Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në konferencën “Drejtësia në Drejtësi”

Qytetari i Kosovës dhe të drejtat dhe liritë janë themeli i rendit kushtetues dhe juridik të shtetit tonë.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar pjesëmarrës,


Qytetari i Kosovës dhe të drejtat  dhe liritë janë themeli i rendit kushtetues dhe juridik të shtetit tonë.

Qytetarët duan jo vetëm t’i kenë por edhe t’i realizojnë të drejtat kushtetuese dhe ne si përfaqësues të institucioneve, por edhe si profesionistë, po kontribuojmë në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe në sundimin e ligjit.
 
Angazhohemi që ta ngritim besimin në sistemin tonë të drejtësisë dhe të ndihmojmë në krijimin e traditës për të qenë në shërbim të qytetarëve pa dallim.
 
Krijimi i një gjyqësie transparente, të depolitizuar, të pakorruptuar dhe të përgjegjshme ndaj secilit qytetar është nxitje dhe standard për të fituar besimin e palëkundshëm në institucionet e drejtësisë. Ndërtimi dhe reformimi i vazhdueshëm i sistemit të drejtësisë është synimi i përpjekjeve tona për të ndërtuar shtet të mundësive të barabarta, ku sundon ligji dhe zbatimi i tij.
 
Krahas ndërtimit të kapaciteteve dhe të institucioneve efikase,  angazhohemi për qasje të të gjithë qytetarëve në drejtësi. Një praktikë e mirë në këtë drejtim - që është rezultat i bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës, shoqërisë civile dhe profesionistëve - është dhënia e drejtpërdrejtë e këshillës juridike nëpërmjet qendrave lëvizëse, të parapara të veprojnë në pjesët më të thella rurale të Kosovës,
 
Këto  qendra do të  ndërmjetësojnë në zgjidhjen e kontesteve dhe çështjeve të tjera juridike nëpërmjet rrugës institucionale. Është përkushtim yni kushtetues dhe përkushtim imi personal të ndërtojmë një shtet gjithëpërfshirës, shtet me sundim të ligjit  dhe aplikimin e paanshëm të tij.
 
Krahas  ndërtimit të besimit që duhet të zhvillohet me forcimin e sistemit të drejtësisë, është edhe edukimi i qytetarëve  që t’u drejtohen institucioneve dhe të kërkojnë drejtësi
 
Synimi ynë, është të ndërtojmë dhe të vetëdijesojmë qytetarët për një proces drejtësie që garanton respektimin e të drejtave të të gjithëve, por që rezervon të drejtën që drejtësia të jetë e paanshme dhe që askush nuk është mbi ligjin .
 
Ju dëshiroj punë të mbarë në këtë tryezë sepse rezultati i saj, krahas përpjekjeve të tjera që po bëhen për të ndërtuar shtetin e së drejtës, inkurajon mijëra palë të kontesteve dhe halleve të ndryshme në mbarë vendin të gjejnë mbështetje te ligji dhe te institucionet.
 
Ju faleminderit!