Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në ceremoninë e diplomimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë

Në kuadër të reformimit të sistemit gjyqësor përmbushja e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve është një parakusht qenësor në realizimin e plotë të këtyre reformave, duke dhënë rezultate për krijimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, efikas dhe të paanshëm.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,
Të nderuar pjesëmarrës,
Të nderuar mysafirë,
 
Në kuadër të reformimit të sistemit gjyqësor përmbushja e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve është një parakusht qenësor në realizimin e plotë të këtyre reformave, duke dhënë rezultate për krijimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, efikas dhe të paanshëm.
 
Ndërtimi dhe forcimi i shtetit të së drejtës me respektim të parimeve të qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, është një prej qëllimeve parësore që do t’i realizojmë së bashku, duke siguruar që parimi i kontrollit dhe respektimi i ndarjes së pushteteve janë parakusht themelor për krijimin e Kosovës si shtet funksional dhe demokratik për të gjithë qytetarët, pa dallim feje, kombi apo përkatësie gjinore. 
 
Emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, sigurimi i kushteve fizike, materiale por edhe profesionale e tregojnë gatishmërinë tonë të përbashkët që të jemi pjesë e vlerave evropiane duke krijuar institucione të pavarura, efikase dhe të paanshme politikisht.
 
Presidentja e vendit, në kuadër të mandatit kushtetues dhe ligjor, është garant për gjyqësorin e pavarur, të paanshëm dhe efikas. Sundimi i ligjit është në qendër të përpjekjeve të mia për të krijuar një shtet të qëndrueshëm dhe për të kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.
 
Kosova është duke punuar për forcimin e sundimit të ligjit, trajtimin e korrupsionit dhe sfidat e zhvillimit ekonomik. Ne jemi të brengosur që sot në zyrën e vet është vrarë Drejtori i Arsimit të Prishtinës. Kjo është e patolerueshme dhe shpreh nivelin e ulët të marrëdhënieve në shoqëri që flet se ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit si parakusht për jetë të qetë e normale për secilin qytetar. 
 
Ne jemi duke e përditësuar të gjithë legjislacionin tonë për t'u bërë më efikas në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të gjitha dukurive negative.
 
Integrimi evropian në vete ngërthen një sërë hapash të cilat duhet t’i realizojmë. Në këtë drejtim, me punën tuaj të ndershme, profesionale dhe me integritet, me respektimin dhe zbatimin e pa kompromis të ligjit, ju siguroni se në Kosovë askush nuk është mbi ligjin.
 
Ju siguroj se në rrugëtimin tuaj të ardhshëm, do të punojmë që të krijojmë një gjyqësor profesional, të pavarur dhe efikas duke qenë një shembull pozitiv i vlerave në sundimin dhe zbatimin e ligjit.
 
Suksese në punën tuaj.