Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në samitin e 16-të Ekonomik të Euro-Azisë në Stamboll

Samiti Ekonomik i Euro-Azisë ofron një mundësi që të komunikohen dhe shkëmbehen ide dhe përvoja në funksion të zhvillimit ekonomik dhe përparimit të vendeve tona. Ky samit është po ashtu një dëshmi e kësaj periudhe integruese dhe e gatishmërisë sonë për bashkëpunim dhe gjetje të zgjidhjeve.

Pjesëmarrës të nderuar të Samitit,
Ekselenca,
Zonja dhe Zotërinj,


Samiti Ekonomik i Euro-Azisë ofron një mundësi që të komunikohen dhe shkëmbehen ide dhe përvoja në funksion të zhvillimit ekonomik dhe përparimit të vendeve tona. Ky samit është po ashtu një dëshmi e kësaj periudhe integruese dhe e gatishmërisë sonë për bashkëpunim dhe gjetje të zgjidhjeve.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë po ashtu të përfaqësuara në këtë forum, janë duke kaluar gjatë një procesi reformash të cilat duhet ndërmarrë si nevojë për një transformim të sistemeve të tyre shoqërore dhe ekonomike më mënyrë që të jenë pjesë e ndryshimeve globale. Ky është po ashtu një parakusht i rëndësishëm për integrimin tonë ekonomik dhe financiar në Bashkimin Evropian.

Ka shumë gjëra të cilat vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë periudhës së tranzicionit mund të  mësojnë nga përvojat e vendeve tjera të cilat e kanë kaluar këtë rrugëtim. Ne jemi duke demonstruar me angazhimin tonë të përgjithshëm vendosmërinë tonë dhe vullnetin politik për t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për konsolidimin e demokracive tona dhe të transformimit të ekonomive tona drejt stabilitetit dhe prosperitetit.

Vendet e rajonit, edhe pse më pak të prekura nga kriza ekonomike dhe financiare globale, përballen me problemet e një ekonomie jo shumë të zhvilluar dhe në tranzicion, dhe jo shumë të ndërlidhur me kapitalin ndërkombëtar, dhe nëse nuk zhvillohet një sistem i drejtë i politikave ekonomike, që mundësojnë prodhimin, eksportin dhe ulin papunësinë atëherë ato rrezikojnë të hyjnë në një periudhë të krizës. 

Varësia nga ndihmat e jashtme dhe pamundësia e gjetjes së tregjeve të treta, në veçanti në vendet e Evropës, e kanë mbyllur ekonominë e vendeve të Ballkanit, që gjithashtu nuk kanë edhe model të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të daljes së përbashkët në tregjet e treta. Në gjithë këtë, bashkëpunimi rajonal është një bazë e fuqishme e zhvillimit të përbashkët, por investimet dhe kapitali i jashtëm do të mundësojë që të jemi konkurrent dhe të plasojmë prodhimet tona.      

Të gjitha vendet e rajonit kanë synim anëtarësimin në BE, ku interesat dhe synimet e përbashkëta, për ndërtimin e shoqërisë demokratike, të avancimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, të krijimit të mekanizmave kompleks, tejkalojnë dallimet etnike si dhe pamundësojnë konfrontimet mes shteteve.

Është vullnet i të gjithë qytetarëve të vendit tim që të integrohen në institucionet euroatlantike, dhe vendi im ka një perspektivë të qartë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe në këtë e kemi përkrahjen e vendeve të BE-së, edhe pse ende pesë vende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të deklaruar pesë vjet më parë.

Zonja dhe Zotërinj,

Kosova ka arritur përparim të konsiderueshëm në themelimin e institucioneve dhe në mënyrë konstante ka forcuar mekanizmat e përmbarimit të ligjit dhe ka krijuar dhe aplikuar politika të shëndosha makroekonomike, të cilat sigurojnë stabilitet të sistemit ekonomik.

Ne po ashtu jemi zotuar ndaj reformave strukturore nëpërmjet procesit të privatizimit. Kemi arritur sukses të konsiderueshëm në përmirësimin e ambientit për biznes, me garanci legjislative dhe procedura të tjera administrative për biznes nga investitorët vendor dhe ata ndërkombëtarë.

Që nga shpallja e Pavarësisë, reforma të gjëra dhe aplikimi me sukses i tyre kanë rezultuar me zhvillim ekonomik.

Janë përmbushur të gjitha kriteret që shumë shpejt të fillohen negociatat për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, i cili do ti sjellë përparësi të rëndësishme vendit tonë, duke ofruar parashikueshmëri dhe perspektivë reale për rritje ekonomike.

Kosova është një vend i vogël, që e ka shpallur pavarësinë e saj duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve të saj dhe me mbështetje te komunitetit ndërkombëtar.

Kosova ka një popullatë të re dhe dinamike, e cila përfaqëson një burim të madh të dijes dhe potencial për inovime.

Zhvillimi ynë bazohet në këtë fuqi të re punëtore dhe në resurset tona minerale që janë të konsiderueshme në përmasat rajonale. Për shembull, ne kemi burime të konsiderueshme të linjitit, zinkut dhe plumbit të cilat do t’i përdorim për nevojat e gjeneratave të tanishme dhe atyre që do të vijnë duke respektuar parimin e përdorimit të qëndrueshëm të burimeve të harxhueshme.

Dhe derisa jemi duke përparuar, ne do të vazhdojmë të krijojmë një ekonomi të fortë, diverse, duke bashkëdyzuar kapitalin e huaj dhe atë vendor dhe duke krijuar një ambient të favorshëm për investime direkte dhe për lëvizjen e lirë të kapitalit.

Ne besojmë se fitimet e gjeneruara nga burimet natyrore duhet të kanalizohen drejt ngritjes dhe përmirësimit të sistemit të arsimimit dhe ngritjes së nivelit të aftësisë së punonjësve. Një forcë punuese e arsimuar mirë, është parakusht thelbësor për një zhvillim të qëndrueshëm.

Si shtet dhe si regjion, ne kemi shumë për të bërë në fushën e zhvillimit ekonomik dhe promovimit të bashkëpunimit regjional, sepse jemi të orientuar dhe të ndërlidhur me njëri-tjetrin, duke krijuar edhe infrastrukturën përkatëse.

Ne po ashtu ballafaqohemi me sfida të mëdha, sepse transformimi ynë dhe procesi i reformave po ndodhin në kontekst të një recesioni global. Papunësia e lartë, posaçërisht ajo e të rinjve dhe grave, janë arsye reale për brengosje gjatë gjetjes së zgjidhjeve dhe transformimit të ekonomisë sonë dhe krijimit të kushteve të nevojshme dhe kapaciteteve prodhuese që sigurojnë zhvillim dhe hapje të vendeve të reja të punës.

Si liderë të shoqërive dhe të komunitetit të biznesit, ne duhet të jemi të përgatitur që të ofrojmë lidership për ndryshim. Është e nevojshme që vendet në tranzicion ta nxisin kapitalin dhe investitorët që ta përmirësojnë ekonominë, tregtinë dhe rritjen ekonomike.


Të nderuar pjesëmarrës të Forumit,

Jam shumë e kënaqur që programi i samitit do ta adresojë edhe rolin e gruas në zhvillim të qëndrueshëm. Hulumtimet në mbarë botën tregojnë se niveli i pjesëmarrjes së gruas në shoqëri është drejtpërsëdrejti i lidhur me nivelin e zhvillimit të një shteti.

Kur jemi të kyçur në politikë, me gratë si vendimmarrëse aktive, ne ndihmojmë krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe një demokracie më kuptimplotë. Forcimi i  rolit të gruas në sektorët ekonomik, politik dhe atë shoqëror të një shteti është kusht thelbësor për rritje të ardhshme ekonomike dhe gjenerimin e ideve të reja dhe inovative. Gruaja është pjesë e barabartë e shoqërisë, bashkëpërgjegjëse e zhvillimit të saj, bartëse e proceseve dhe shoqëritë konsiderohen të përparuara nëse pozita e saj është e barabartë.

Zonja dhe Zotërinj;
Të nderuar pjesëmarrës të Forumit,


Jemi mbledhur së bashku që të gjejmë zgjidhje për këto çështje të rëndësishme.
Shoqëritë tona e meritojnë të jetojnë në prosperitet dhe ne duhet të dëshmojmë kurajën dhe vullnetin që ta realizojmë këtë vizion.

Ju faleminderit!