Fjala e presidentit Thaçi në memorialin përkujtimor kushtuar 14 serbëve të vrarë në Grackë të Lipjanit

Sot vura kurorë lulesh në këtë memorial për të përkujtuar viktimat e një krimi të tmerrshëm të ndodhur 17 vite më parë, kur u vranë 14 qytetarë serbë duke punuar në arë.

Sot lutem me dhimbje dhe shpreh edhe një herë keqardhje për të gjitha viktimat gjatë dhe pas luftës, të të gjitha komuniteteve.

Ky akt kriminal ka qenë veprim jo vetëm kundër viktimave dhe familjeve të tyre, por akt kundër lirisë se Kosovës dhe të ardhmes demokratike të saj.

Prandaj çdo krim duhet të zbardhet dhe të ndëshkohet.

Krimi është krim kundër kujtdo qoftë të jetë bërë apo nga kushdo qoftë që është kryer.

Gjithashtu, duhet të zbardhet njëherë e përgjithmonë fati i të gjithë të zhdukurve, qofshin shqiptarë, serbë apo romë apo çfarëdo komuniteti tjetër.

Të gjithë kemi përgjegjësi të punojmë në këtë drejtim.

Kemi përgjegjësi para familjeve të tyre dhe së ardhmes së fëmijëve tanë.

Ne duhet ta ndihmojmë njeri-tjetrin.

Dhimbja e çdo nëne është e njëjtë për humbjen e familjarëve të vet.

Sot, kur po punojmë për të ndërtuar paqe, për pajtim dhe bashkëpunim në mes të popujve të rajonit tonë, është e rëndësishme të theksojmë se për pajtim të sinqertë është e nevojshme drejtësia.

Si Kosovë, kemi arritur shumë në këto 17 vite që nga lufta.

Kemi filluar të ndërtojmë ura të komunikimit dhe të bashkëpunimit.

Një ditë të afërt kjo do të sjellë besim dhe pajtim mes komuniteteve dhe popujve.

Vetëm duke ngadhënjyer drejtësia do të ndodhë pajtimi, e pajtimi do të ndodhë në një të ardhme të afërt, sepse ka vullnet dhe ka energji pozitive

Vetëm pajtimi dhe bashkëpunimi e bën Kosovën dhe rajonin evropian.