Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në manifestimin për shënimin e Ditës së Tokës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në një manifestim organizuar në Obiliq, për nder të shënimit të 22 Prillit, Ditës së Tokës. E shoqëruar nga ministri i Ambientit, Dardan Gashi, përfaqësuesja e Ambasadës së SHBA, znj.Emilia Puma, dhe kryetari i komunës së Obiliqit, Mehmet Krasniqi, Presidentja Jahjaga ka mbjellë disa fidanë dhe ka vizituar një ekspozitë të pikturave me temë nga ambienti të nxënësve të komunës së Obiliqit.

Në vijim po sjellin fjalimin e Presidentes Jahjaga në këtë manifestim:
 
Jam e lumtur që sot së bashku e shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Tokës, kur festohet harmonia e natyrës dhe tokës.
 
E vetëdijshme për rolin që ka kauza ambientaliste në funksionim e shtetit tonë të ri, gëzohem të jem në pozitë për të ndikuar pozitivisht dhe në mënyrë aktive në këtë proces kaq vital për brezin e sotëm dhe atë që do të vijë.
 
Dua të shfrytëzoj këtë ngjarje për të rikujtuar dhe ritheksuar se qytetari duhet të jetë në qendër të mbrojtjes së ambientit dhe se ai duhet të jetë pikë referimi në çfarëdo përpjekjeje në këtë fushë.
 
Duke mësuar nga praktikat e vendeve të tjera demokratike, duhet të jemi të vëmendshëm që të gjitha politikat në sferën e ambientalizmit të ideohen dhe të zbatohen në konsultim direkt me qytetarin dhe nevojat e tij. Institucionet mund të jenë bartësit, por qytetarët janë udhëheqësit e vërtetë!
 
Sot dëshiroj që ta ritheksoj rëndësinë që ka kujdesi individual dhe institucional në Kosovë, jo vetëm për hapësirat e gjelbra, por posaçërisht edhe për lumenjtë dhe liqenet në vendin tonë, si dhe implikimet në aspektin ekonomik dhe të sigurisë.
 
Shteti i Kosovës duhet t’i riafirmojë vetes në një ditë sikur kjo përgjegjësinë që ka për vënien në zbatim të plotë të sundimit të ligjit, për të ruajtur dhe mbrojtur ambientin tonë, por edhe për të sanksionuar të gjitha aktet dhe veprimet që e dëmtojnë atë.
 
Si Presidente e Republikës së Kosovës dhe si aktiviste e dikurshme e kauzës ambientaliste, ju ftoj sot që të gjithë bashkë të bëhemi ndryshimi që duam të shohim. Ju ftoj që të na shërbejë kjo ditë dhe ky aktivitet, si  mobilizim për një ambient të pastër  dhe një të ardhme të qëndrueshme.
 
Ju faleminderit!