Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga me rastin e 235 vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Republika e Kosovës është një projekt i suksesshëm i vullnetit të shprehur lirshëm dhe i ndihmës e përkrahjes ndërkombëtare. Ne, asnjëherë nuk do ta harrojmë përkrahjen e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do të harrojmë intervenimin e NATO-s në vitin 1999, si një vepër humanitare që e shpëtoi popullin tim nga gjenocidi, që i ktheu në shtëpitë e veta më shumë se gjysmën e qytetarëve të shpërngulur me dhunë.

Prishtinë 05 korrik 2011
 
I nderuari ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës
Të nderuar zyrtarë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të nderuar pjesëtarë të KFOR-it amerikan.
Të nderuar udheheqës të insitucioneve të Republikës së Kosovës
Të nderuar  ambasadorë të shteteve mike të akredituar në Kosovë.
Të nderuar staf diplomatik dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Kosovë.
Të nderuar oficerë dhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë të Kosovës
Të nderuar eprorë dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës
Të nderuar pjesëtarë, oficerë dhe ushtarë të KFOR-it 
Të nderuar pjestarë të EULEX-it
Të nderuar të pranishëm
 
Urimet më të përzemërta të popullit të Kosovës dhe të mijat, për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendit që civilizimit njerëzor i dha dhe po i jep kontributin më të rëndësishëm në zhvillim dhe në përparim, në modelin e demokracisë e veçanërisht në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në botë.
 
Përkujtojmë se hapja e Zyrës Amerikane këtu në Prishtinë, ishte një ngjarje vendimtare për popullin dhe për vendin tim në kohën kur liria dhe pavarësia e Republikës së Kosovës ishte një ëndërr dhe një synim gjithëpopullor, realizimi i së cilës me hapjen e kësaj Zyreje tashmë shihej si e sigurt, duke pasur parasysh angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, në avancimin e proceseve demokratike, të drejtave të popujve të lirë e sovran, të barabartë dhe të dinjitetshëm me kombet e tjera të Botës.
 
Republika e Kosovës është një projekt i suksesshëm i vullnetit të shprehur lirshëm dhe i ndihmës e përkrahjes ndërkombëtare. Ne, asnjëherë nuk do ta harrojmë përkrahjen e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do të harrojmë intervenimin e NATO-s në vitin 1999, si një vepër humanitare që e shpëtoi popullin tim nga gjenocidi, që i ktheu në shtëpitë e veta më shumë se gjysmën e qytetarëve të shpërngulur me dhunë.
 
Të nderuar të pranishëm,
 
Republika e Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të barabartë pa dallim përkatësie etnike, fetare, racore apo tjetër sepse ky është vullnet i yni dhe ky është parim i patjetërsueshëm i civilizimit dhe i kulturës evropiane, së cilës ne si popull dhe vend i përkasim. Republika e Kosovës do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe sa më parë që kjo të ndodhë aq më mirë do të jetë për rajonin, për Evropën dhe për popullin tim. Është ky një sukses i yni i përbashkët që nuk ka alternativë, i institucioneve të vendit, i ndihmës dhe i angazhimit ndërkombëtar.
 
Modeli amerikan në ndërtimin e vendit, në konceptin e civilizimit e të gërshetimit të kulturave, në angazhimin në politikën ndërkombëtare mbetet një inspirim dhe një përvojë e mirë për vendin tim, në ndërtimin dhe në zhvillimin në të gjitha fushat e sidomos në rolin që Republikës së Kosovës i takon në rajon dhe në politikën ndërkombëtare, duke ndërtuar raporte të mira me të gjitha vendet fqinje, duke marrë pjesë në të gjitha projektet dhe në nismat rajonale dhe globale.
 
Ne jemi bërë faktor paqeje dhe stabiliteti, shembull i bashkëpunimit të mirë, i  respektimit të integritetit, sovranitetit dhe subjektivitetit të secilit vend dhe popull, duke ndërtuar marrëdhënie që janë në funksion të lëvizjes së lirë të njerëzve, të ideve dhe të kapitalit.
 
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një vend lider sepse patën njerëz me vizion, njerëz të përkushtuar ndaj vendit dhe ndaj njerëzimit e sidomos liderë që iu përkushtuan realizimit të idealeve në të cilat besuan se janë më të mirat për vendin dhe për kombin. Ne kemi shumë të mësojmë nga jeta e këtyre njerëzve të mëdhenj. Të përmendi thënien e presidentit Vudrov Vilson, aq të dashur e të respektuar këtu, për angazhimin që secili popull duhet vet të vendos për fatin e tij si një e drejtë e pamohueshme.
 
Ai pati thënë: “America is not anything if it consists of each of us. It is something only if it consists of all of us”.
 
Dhe në një rast tjetër: “The ear of the leader must ring ëith the voices of the people”.
 
Këto dy parime që unë i kam për zemër si Presidente e vendit, që Kosovën mund ta ndërtojmë vetëm së bashku, duke lënë më një anë interesat parciale dhe duke pasur konsensus të plotë për interesat kombëtare dhe shtetërore të vendit.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Më lejoni këtë fjalë timen ta përfundoj duke kujtuar një thënie të presidentit amerikan, Teodor Ruzvelt:
 
“ Do what you can, where you are, with what you have.”
 
Pra të jemi të bindur se duke pasur zërin e popullit në veshët tuaj dhe duke punuar për atë që mundemi, aty ku jemi dhe me atë që kemi, ne të gjithë së bashku si liderë dhe si qytetarë do ta bëjmë punën më të mirë dhe të sukseshme për vendin dhe për njerëzimin.
 
Së bashku me gjithë popullin amerikan, Gëzuar!