë, besimi i ndërsjellë i të cilëve është i lëkundur që nga periudha e represionit dhe luftës në Kosovë.
 
Më lejoni të shtoj se në mes të këtyre prioriteteve garuese, kur jemi duke i dhënë formë demokracisë sonë, në mënyrë që ta bëjmë Kosovën një vend të mundësive të mëdha, ne po sfidohemi nga shumë sfida. Tani jemi duke u fokusuar në nevojën për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në sundim të ligjit. Vendosmëria jonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar duhet të përkthehet në veprime konkrete, sepse ne nuk dëshirojmë të shndërrohemi në një pikë të zezë në hartën e Ballkanit.
 
Ne vazhdojmë të sfidohemi nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, përkundër krijimit të institucioneve përgjegjëse dhe shpalljes së ligjeve të rrepta të cilat sfidojnë këto fenomene dhe përkundër punës së përbashkët të cilën po e ndërmarrim për uljen e këtyre tendencave dhe eradikimit të plotë të tyre në vijim. Unë e pranoj se ne nuk kemi bërë aq sa kemi dashur të ndërmarrim, por besojmë se si shoqëri, ne kemi kapacitetin dhe aftësinë ta fitojmë këtë luftë. Unë nuk dua ta krahasoj Kosovën me ndonjë shoqëri tjetër e cila ka ndërmarrë më shumë aktivitete, sepse matës për ne janë vetë qytetarët tanë, të cilët janë pak të dëshpëruar me shpejtësinë e reformave. Ne jemi duke e kanalizuar perceptimin e tyre rreth këtyre fenomeneve negative, për një betejë të përbashkët për ta mposhtur atë.
 
Zonja dhe Zotërinj,

Perspektiva për anëtarësim e rajonit, e cila na unifikon të gjithëve, duhet të mbizotërojë mbi çfarëdo dyshimi rreth qëndrueshmërisë së politikës së derës së hapur, sepse kjo perspektivë ka prodhuar rezultate të prekshme, aty ku para një dekade ndryshimet ishin të paimagjinueshme.
 
Sot, kemi treguar kreativitetin dhe konstruktivitetin për të lëvizur përtej armiqësive të së shkuarës dhe për të ndërtuar mirëbesim, pajtim, dhe për të ndryshuar imazhin e mbarë rajonit, të vetëdijshëm se nëse nuk e bëjmë një gjë të tillë, atëherë do të mbesim të izoluar, duke humbur kështu edhe një gjeneratë në papunësi dhe përjashtim shoqërore, dhe duke hedhur një hije të rëndë mbi një rajon i cili ka aq shumë potencial për të ofruar.
 
Është një mundësi unike, dhe ju ftoj të gjithëve që të mendoni për potencialin që ky rajon ka për një paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në Evropë. Për t’i dhënë fund armiqësive në Ballkan. Për një mundësi për të ndarë bashkë këtë prosperitet dhe për ta bërë të qëndrueshëm për secilin qytetar.
 
Por, për ta mundësuar këtë sukses, ne kemi nevojë për më shumë se perspektivë, sepse ky proces është rrugë e dyanshme, dhe BE-ja duhet t’i qëndrojë besnike dedikimit të saj. Ekzistenca e saj duhet të nënkuptojë më shumë se përmbushje e standardeve. Duhet të vazhdojë të ekzistojë si ide e kohës sonë, si një inspirim për të lëvizur përpara.
 
Projekti i Bashkimit Evropian duhet të vazhdojë të jetë opsioni i vetëm i pamohueshëm i cili do të ketë ndikimin më të madh dhe rolin më pozitiv transformues në ekonomitë dhe zhvillimin e shoqërive tona. Sepse atë çfarë ne - vendet në prag të BE-së shohim - është një prosperitet i paprecedent gjatë pesë dekadave të shkuara në Evropë.
 
Jo vetëm që shtetet themeluese kanë pasur një zhvillim të vazhdueshëm por ky union ka ndihmuar në mbylljen e diferencave zhvillimore në Evropë duke ndihmuar vendet të cilat kanë ngelur prapa për shkak të ndodhive të dekadave të kaluara.
 
Kosova është shembulli më i mirë i angazhimit për të krijuar normalitet... e jo për një pritje që normaliteti të vijë vetë.
 
Ju faleminderit.