Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në Institutin Gjerman për Studime të Jashtme DGAP

Kam nderin që po takohemi sot këtu, në Berlin, në këtë institucion të rëndësishëm, në kohën kur po e përcaktojmë të ardhmen e Ballkanit dhe të vendeve veç e veç të tij, duke provuar që t’i japim fund periudhave të gjata të tranzicionit me qëllim të ndërtimit të demokracisë – përmes thellimit të reformave tona të brendshme – dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në rrugët tona respektive drejt të ardhmes më të mirë.

Kam nderin posaçërisht që ndodhem këtu në Berlin - në qytetin e qytetarëve të botës – një shembulli të ndërtimit të paqes dhe të mirëkuptimit - të rrëzimit të mureve të ndarjes, që ka ndihmuar në bashkimin e njerëzve dhe ndërtimin e një bote më të sigurt.

Po takohemi në kohën kur Ballkani Perëndimor, me shpresë, po ndryshon qasjen ndaj Evropës, në kohën kur ne - vendet e vogla të tij - po e kuptojmë se rruga e mirëqenies dhe e zhvillimit është rruga e integrimeve dhe bashkëpunimit. Shpresoj ta kemi menduar secili prej nesh, veç e veç, se pengesat që sot mund t’i bëjmë njëri-tjetrit do ta pamundësojnë edhe një gjeneratë të re për t’u zhvilluar normalisht dhe për ta ndryshuar botën e tyre.

Marrëdhëniet në Ballkan, ndërmjet shteteve, vazhdojnë të jenë delikate, të rënduara dhe me mosbesim. Ne ende nuk kemi arritur të ndërtojmë një urë lidhëse mes nesh, pavarësisht se në një dekadë të tërë të fundit kemi bërë hapa të rëndësishëm përpara duke ndryshuar një perceptim të gabuar për njëri-tjetrin. Megjithatë, ajo që ka qenë e paimagjinueshme për t’u arritur - dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë - brenda vetëm një viti është shndërruar në suksesin më të madh, sepse ideja se integrimi evropian nënkupton bashkëpunim dhe marrëveshje - ka dominuar.

Të dyja vendet tona, që aspirojnë anëtarësimin në BE, e kanë kuptuar drejt se përmes dialogut mund të zgjidhen problemet e hapura, duke lënë anash idenë e hegjemonisë dhe duke mësuar që të dëgjojmë njëri-tjetrin, që ta kuptojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë bazat e bashkëpunimit. Ne kemi kërkuar një mënyrë të daljes nga impasi për të hapur rrugët tona respektive drejt anëtarësimit në BE, duke respektuar njëri-tjetrin pa e harruar të kaluarën tonë të dhimbshme, por duke i dhënë fuqi punës drejt të ardhmes më të mirë.

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë e mundur, sepse alternativa jonë e vetme ka qenë BE-ja, që e ka bërë të qartë se anëtarësimi nënkupton edhe ndërtim të marrëdhënieve të mira fqinjësore, dhe zhvillimi i përgjithshëm është i ndërlidhur me tejkalimin e dallimeve. Gjithashtu, ka qenë e mundur sepse zhvillimi i shoqërive tona nuk mund të mbetej peng i mosmarrëveshjeve tona dhe humbjes së shansit për të ecur përpara. Dialogu është parë si e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet tona, që kanë rënduar jetën e qytetarëve tanë dhe gjithsesi e kanë bllokuar rrugën tonë.

Proceset në Ballkan, veçanërisht ato në dekadën e fundit, janë të pakthyeshme, për aq sa është i pakthyeshëm realiteti i krijuar në Kosovë dhe për aq sa është e pakthyeshme rruga evropiane e Kosovës.

Dhe kjo rrugë është rrugë e përbashkët e shteteve të Ballkanit, e ndërthurur, e ndërvarur dhe e kushtëzuar nga bashkëpunimi ynë – megjithëse është rrugë individuale e secilit shtet veç e veç, që kërkon ndërtim marrëdhëniesh reciproke. Nuk mund të ketë zhvillim të përgjithshëm në Ballkan dhe as edhe anëtarësim të një vendi të caktuar në BE, pa zgjidhur paraprakisht problemet ndërmjet nesh – vendeve të Ballkanit Perëndimor. BE-ja nuk është vend ku zgjidhen problemet tona, por një vend ku ndërtohet e ardhmja jonë evropiane dhe ku dallimet tona shndërrohen në përparësi e bashkëpunimi ynë në një vlerë të rëndësishme për të gjithë anëtarët e kësaj familjeje.

Prandaj rruga jonë është e kushtëzuar. Fillimisht nga reformat tona të brendshme, që bëhen për hir të qytetarëve tanë, pa dallim – reforma që nënkuptojnë ndërtim të shteteve të bazuara në ligj dhe rend dhe reforma që ngrisin vetëdijen e secilit qytetar për të ardhmen e tij. Ato janë gjithsesi të ndërthurura ndërmjet nesh, sepse luftimi i dukurive negative në shoqëritë tona, të krimit të organizuar dhe krimit ndërkufitar nuk lidhet me kufijtë tanë, por me rrjetin që mund të zgjerohet përtej tyre duke e bërë të domosdoshme ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta për t’i mundur këto dukuri.

Ne e kemi bërë të ditur përkushtimin tonë në Kosovë për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në ligj. Por, ne përkushtimin tonë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet ta përkthejmë në vepër më konkrete, sepse nuk duam që të cilësohemi si një njollë e zezë në hartën e Ballkanit. Ne vazhdojmë të sfidohemi nga fenomeni i korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësisht se kemi ngritur institucione të caktuara dhe gjithashtu ligje të fuqishme që i luftojnë këto dukuri dhe pavarësisht punës së përbashkët që po bëjmë, fillimisht në zvogëlimin e këtyre tendencave dhe më vonë në zhdukjen e tyre. E pranojmë se nuk kemi arritur të bëjmë aq sa do të dëshironim, por vlerësojmë se si shoqëri kemi kapacitete dhe aftësi për ta fituar këtë betejë. Nuk duam të matemi me shoqëritë e tjera që kanë dukuri të tilla të shtuara, sepse matësi për shtetin tonë janë vetë qytetarët tanë. Dhe perceptimin e tyre për dukuritë negative ne po i shndërrojmë në betejën e përbashkët për t’i mundur ato.

Por, këtë luftë, që ka konsensusin e plotë të shoqërisë në Kosovë, ne po e bëjmë së bashku me misionin evropian për sundimin e ligjit, EULEX, që vazhdon të jetë partneri më i rëndësishëm i joni. Ne jemi shtet vetëm pesë vjet, me institucione të reja të shtetit, po ndërtojmë kapacitete për t’u përballur plotësisht me të gjitha sfidat e mëdha – me të cilat shtetet e tjera, që sot janë të fuqishme, janë përballur me kohë. Prandaj, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimeve të tjera të rënda, na duhet ende ndihma e EULEX-it dhe na duhet mbështetja evropiane. Ne e kemi nisur këtë proces së bashku dhe besoj se së bashku do ta përfundojmë.

Rruga jonë në BE është e kushtëzuar në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në Ballkan, që nënkupton respektimin e vlerave të shoqërive tona respektive dhe që gjithashtu nënkupton respektimin e integriteteve të shteteve tona. Marrëdhëniet e mira nuk ndërtohen vetëm me nënshkrimin e marrëveshjeve, por me zbatimin e tyre në praktikë dhe gjithsesi në pranimin e mëvetësisë së secilit prej shteteve tona.

Përparimi në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të bëhet përmes vlerësimit të zbatimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve. Kapitull për kapitull, hap pas hapi! Duke e vlerësuar arritjen në secilën prej pikave të marrëveshjes dhe duke e përmbyllur me sukses secilën fazë të zbatimit deri në përfundimin e saj. Kosova dhe Serbia duhet ta ndërtojnë një raport partneriteti, të bazuar në respektim dhe njohje të ndërsjellë, si një hap i fundit drejt anëtarësimit në BE. Asnjë shtet aspirues për t’u anëtarësuar në BE, nuk duhet ta pengojë shtetin tjetër në këtë proces dhe kjo veçanërisht ndërlidhet me Kosovën dhe Serbinë. Prandaj, njohja ndërmjet dy shteteve, përmes marrëveshjes përfundimtare, do të duhej të hapte rrugën e të dyja vendeve për t’u integruar në BE. Familja evropiane nuk mund të lejojë pengesat në rrugën e shteteve aspiruese, sepse do të bllokonte zhvillimin e mëtejmë dhe do të krijonte një tjetër fazë të mosmarrëveshjeve në Ballkanin Perëndimor, duke penguar zhvillimin e përgjithshëm të tij.

Kosova nuk është vend që bashkëqeveriset dhe as që ndan sovranitetin e saj me askënd tjetër. Ajo pranon bashkëpunimin me secilin shtet dhe sovranitetin e saj e ka të ndërlidhur me BE-në. Kosova nuk është shtet që bashkorganizon qeverisjen e saj me asnjë shtet tjetër, por që respekton të drejtën e secilit shtet për t’u përkujdesur për komunitetin e tij, jashtë kufijve të tij, duke respektuar parimet dhe normat demokratike ndërkombëtare. Dhe Kosova nuk është shtet i askujt tjetër, përveç i qytetarëve të saj, të barabartë – me të gjitha liritë e garantuara me Kushtetutë.

Unë e kuptoj se ndryshimet nuk mund të bëhen menjëherë dhe pa dridhje në shoqëritë tona. Ndryshime që njohin këto realitete të krijuara në Ballkan! Por ato duhet të nisin prej nesh – sepse gjeneratat e ardhshme nuk mund të mbesin peng i marrëdhënieve tona të ftohta dhe peng i mungesës së dëshmisë së lidershipit. 

Duke e ndërtuar një shoqëri demokratike, ku vlerat njerëzore janë më të rëndësishme dhe ku diversiteti është pasuri e saj, Kosova si një shtet i ri në Evropë ka ndarë vlerat e përbashkëta me secilin vend tjetër të BE-së. Ne kemi vuajtur në të kaluarën nga mungesa e respektit të ndërsjellë mes njerëzve dhe gjithashtu nga trajtimi i pabarabartë dhe nuk duam të përsërisim historitë. Po synojmë të ndërtojmë një shtet gjithëpërfshirës, ku kulturat do të bashkëjetojnë mes vete – duke rikthyer fillimisht besimin e luhatur mes komuniteteve dhe duke rilidhur komunikimin e shkëputur mes tyre. Ne duam të sigurohemi se kemi vendosur dialogun me qytetarët tanë, kudo në secilin cep të vendit, pavarësisht komunitetit, sepse duam që Kosova të jetë vend i shtetasve të barabartë, që siguron parimet e përgjithshme shoqërore - të sundimit të ligjit dhe përparimit, të tolerancës dhe respektimit të dinjitetit njerëzor.

Ne nuk duam të shohim pamjet e të kaluarës sërish, ato të ikjes së shtetasve tanë jashtë Kosovës në kërkim të një jete më të mirë, kudo qoftë, sepse një ditë ne do të përfundojmë në Evropë, të barabartë me secilin shtet tjetër, të zhvilluar dhe të përparuar. Mijëra qytetarë tanë që sot kanë kërkuar strehim në vendet e Evropës, qoftë edhe në Gjermani, janë njerëz që kanë ikur në kërkim të një jete më ndryshe, pa e kujtuar se historia e ikjeve dhe skenave të dhunës ka përfunduar njëherë e përgjithmonë.

Ne jemi shtet i ri, në ndërtim, shtet që kërkon mënyrat për të ngjallur interesimin e investitorëve dhe të kapitalit të huaj, që do të sjellin sigurinë, mirëqenien dhe përparimin e përgjithshëm të vendit. Dhe ne do të garantojmë më shumë stabilitet, funksionim të shtetit ligjor dhe rend. Do të sigurojmë një fuqi të edukuar punëtore dhe shumë vullnet e dëshirë për të ndryshuar trendin e sotëm të papunësisë që ekziston. Kjo gjeneratë e të rinjve, që rritet dhe zhvillohet me bashkëmoshatarët evropianë ose kudo tjetër në botë, duhet të gëzojë një perspektivë të qartë dhe një të ardhme të sigurt si çdo i ri tjetër në Evropë. Ne gjithashtu duam një perspektivë të qartë evropiane, një derë të hapur dhe të sigurt, me liberalizim të vizave për qytetarët tanë, që të vetmit në gjithë Evropën, kanë mbetur pa liri të lëvizjes. Nuk duam shkurtim rruge por trajtim të barabartë me të gjithë të tjerët.

Proceset në Kosovë deri sot kanë qenë të përcaktuara nga marrëdhënia e ftoftë me Republikën e Serbisë, që ka mbajtur peng qytetarët e komunitetit serb, qoftë në veri apo jug të vendit, dhe një marrëdhënie që ka synuar ta mbajë të ngrirë konfliktin në Ballkan. Zhvillimi dhe përparimi ynë ka qenë i kushtëzuar nga kjo marrëdhënie e ngrirë, që ka ndikuar edhe në raportin e BE-së me Kosovën. Por kjo marrëdhënie tani po vihet në binarë, në rrugë të pakthim të përfundimit të shtetit të Kosovës dhe rrumbullakësimit të integritetit territorial të tij, pa ndarje, pa shkëputje dhe pa rivizatim të kufijve në baza etnike.

Pjesa veriore e territorit të Republikës së Kosovës, rrjedhimisht e pa kontrolluar nga institucionet vendore dhe as ato ndërkombëtare për vite të tëra, do të rikthehet në normalitet pas zgjedhjeve komunale që do të mbahen brenda pak ditësh. Komuniteti serb në veri të territorit do të jetë pjesë e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Kosovës, me garanci të plota për një jetë normale dhe të përparuar për ta. Së bashku me të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës, të barabartë dhe me mundësi të barabarta për të gjithë.

Për herë të parë në 14 vjetët e fundit Kosova do të organizojë zgjedhjet komunale në tërë territorin e vet, njëkohësisht, duke ofruar mundësinë për të gjithë qytetarët që të votojnë lirshëm, pa frikë dhe në mënyrë demokratike për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitim dhe legalë. Përtej kësaj faze, komunitetet do të gëzojnë të drejtat e tyre, të drejta të gjera komunale, që ju mundëson atyre zhvillimin dhe përparimin në kuadër të Kosovës. Vendosja e sundimit të ligjit edhe në këtë pjesë të Kosovës nënkupton largimin e të gjitha strukturave paralele dhe ilegale, edhe politike edhe atyre të sigurisë, që janë mbështetur për një periudhë të gjatë kohore nga Serbia. Republika e Serbisë duhet të heqë dorë nga përkrahja e tyre dhe të lejojë shtrirjen e institucioneve të Kosovës në këtë pjesë të territorit, duke mundësuar zhvillimin dhe vendosjen e rendit kushtetues.

Republika e Serbisë duhet të heqë dorë nga ideja për ndarjen e Kosovës, në vija etnike. Duhet të heqë dorë nga të menduarit se Kosova mund të shkëmbejë pjesë të territorit të saj, për aq sa duhet të heqë dorë nga ideja e ngrirjes së konfliktit, në cilëndo pjesë të territorit të vendit. Askush nuk mund të vendosë në emër të Kosovës, për asnjë pjesë të territorit të saj, përveç vetë qytetarëve të Kosovës dhe udhëheqësve legjitimë të tyre. Askush nuk ka të drejtë ta vendos fatin e së ardhmes së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, përveç vetë atyre – njerëzve të lirë dhe të barabartë të shtetit të Kosovës.

Ky është parakushti themelor për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet e Kosovës dhe për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të mirë. Ne duam që përmes procesit të zgjedhjeve të dëshmojmë se jemi shtet i organizuar, funksional, gjithëpërfshirës dhe demokratik, që ka përgjegjësitë e tij për secilin qytetar të vendit, pa marrë parasysh përkatësinë e tij.

Zgjedhjet komunale në Kosovë do të instalojnë shtetin e së drejtës brenda këtij shteti. Do të vendosin tërësinë territoriale të Kosovës, pa përdorim të forcës, por me votën e lirë të qytetarëve të vendit. Dhe askush nuk mund të pretendojë se cilado pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, qoftë në veri, i takon dikujt tjetër. Komuniteti serb në Kosovë do të jetojë në kuadër të Republikës së Kosovës, me të njëjtat të drejta si të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës. Të garantuar dhe të sigurt, pa barrikada dhe pa bllokada të tjera, pa lëvizje ilegale nëpër territorin e Kosovës. Ata do të votojnë dhe do të votohen, ashtu siç ua garanton këtë të drejtë edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, për të zgjedhur njerëzit e tyre legjitim e legalë, që do të punojnë për Kosovën dhe në kuadër të Kosovës.

Kjo është Kosova e sotme dhe vizioni i saj për të ardhmen është i qartë dhe i trasuar. Vend i zhvilluar. Vend me standarde evropiane. Që ndërton paqen dhe stabilitetin me të gjithë. Që respekton vlerat e secilit dhe kërkon respektim të saj. Një vend i qytetarëve të tij që vendosin për fatin e vet, lirshëm dhe pa frikë. Një shtet anëtar i ardhshëm i BE-së, që kontribuon globalisht.