Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në mbrëmjen e bamirësisë të shoqatës Down Syndrome Kosova

Të nderuar pjesëmarrës,
Kjo mbrëmje e veçantë nuk mund të fillonte më bukur sesa me performancën emocionuese që na dhuruan fëmijët, të cilët me talentin dhe zemrat e tyre prej muzikantësh, na përcollën mesazhin më të fuqishëm të kësaj nate, që ëndrrat nuk njohin kufij.

Ju përgëzoj për performancën tuaj dhe ju them që prej sonte unë jam fansja juaj numër 1.
Kam nderin t’i bashkohem kësaj nisme të fisme që në qendër të saj ka mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të qytetarëve të barabartë të vendit tonë, qytetarëve të prekur nga sindromidown. Nismë kjo e cila nëpërmjet ndërtimit të qendrës për këtë komunitet, synon t’ju garantojë atyre të ardhme të ndritshme, të mbushur përplot mundësi, që në ditët e para, që në hapat e tyre të parë.

Personat e prekur nga sindromidown kanë veçantitë e tyre, siç i kemi të gjithë ne. Të gjithë jemi unikë. Ndryshimet tona janë vlerat tona që ne i sjellim shoqërisë. Andaj një shoqëri e shëndoshë është ajo shoqëri gjithëpërfshirëse, që i njeh, i mbron dhe i promovon vlerat e qytetarëve të saj, pa dallim.

Jam e bindur se të gjithë ne së bashku, siç jemi sonte, duke shprehur përkushtimin dhe obligimin qytetar dhe atë institucional, do të arrijmë si shoqëri të ndërmarrim të gjitha masat e hapat e nevojshëm, ashtu siç parashihet edhe me ligjet dhe kushtetutën e vendit tonë, për t’ju përgjigjur nevojave të personave të prekur me sindromindown, për t’ju garantuar atyre kujdesin e nevojshëm dhe të domosdoshëm.
 
Ditë më parë, pashë një mesazh sensibilizimi shumë të bukur, që në fokus kishte letrën e një nëne të re shtatzënë, fëmija e të cilës ishte me sindromëndown.

Frika e saj e artikuluar në pyetjen se çfarë jete do të kishte fëmija i saj, gjeti përgjigjen nga fëmijë të prekur nga sindromidown nga cepa të ndryshëm të botës, të cilët i treguan kësaj nëne se fëmija i saj do të mund të bëjë shumë gjëra, do mund ta përqafojë atë, do të mund të shkojë në shkollë si të gjithë të tjerët, të vrapojë, të punojë, të fitojë parat e veta dhe me këto para të jetojë vetëm. Ata i treguan kësaj nëne se, me raste, do të jetë e vështirë, gati e pamundur por i treguan edhe se kështu është për të gjithë nënat. Ata i treguan kësaj nëne, se fëmija i saj do të jetë i lumtur, dhe ajo vet, do të jetë e lumtur me fëmijën e saj.

Në Kosovë, 18 deri 35 foshnje në vit lindin me sindromindown. Ne mbajmë në dorën tonë lumturinë e tyre. Mos t’ju imponojmë kufizime e limite të cilat ata nuk i kanë. Jeta e tyre përcaktohet nga pritshmëritë tona, të jemi mendjehapur dhe të mos lejojmë të bëjmë kompromise me të ardhmen e tyre.

Personat e prekur me sindromindown mund të japin kontributin e tyre në shoqëri, si të gjithë të tjerët, ne e kemi për obligim t’ju ofrojmë atyre këtë mundësi.

Vlerësoj lart punën e palodhshme dhe besimin e palëkundur që organizata “DownSyndrom Kosova” ka bërë për tetë vite me radhë, duke ju ofruar personave të prekur nga sindromidown dhe familjeve të ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme.

Vlerësoj gjithashtu dhe kontributin e komunitetit të biznesit, të cilët së bashku po  kthejnë në realitet ëndrrat e tyre dhe të familjeve të tyre, por kemi ende për të bërë për t’ju ofruar personave të prekur me sindromindown vendin e merituar në shoqëri dhe për t’ju ofruar atyre të gjitha mundësitë që ju garanton jetë dinjitoze.

Prandaj, ndërsa shënojmë Ditën Botërore të SindromitDown, bashkojuni nismën së organizatës “DownSyndrome Kosova” për ndërtimin e qendrës që do të ofrojë shërbime për komunitetin e personave të prekur me sindromindown, duke ofruar kontributin tuaj.

Integrimi i personave të prekur nga sindromidown në shoqëri është rruga e vetme e jona, është alternativa e vetme, për të ardhmen të cilën jemi përkushtuar që  ta ndërtojmë. Le ta bëjmë këtë, realitet, së bashku!

Prezenca e përfaqësuesve të institucioneve të të gjitha niveleve tregon më së miri përkrahjen tonë, së pari njerëzore e pastaj edhe isntitucionale.
Ju priftë e mbara!