Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga me rastin e muajit për vetëdijesimin për kancerin në gji

Të nderuara zonja dhe zotërinj,Të rralla janë familjet që nuk janë prekur nga sëmundja e kancerit. Kanceri mbetet ndër shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë në vendin tonë. Të gjithë njohim njerëz, familjarë, të afërm dhe miq, me të cilët e kemi ndarë dhembjen që e shkakton një sëmundje e tillë. Sa herë kemi dëgjuar për diagnostifikim të tillë, sa prej nesh kanë thënë se ka shpresë dhe sa prej nesh mbase janë dorëzuar?

Në këtë muaj, unë u bashkëngjitëm të gjithë atyre familjeve në mbarë Kosovën dhe juve këtu me qëllim që të kemi shpresë. Sot në mëngjes, para se të bashkëngjitesha në këtë ecje plot dinjitet dhe vendosmëri, vizitova pacientë në Repartit të Onkologjisë, të cilët me ngulm po u bëjnë ballë sfidave të kësaj sëmundjeje.

Është kërkesë e tyre dhe e imja që të ngrisim vetëdijen për atë që mund ta bëjmë për të luftuar kancerin, përfshirë kancerin në gji. Jam këtu po ashtu për të kërkuar nga shoqëria jonë që të jenë pranë njerëzve që janë prekur nga kjo sëmundje.

Beteja me kancer është e gjatë dhe e vështirë, dhe është një luftë që nuk luftohet dhe fitohet vetëm. Por, siç demonstron kjo ecje sot, miqtë tanë të prekur nga kjo sëmundje kurrë nuk do të jenë vetëm.

Si Presidente e Kosovës do ta keni mbështetjen time. Unë do t'i inkurajoj institucionet e Kosovës që të japin përkrahje e tyre në këtë luftë kundër kësaj sëmundje.

Atë që kemi mësuar në dekadat e fundit falë përparimit të mjekësisë dhe teknologjisë, është se kanceri mund të mposhtet. Për ta mposhtur, beteja ndaj tij duhet të jetë e përditshme. Ajo duhet të fillojë ashtu siç sugjeron kjo ecje solidare, me vetëdijesim se kanceri është sëmundje që nuk zgjedhë. Kanceri na prekë të gjithëve.

Andaj, dua të ritheksoj edhe një herë rëndësinë që bartë zbulimi i hershëm i kancerit. Diagnostifikimi i hershëm nënkupton fund të suksesshëm, sidomos te kanceri në gji. Apeloj që të veproni sot, të mos e lëni për nesër.

Që sot, udhëhiqni me shembull në familjen dhe rrethin tuaj. Nënshtrojuni kontrolleve të rregullta mjekësore sepse Zbulimi i Hershëm është i barabartë me mbijetesë.

Ju faleminderit!