Fjala e U.D. të Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi në ceremoninë e dekretimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi mbajti sot një fjalë në ceremoninë e dekretimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, organizuar sot në Prishtinë.

Në vijim po japim fjalën e plotë të z.Krasniqi:

Të nderuar gjykatës, prokurorë,

Nder dhe respekt për gjithë ju, të pranishëm, vendorë dhe ndërkombëtarë,

Zonja dhe zotërinj,


E konsideroj ditë të rëndësishme, çast të rëndësishëm, ceremoninë e sotme, jo thjesht për të bërë një ritual zyrtar, një akt administrativ, por, para së gjithash, një akt mbushës për një sektor që paraqet ekuilibër dhe funksion shteti: aktin e betimit tuaj solemn.

Unë ju them se gjithë historia e njerëzimit, gjatë mijëvjeçarëve, njeh kategorinë morale të mëshirës e të solidarizimit, dy virtyte të çmueshme e humane, po është e mangët në një plan tjetër, në planin e të drejtës.

Sikundër e dini, E drejta, Drejtësia, më se një herë ka qenë mekanizëm në duart e të Fortit; më se një herë ka qenë mjet shpërdorues në dëm të të dobëtit e të pafuqishmit; më se një herë është shfaqur si tepri revanshi dhe hakmarrjeje.

Nuk është në dorën time tani të mbaj leksione në lëmin për të cilin ju jeni profesionistë, po nuk e heq nga mendja faktin se E drejta, Drejtësia, është një univers vlerash që përthekon gjithë lëmenjtë e jetës shoqërore dhe, më duket kuptimplote përzgjedhja e simbolit të Peshores si shenjë identifikuese të punës suaj e të sivëllezërve tuaj gjithandej rruzullit.

Duke vënë në ekuilibër veprimin dhe gjasmën, pandehmën, ju përudhni mbi bazë faktesh aspiratën e gjykimit të paanshëm e të pandikuar nga motive jashtëligjore.

Të nderuar gjykatës dhe prokurorë,

E them me kënaqësi, se, ndihem i nderuar që sot, mund t’ju uroj, në këtë akt të betimit solemn dhe nuk kam sesi të mos e kujtoj formulën lapidare të revolucionit frëng: liberte, fraternite, egalite (liri, vëllazëri, barazi ose drejtësi). Një trinom që më shumë se kudo tjetër i bën nder dhe i duhet një shteti të ri siç është Kosova, atdheu ynë i dashur.

Urime dhe suksese!