Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në takimin përmbyllës të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës

Dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në takimin përmbyllës të Këshillit kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Para dy vitesh, me dekret të veçantë themelova këtë mekanizëm, për të udhëhequr diskursin institucional dhe shoqëror për trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, duke bashkërenduar veprimet tona, në bazë të përgjegjësive dhe kompetencave respektive.

Me krenari e kujtoj takimin e parë të Këshillit Kombëtar më 7 mars 2014, kur me një zë, për herë të parë, ne si institucione dhe si shoqëri shprehëm vendosmërinë tonë për ta thyer tabunë e cila e kishte rrethuar këtë çështje për një kohë shumë të gjatë.
 
Shprehëm njëzëri përkushtimin tonë për të luftuar stigmën e cila ende rrethon të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe për të punuar pareshtur për t’i trajtuar të gjithA viktimat e këtij krimi lufte ashtu siç i kemi trajtuar të gjitha kategoritë e tjera të dala nga lufta, me respekt dhe dinjitet, duke njohur sakrificën e tyre.
 
Kishim shumë punë për të bërë, pasi për 15 vite nuk kishim arritur ta adresojmë këtë pasojë të rëndë të luftës në mënyrë e duhur institucionale dhe shoqërore, kishim qëndruar të heshtur, dhe atëherë kur filluam të diskutonim rreth njohjes ligjore, u dëshmua qartazi që ende nuk i njihnim pasojat e rënda të këtij krimi lufte dhe mbi të gjitha nuk ishim të gatshëm të pranonim përgjegjësitë tona ndaj mijëra qytetarëve të pafajshëm të vendit tonë mbi të cilët dhuna seksuale u përdorur si krim lufte.
 
Krimi mizor i dhunës seksuale i kishte mbajtur viktimat të burgosura brenda tmerreve të cilat i kishin përjetuar, të heshtura, të stigmatizuara dhe të turpëruara nga mbarë shoqëria.
 
E ndërsa ne zgjodhëm heshtjen, ne si individë, si shoqëri dhe si institucione, u bëmë pjesë e padrejtësisë së kryer mbi viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.
 
Ndjehem krenare që me anë të Këshillit ne arritëm të thyejmë heshtjen, të thyejmë tabunë rreth kësaj çështjeje dhe të ndryshojmë kursin e historisë duke e të kthyer shoqërinë tonë në përkrahëse të fuqishme të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
 
Në këtë takim kemi shumë për të ndarë për të arriturat tona gjatë këtyre dy viteve, për mobilizimin shoqëror e institucional, për solidaritetin që kemi dëshmuar, për angazhimin dhe përkushtimin institucional për t’iu ofruar të mbijetuarve njohjen ligjore, qasjen në shërbime psiko-sociale e shëndetësore, qasje në drejtësi, qasje në fuqizimin ekonomik dhe mbi të gjitha njohjen e krimit që është kryer mbi ta.
 
Me anë të Këshillit u bë shumë punë, u vendosen objektiva afatgjate për trajtimin e drejtë dhe dinjitoz për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, duke i ofruar edhe vendeve të tjera të botës që përballen me pasoja të ngjashme lufte, shembullin e mirë se si një shoqëri duhet t’i trajtojë të mbijetuarit e saj, duke e marrë nën udhëheqjen e institucionit më të lartë të vendit, atë të Presidentit.
 
Gjatë këtyre dy viteve arritëm që të mobilizojmë opinionin ndërkombëtar për këtë çështje e cila ishte shumë pak dhe fare e njohur dhe e pranuar, duke gjetur përkrahjen e liderëve të shteteve në mbarë botën të cilët avokojnë për drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës si Presidenti i Shqipërisë, Presidentja e Maltës, Ministria e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar, Baronesha Anelay, zyrtarë të lartë të SHBA dhe ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë për të mbijetuarit përfshirë fuqizimin e tyre ekonomik si organizata koreane Sungjoo Kim.
 
Dëgjuam zërin e organizatave jo qeveritare të grave të cilat me vite kanë kërkuar drejtësi dhe të drejta për të mbijetuarit, duke e njohur kontributin e tyre të çmuar dhe duke i bërë ato partner të të gjitha proceseve shtetërore që iniciuam duke filluar nga njohja ligjore, të ofrimin të shërbimeve shëndetësore, te qasja në drejtësi si dhe te ngritja e vetëdijes shoqërore, të gjitha këto për t’ju garantuar të mbijetuarve të gjitha të drejtat të cilat atyre ju takojnë në bazë të konventave ndërkombëtare.
 
Me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë arritëm që Kosovën ta bëjmë edhe pjesë të nismave globale për parandalimin e dhunës seksuale si mjet lufte, nisma e ndërmarr nga mbretëria e bashkuar, t’ju ofrojmë kushte më të mira për jetesë me ndihmën e Ambasadës Amerikane dhe Ambasadës Turke, UNWOMEN-it, të ngremë vetëdijen shoqërore me evente të shumta duke veçuar filmin “Tri dritare dhe një varje” të regjisorit Isa Qosja dhe producentit Shkumbin Istrefi, të instalacionit artistik “Mendoj për ty” të artistes Alketa Xhafa Mripa, e producentes Anna di Lellio, apo edhe të alpinistes Merita Gashi, e cila ngjitjen në majën e Kilimanxharos ia dedikoj drejtësisë për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
 
Përmbyllja e punës së Këshillit kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës shënon përfundimin e misionit të tij por jo të obligimeve tona për t’iu ofruar të mbijetuarve qasje në të drejtat e tyre.
 
Përkundrazi dëshmon se ne kemi arritur si institucione dhe shoqëri të identifikojmë përgjegjësitë tona, të marrim përsipër obligimet që kemi ndaj të mbijetuarve, të krijojmë bashkëpunimin e ndërsjellë, të krijojmë infrastrukturën e duhur ligjore, strategjitë e nevojshme dhe vizionin e qartë për t’ju garantuar të mbijetuarve të gjitha të drejtat e tyre.
 
Neve si shoqëri na u desh kohë e gjatë për ta gjetur rrugën e drejtë në adresimin e kësaj pasoje të rëndë të luftës. Por jemi në rrugë të mbarë, ne tashmë si institucione dhe si shoqëri i kemi të qarta obligimet tona dhe duhet të vazhdojmë të jemi vigjilentë dhe të përkushtuar që t’i përmbushim ato.
 
Procesi i rehabilitimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës është një proces afatgjatë i cili kërkon angazhimin e secilit, proces të cilin duhet ta kalojmë së bashku si shoqëri.
 
Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje që pasojat e këtij krimi lufte mos të transmetohen në gjeneratat e ardhshme.
 
I nderuar Kryeministër, unë pres nga ju që ta trajtoni me prioritet dhe të keni fokus të veçantë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, për t’iu ofruar atyre të gjitha të drejtat që u takojnë me ligj.
 
E vetëdijshme për problemet që kanë ngjarë me kategoritë e tjera sociale që kanë dalë nga lufta, pres nga të gjitha palët që të tregojnë seriozitetin e duhur për procesin e verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, i cili po fillon 17 vite pas luftës, për të mos lejuar manipulime në emër të kësaj kategorie që ka vuajtur shumë.
 
Unë pres nga institucionet tona që të tregojnë një kujdes të shtuar ndaj këtij procesit 5-vjeçar të aplikimit për statusin ligjor, duke ndërmarrë të gjitha aktet e nevojshme për ta trajtojnë këtë kategori me konsideratën më të lartë, duke mos i vonuar proceset, por duke njohur sakrificën e tyre dhe duke ju ofruar qasje në të drejta dinjitoze.
 
Pres nga sistemi i drejtësisë që strategjinë për qasjen në drejtësi, e cila u përpilua në kuadër të Këshillit, ta jetësojnë. Ende nuk kemi asnjë person të dënuar për këtë krim mizor lufte të kryer në Kosovë. Pres përkushtimin e tyre për të sjell drejtësi për këtë krim lufte dhe angazhimin e tyre për t’ju ofruar të mbijetuarve qasje profesionale dhe proces dinjitoz, duke respektuar të drejtat dhe nevojat e tyre.
 
Pres nga komuniteti ndërkombëtar që të vazhdoj të mbështesë edhe më shumë përpjekjet e shoqërisë tonë dhe institucioneve tona për të sjellë drejtësi për të mbijetuarit dhe angazhim më të madh nga ta për ta njohur këtë krim lufte që ka ndodhur në Kosovë, dhe për të ndjekur kriminelët që kryen këto vepra mizore të luftës, të cilët ndodhen jashtë territorit të Kosovës.

Pres nga e gjithë shoqëria jonë që të respektojnë sakrificën e të mbijetuarve dhe të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e tyre për të ndërtuar një jetë në paqe, larg këtij krimi.
 
Të nderuar pjesëmarrës,

Gjatë këtyre viteve, në mandatin tim si Presidente, kam takuar shumë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në mbarë Kosovës. Unë kam qenë dëshmitare e guximit të vajzave të reja dhe grave, të cilat, përkundër tmerrit që kanë përjetuar, kanë gjetur forcën për të rindërtuar jetët e tyre, të kujdesen për fëmijët dhe familjet e tyre, të cilat i luftojnë për çdo ditë tmerret të cilat i kanë përjetuar dhe të cilat nuk dorëzohen asnjëherë. Gra, të cilat e inkurajojnë njëra-tjetrën për të mbijetuar dhe të cilat i thonë njëra-tjetrës se ato janë heroinat e shoqërisë sonë.

Dëshiroj të shpreh një mirënjohje të veçantë për të gjitha ato dhe t’ju them që do të vazhdoj të punoj pareshtur derisa ato të kenë qasje në të gjitha të drejtat që u takojnë.
 
Unë u kërkoj atyre që të gjejnë forcën dhe kurajën edhe këtë herë, për të kërkuar të drejtat e tyre, për të aplikuar për statusin e tyre ligjor, për të marrë të gjitha shërbimet të cilat janë të parapara me ligj dhe të cilat ofrohen nga institucionet e vendit.
 
Kërkoni të drejtat tuaja. Ju nuk jeni fajtore, turpi nuk është mbi ju dhe asnjëherë nuk ka qenë, turpi dhe faji është i kriminelëve që kryen këto krime mizore të luftës mbi trupin tuaj dhe mbi shoqërinë tonë.
 
Të nderuar anëtar të Këshillit dhe partnerë të shumtë,

Dëshiroj t’ju shpreh një falënderim të veçantë për përkushtimin që keni dëshmuar dhe për punën e pareshtur gjatë këtyre dy viteve për të identifikuar rrugëtimin tonë të përbashkët institucional dhe shoqëror drejt ofrimit të të drejtave për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
 
Gjatë këtyre dy viteve së bashku ne kemi arritur të ndryshojmë rrëfimet e tyre. Tani ato kanë filluar të bëhen rrëfime të të mbijetuarve, të cilat kanë mbështetjen e institucioneve, të komunitetit, të sektorit privat, që ka filluar t’i konsiderojë si potencial për zhvillimin e kompanive të tyre, të sektorit publik, që ka filluar t’i shohë ato si partnere për avancimin e gjithmbarshëm të shoqërisë.
 
E rifituam me shumë mund dhe përpjekje besimin e tyre, pasi e thamë shumë qartazi që nuk është faji i tyre dhe vepruam me hapa konkretë për ta dëshmuar përkushtimin tonë ndaj tyre.
 
Një falënderim i veçantë për shoqërinë civile, që me punën, angazhimin dhe përkushtimin e tyre konkret kanë bërë gjithçka që është e mundur, në kapacitetin edhe personal të tyre, për t’u dalë në ndihmë këtyre viktimave. Pas luftës ata ishin e vetmja derë e hapur për këto viktima.
 
Ju them që ne e njohim sakrificën e tyre dhe do të mbetemi të përkushtuar në misionin tonë për t’ju sjellë paqe atyre. Shoqëria jonë nuk mund të ketë paqe, pa gjetur ato paqe.