Fjala e Presidentit Sejdiu në Qendrën për Hulumtime të Evropës Juglindore të Universitetit të Ankarasë

Të nderuar të pranishëm,Jam shumë i privilegjuar që më jepetrasti të flas këtu në Ankara, si President i Republikës së Kosovës, para njëauditori kaq të nderuar.

Republika e Kosovës më 17 shkurt bënë dy vjet nga shpallja e pavarësisë.
Vendi im i pavarur në një periudhë të shkurtër, dëshmoi se mund të marrë
të gjitha përgjegjësitë për proceset e paqes dhe të zhvillimeve jo vetëm në
kuadër të politikave të brendshme, por edhe në ato rajonale dhe në organizata dhe institucione ndërkombëtare.

Vizioni i Republikës së Kosovës sot është paqja, zhvillimi dhe perspektiva
evropiane, si dhe bashkëpunimi me të gjithë popujt dhe vendet që çmojnë
vlerat e lirisë.

Në vigjilje të përvjetorit të dytë të pavarësisë, të gjitha vendet që investuan
politikisht, financiarisht dhe ushtarakisht për lirinë dhe pavarësinë e
Kosovës, mund të ndjehen krenare. Populli i një vendi që para një decenieje kanosej të zhdukej tërësisht nga dhuna e krimi shtetëror, sot është falënderues
për të gjithë ata që e mbështetën dhe e ndihmuan, për të pasur
mundësinë të ndërtojë dhe zhvillojë një shoqëri të lirë, tolerante dhe
demokratike.

Shfrytëzoj rastin këtu, të theksoj me mirënjohjen e thellë, kontributin e
madh që ka dhënë Turqia në kuadër të NATO-s, gjatë fushatës ajrore kundër caqeve ushtarake të Serbisë, gjatë vitit 1999. Po kështu, edhe kontributi i kontingjentit turk të KFOR-it në Kosovën e pasluftës, është një indikator i mundësive që ofron angazhimi turk në stabilizimin e rajonit dhe në
bashkëpunimin miqësor me Kosovën.

Auditor i nderuar,
Shteti ynë deri tani është njohur nga 65 shtete të pavarura nga të gjitha kontinentet.

Ne kemi hapur 21 ambasada të Republikës së Kosovës në vende që
na kanë njohur, në mesin e të cilave është edhe ambasada në Ankara. Ne
shpresojmë se në vazhdimësi do të vijnë njohje të reja, që reflektojnë stabilitetin dhe respektin që po fiton shteti ynë me politikat e tij zhvillimore.
Është tejet e rëndësishme të theksohet që pavarësia e Kosovës nuk ka krijuar
probleme dhe tensione, por ka krijuar stabilitet në vend dhe ka reflektuar
pozitivisht për paqen në rajon. Ky stabilitet është i lidhur me përkushtimin shtetndërtues të institucioneve të Kosovës.

Në këtë aspekt e vlerësojmë edhe angazhimin e mëtejmë të KFOR-it, i cili ndihmon sigurinë e  vendit tonë dhe EULEX-it, i cili ka rol mbështetës në sferat e sigurisë dhe të sundimit të ligjit. EULEX-i, që erdhi në vend pas shpalljes së pavarësisë, ka përkrahjen e plotë të institucioneve të Kosovës dhe jemi të bindur se do të vazhdojë të japë kontribut të vlefshëm në funksionimin e duhur të pushtetit ligjor në mbarë Kosovën.

Siç është e njohur, ne kemi ende probleme në Veri të Kosovës dhe tashti së
bashku me Zyrën e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (ICO) kemi përgatitur
një Strategji për të vënë në funksion ligjshmërinë dhe rendin e plotë edhe
atje, sikur në tërë territorin e vendit. Veriu i Kosovës, në të cilin ka një shumicë të minoritetit serb, është i atakuar nga veprimet e paligjshme, krimi i
organizuar dhe korrupsioni. Dëmet për ekonominë e Kosovës nga këto
veprime dhe tregtia e hirtë, janë të konsiderueshme. Por, ne jemi të vendosur,
që veprimi ynë edhe mëtej, të jetë plotësisht i mbështetur në një proces
avancues demokratik.

Auditor i nderuar,
Kushtetuta e vendit tim, siç është e njohur, u ndërtua mbështetur në rekomandimet e të Dërguarit Ndërkombëtar për Statusin e Kosovës, Presidentit Martti Ahtisaari. Ajo u jep garanci dhe shanse të barabarta të gjitha komuniteteve, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, fetare apo gjinore.

Në këtë kuadër, tashmë Parlamenti i Republikës së Kosovës ka miratuar
gjithë korpusin ligjor, i cili bën të mundur pjesëmarrjen e komuniteteve pakicë
në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, duke u garantuar atyre ulëse të
rezervuara në parlament dhe në qeveri, numër ulësesh disa herë më i madh
se përqindja e tyre në strukturën e përgjithshme të popullsisë. Këtë të drejtë
e realizon edhe komuniteti turk, i cili participon në të gjitha nivelet e qeverisjes, duke pasur edhe një ministër në qeverinë qendrore.

Për të avancuar pjesëmarrjen e komuniteteve në qeverisjen lokale, para pak
kohe, janë themeluar edhe disa komuna të reja, dhe me këtë rast ka filluar
funksionimi edhe i komunës së Mamushës, një vendbanim me një koncentrim
të theksuar të minoritetit turk, në të cilin për herë të parë në nëntorin e vitit të kaluar janë themeluar institucionet e komunës nëpërmjet zgjedhjeve të lira e demokratike.

Me këto politika ne kemi dashur të nxisim pjesëmarrjen sa më të madhe në
vendimmarrje dhe në ndërtimin e një Kosove të lirë dhe demokratike të të
gjitha komuniteteve dhe të gjithë qytetarëve. Në këtë aspekt, komuniteti
turk po jep një kontribut të veçantë në zhvillimin demokratik të vendit tonë.
Dua të theksoj më këtë rast, se përkundër një vullneti të madh dhe
veprimeve të institucioineve tona që favorizojnë pjesëmarrjen e qytetarëve
serbë të Kosovës, një pjesë e tyre ende ngurrojnë të integrohen plotësisht në
shtetin dhe shoqërinë demokratike të Kosovës. Ata u janë shtruar presioneve
nga politika destruktive e Beogradit, e cila fatkeqësisht nuk ka ndryshuar në
raport me Kosovën.

Në takimet e shumta që kam pasur me autoritete të larta ndërkombëtare,
prore kam theksuar nevojën e një presioni më të madh ndaj qeverisë së
Beogradit, në mënyrë që serbët e Kosovës të lihen të lirë, të bëhen plotësisht
pjesë e ndërtimit të së ardhmes së tyre në Republikën e Kosovës.

Ne shprehim brengën se sot, edhe më shumë se 10 vjet pas përfundimit të
luftës ku pësuan mijëra civilë, Beogradi nuk e kryen detyrimin ndërkombëtar
për t’i dorëzuar kriminelët e luftës në Gjykatë të Hagës. Qeveria e
Beogradit nuk bënë asgjë për të ndriçuar fatin e civilëve të zhdukur në
Kosovë, të cilët u morën nga shtëpitë e tyre gjatë luftës. Kjo gjendje na mban
në shqetësim të vazhdueshëm, mbasi familjarët përditë kërkojnë të dinë mbi
fatin e të afërmve të tyre.

Auditor i nderuar,
Një sfidë e veçantë për vendin tim mbetet zhvillimi ekonomik. E ardhmja e
vendit është ngushtë e lidhur me hapat që do të bëjmë në rritjen e prodhimit
dhe të aftësisë konkurruese në tregun e brendshëm dhe ndërkombëtar. Për
këtë qëllim, Kosova është duke krijuar një kornizë ligjore të mirë, e cila i krijon mundësinë e zhvillimit të tregut të lirë dhe rritjes së konkurrencës së
efektshme.

Bruto prodhimi vendor i Kosovës është rritur për një shkallë
modeste prej 5.4% më 2009, ndërsa investimet publike janë shtuar për 194%.

Por, ne duhet të bëjmë më shumë mbasi investimet në sektorin privat,
megjithëkëtë, kanë shënuar rënie prej 10%. Të ardhurat vjetore për kokë
banori në Kosovë ende mbesin 1700 euro.

Shoqërinë e Kosovës vazhdon ta atakojë papunësia, e cila mbetet në shkallën
afër 40% , dhe është e kuptueshme, më së shumti këtë e ndjejnë të rinjtë. Po
provojmë të nxisim investimet, krahas fuqizimit të mekanizmave për
konkurrencë më të lartë.

Strategjia e zhvillimit ekonomik të vendit synon të favorizojë krijimin e ndërmarrjeve të vogla dhe mesme. Tani, mbasi Kosova është anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, ne presim një mbështetje më të madhe për zhvillimin ekonomik.

Me politikat tona po nxisim investime të rëndësishme në sektorin e energjetikës, sepse vendi ka rezerva të mëdha të linjitit që mund të përdoren
për të mirën e popullsisë.

Një potencial i madh i pakrahasueshëm që mund të ndihmojë zhvillimin e
Kosovës është popullsia e saj, më e reja në Evropë. Mbi 50% e popullsisë janë më të rinj se 27 vjeç. Ne jemi duke bërë programe dhe investime që t’u ofrojmë atyre më shumë mundësi për arsimim dhe punësim, duke qenë të
përkushtuar që arsimimi i tyre të jetë i pajtueshëm me kërkesat e tregut të
punës.

Unë jam i bindur se këta të rinj do të jenë të aftë të konkurrojnë me bashkëmoshatarët në tregun e Bashkimit Evropian dhe atë global. Ka një interesim edhe nga institucionet arsimore turke, veçmas nga universitetet, për të ndërtuar kapacitete të reja arsimore-shkencore në Kosovë. Unë dua me këtë rast t’i inkurajoj këto synime, sepse siç e thashë, ne kemi shumë të rinj që duan të mësojnë dhe të jenë të aftë të konkurrojnë në një treg ndërkombëtar të punës.

Duke pasur parasysh synimin tonë për tërheqjen e sa më shumë investimeve
nga jashtë, ne konsiderojmë se Turqia mund të ketë një rol të veçantë në
këtë aspekt, me anën e investimeve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë në
Kosovë. Një prezencë më aktive e investimeve turke do të mirëpritej dhe për
këtë arsye unë thërras investitorët turq të mos ngurrojnë për të investuar
dhe punuar në Kosovë.

Mendoj, se motivimi i investimeve të kapitalit turk ka edhe bazë
psikologjike, për arsye të lidhjeve të gjata dhe historike ndërmjet Turqisë
dhe Kosovës.

Ndikimi i Turqisë në bashkëpunimin rajonal mund të inkorporohet edhe në
kuadër të projekteve infrastrukturore të Kosovës dhe të vendeve të rajonit.
Disa nga korridoret dhe veçmas Korridori VIII, paraqesin interes edhe për
ekonominë e Turqisë. Autostrada Morinë – Merdar, në ndërtimin e së cilës
do të merr pjesë edhe kompania turke Enka, duhet të jetë një motivues në
këtë drejtim. Prandaj investimet në projekte infrastrukturore rajonale, do të
mundësonin rritjen e bashkëpunimit të Turqisë, krahas Kosovës, edhe me Shqipërinë, Maqedoninë e Bullgarinë, por tërthorazi edhe me Malin të Zi dhe
Bosnjë e Hercegovinën.

Auditor i nderuar,
Vendi im ka dëshmuar përkushtimin e vet serioz përkitazi me
bashkëpunimin me vendet fqinje, duke i kontribuar kështu paqes dhe stabilitetit të përgjithshëm në rajon. Janë krijuar marrëdhënie të mira me të
gjitha vendet fqinje, me Shqipërinë, me Malin e Zi, me Maqedoninë, me të
cilat janë vendosur edhe marrëdhënie diplomatike. Është mbyllur cikli i
vënies së marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe vendeve të rajonit,
me përjashtim të Serbisë, me të cilën ne jemi shumë të interesuar dhe të
përkushtuar që të vëmë marrëdhënie të njëjta. Ne kemi të zgjatur dorën për
të bashkëpunuar edhe me Serbinë mbi parimet e njohura të respektimit reciprok të shteteve sovrane. Shpresojmë se një ditë edhe qeveria serbe do të vlerësojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj, se duhet të shikojë përtej tragjedive dhe fatkeqësive të shkaktuara, për çfarë në
Beograd, duhet të kenë sens të pranojnë përgjegjësinë.

Synimi ynë për integrime, na detyron të punojmë më shumë. Ne në Kosovë
jemi të vetëdijshëm edhe për të metat që e kanë penguar përmbushjen më të
shpejtë të kritereve për integrime në BE. Si edhe rajoni, as Kosova nuk është
imune ndaj korrupsionit, funksionimit jo të efektshëm të pushtetit ligjor apo
krimit të organizuar. Megjithatë, ne e dimë se përkushtimi ynë i thellë për të
garantuar funksionimin e shtetit ligjor në mbarë Kosovën do të triumfojë
mbi këto sfida.

Unë mirëpres propozimin e Komisionit Evropian për t’i sjellë qytetarët tanë
më afër atyre të Bashkimit Evropian me anë të një dialogu për vizat me
Kosovën, si dhe vlerësimin e këtij komisioni se një marrëveshje për tregtinë
do t’i jepte shtysë Kosovës drejt përmbushjes së kritereve ekonomike.

E vlerësoj shumë të rëndësishëm intensifikimin e pranisë së Kosovës në iniciativa rajonale, sepse integrimi rajonal i paraprin procesit të integrimit në BE. Në fund të vitit 2008, unë dhashë idenë e krijimit të një ‘Mini Schengen’-i në këtë pjesë të Evropës duke i ftuar liderët e vendeve të rajonit të mbështesin këtë iniciativë. Me kënaqësi mund të them se Turqia dhe Kosova tashmë kanë liberalizuar regjimin e vizave. Frytet e këtij liberalizimi po i ndjejnë tashmë qytetarët e të dy vendeve tona.

Auditor i nderuar,
Kosova dhe Turqia, sikur edhe vendet tjera të rajonit, kanë synime të përbashkëta për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Po kështu, popujt dhe
vendet tona, kanë shumë interes dhe mundësi për të zgjeruar
bashkëpunimin në shumë fusha. Fati ka bërë që në Turqi të jetojë një numër
i madh qytetarësh, të cilët emigruan nga presioni dhe dhuna nga Kosova dhe
këtu gjetën shtëpinë e re të tyre. Po kështu në Kosovë jeton një komunitet
turk. Këto potenciale duhet parë si një mundësi edhe më e madhe afrimi dhe
si një shans për të zgjeruar bashkëpunimin me interes për të dy vendet tona.
Kjo vizitë e imja në Turqi, që po realizohet me ftesë të Presidentit Gul, është
një rast i mirë që ne bashkërisht me udhëheqësit e shtetit Turk, të krijojmë
mundësi të reja për thellimin e bashkëpunimit tonë, duke e zgjeruar më tej
këtë bashkëpunim në rajon e më gjerë.

Në këtë synim ne kemi punuar shumë dhe do të punojmë me përkushtim
edhe në të ardhmen.