Fjala e U.D. të Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në ceremoninë e hapjes së “Javës së të Drejtave të Viktimave të Krimit”

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi mbajti sot një fjalë në ceremoninë e hapjes së “Javës së të Drejtave të Viktimave të Krimit”.

Në vijim po e japim fjalën e plotë të z.Krasniqi:

I nderuari Kryeprokuror,

I nderuari zëvendësambasador,

I nderuari kryetar i Gjykatës, z.Hasani,

Zonja dhe zotërinj


Kurdo që na bie hise ta dëgjojmë fjalën VIKTIMË, para kuptimit të saj etimologjik, na zgjohet në ndërgjegje ndjenja e goditjes së pafajësisë. Shkaqet dhe rrethanat nën të cilat, për rrjedhojë, rezulton krimi, shuarja e jetës jashtë ligjësive të natyrshmërisë, mund të jenë nga më të ndryshmet, po, nuk ka dhe as mund të ketë justifikim e përligjje njerëzore.

Që kur është krijuar kjo botë si duket është ngjizur edhe konfliktualiteti. Përherë ka një ANTI sikundër ka edhe një PRO. E hasim këtë antagonizëm që nga homo sapiensi në gjithë veprimtarinë jetësore: në punë, në arte, në kulturë dhe mbi të gjitha, në aspiratën për liri dhe në jetën shoqërore.

Mohuesit e lirisë dhe të jetës së tjetrit, si rekrutë nekrofilie, jo rrallë, e bëjnë të pashmangshme ndeshjen, përplasjen, luftën.

Tehut të saj bien viktimat, pafajësitë, siç thotë urtia shqiptare: “nga shtatë deri shtatëdhjetë” ose, siç e provuam ne: nga embrioni i palindur e deri te më i moshuari, më i mbeturi.

Është e ditur tashmë se pothuajse kudo në botë ka individë, organizma e asociacione nga më të ndryshmet, që kanë për objeksion e mision mbrojtjen e çdo gjëje të gjallë: nga amfibet, bimët e gjallesat, madje edhe të specieve helmuese e grabitqare, e deri tek njeriu, pa dallim moshe, gjinie, race, feje e kombi.

Në vorbullën e luftërave, ne vetëm mund ta marrim me mend, po nuk e llogarisim dot se ç’humbje pëson bota dhe njerëzimi. Midis atyre të pafajshmëve vritet drejtësia, humanizmi e potenciali i ardhmërisë, vriten gjenitë e shkencës e të dijes, të artit e të kulturës, të sportit e të ndërtimit.

I nderuar Kryeprokuror,

Zonja dhe zotërinj,


Duke ia dedikuar këtë javë Të Drejtave të Viktimave të Krimit, ju, sa dëshmoni pietetin dhe nderimin për viktimat, po aq dëshmoni respektin për të drejtat e tyre dhe ky respekt, më e pakta, është një përpjekje korrigjimi e qortimi për të gjallët. Një korrigjim e qortim që doemos do të shndërrohet në përvojë e mësim.

I gjendur sot këtu, midis jush, jam i nderuar që mund ta deklaroj të hapur Javën e Të Drejtave të Viktimave të Krimit dhe, duke ju përshëndetur të gjithë juve, ju bashkohem me tërë qenien në këtë veprim dinjiteti.