Fjala e Presidentit Sejdiu në Akademinë Përkujtimore për Fadil Feratin

Presidenti Sejdiu mbajti fjalën e rastit në akademinë komemorative organizuar me rastin e ndarjes nga jeta të Fadil Feratit, kryetar i Komunës së Istogut dhenënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

E nderuara familje Ferati, Z. Kryeministër,
Ministra e Deputetë,
Të nderuar miq dhe bashkëpunëtorë të Fadil Feratit,
Të nderuar qytetarë të Gurrakocit, të Istogut e të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,

Çdo vit, janari na tubon për të shënuar data të dhembjes e të pikëllimit. Çdo vit, në janar, ne ritheksojmë dhembjen dhe mallin që ndiejmë për miqtë tanë, për bashkëpunëtorët dhe veprimtarët e shumtë të çështjes sonë kombëtare e shtetërore, të cilët, ndër vite, i ndau prej nesh ky muaj i zi.

Pak ditë më parë, ne shënuam kështu së bashku katërvjetorin e shkuarjes në amshim të Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Sot jemi mbledhur për t’i shprehur nderimet tona më të larta njërit prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, z. Fadil Ferati, të cilin do ta përkujtojmë gjithmonë si një prind të mirë, si një veprimtar të palodhshëm dhe si një udhëheqës të shquar e me vizion.

Fadil Ferati, kryetar i Komunës së Istogut dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkohet me vargun e pasosun të burrave të mëdhenj të Kosovës, të cilët ikën nga kjo botë e vdekshme pikërisht në janar. Që nga 31 janari i vitit 2010, Fadili ynë i takon botës së përjetësisë, aty ku e presin bashkudhëtarët e së njëjtës kauzë, luftëtarët e së njëjtës idealizmë, Ibrahim Rugova, Vëllezërit Gërvalla, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu,
Edmond Hoxha, Enver Maloku, Smajl Hajdaraj, Kadri Zeka e shumë burra të tjerë të Kosovës.

Të gjithë këta, në vite e në rrethana të ndryshme, ikën nga kjo botë, pasi kishin bërë vepra të mëdha trimërie e urtësie, pasi kishin dhënë gjithçka nga vetvetja për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Fadil Ferati ndahet nga ne në janar dhe bashkohet përgjithmonë me plejadën e madhe të njerëzve që jetuan, punuan dhe vdiqën për një ideal e për një qëllim – për Kosovën e pavarur e sovrane, për Kosovën e demokracisë evroperëndimore.

E nderuara familje Ferati,
Të nderuar pjesëmarrës,


Fadil Ferati iu bashkua lëvizjes sonë të madhe për liri dhe pavarësi që në fillimet e saj. Unë nuk dua të marr rolin e biografit, por besoj se më lejohet të ritheksoj se Fadili ishte ndër të parët në Komunën e Istogut që iu bashkua lëvizjes sonë të madhe për liri, pavarësi e demokraci. Në fillim të vitit 1990, Fadili u zgjodh anëtar i Kryesisë së Aktivit të LDK-së në vendlindjen e tij, në fshatin Gurrakoc. Që nga ai moment, me punën dhe përkushtimin e tij Fadili kaloi nëpër të gjitha strukturat e hierarkisë së LDK-së.

Në dhjetor të vitit 1999, Fadili u caktua bashkëkryesues i Këshillit Komunal në Istog deri në zgjedhjet lokale të vitit 2000. Pas fitores së LDK-së në këto zgjedhje, në mbledhjen e parë konstituive, delegatët e Kuvendit Komunal në Istog, me shumicë votash, e zgjodhën kryetar të Kuvendit Komunal, njësoj sikurse edhe më pas në zgjedhjet lokale të vitit 2002. Pakti i mirëbesimit në mes qytetarëve të Komunës së Istogut dhe liderit të tyre, Fadil Feratit, u fuqizua edhe në dy palë zgjedhje të tjera. Në zgjedhjet e vitit 2007, me votën e drejtpërdrejtë të qytetarëve, Fadili u zgjodh sërish kryetar i Komunës së Istogut, ashtu si edhe në zgjedhjet e fundit lokale, të parat pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, të mbajtura në vjeshtën e vitit 2009.
Ndërkaq, që nga viti 2006, ai ka qenë njëri nga prijësit dhe pesë nënkryetarët e LDK-së, detyrë të cilën e kreu derisa mbylli sytë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Për fat të keq, vjeshta e fitores së tretë të Fadil Feratit qe vjeshta e tij e fundit; Fadili iku pa e dhënë betimin para përbërjes së re të këshilltarëve të Komunës së Istogut, pa e përmbushur vullnetin e qytetarëve të Istogut që t’u prijë edhe në vitet e ardhshme.

Kjo do të jetë sigurisht një brengë më shumë për ne të gjithë, një peng që do të na rëndojë gjatë ditëve, javëve a viteve që na kanë mbetur. Fadili mori edhe një herë besimin e qytetarëve, por vdekja qe më e shpejtë se Ai…
Fadil Ferati kultivoi me xhelozi të thellë filozofinë  politike të LDK-së dhe të Ibrahim Rugovës. Unë kam pasur fatin të bashkëpunoj ngushtë me Fadilin në angazhimet tona të përbashkëta politike e kombëtare. E kam pasur vite me radhë përkrah në punën time, ndaj edhe pikëllimin sot e kam të thellë.
Fadili ishte kolos i Kosovës, i cili asnjëherë nuk diti dhe nuk deshi të ndalet e as të trembet në luftën e madhe e të gjatë për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Fadili ishte dhe mbeti vullkan i gjallë prej të cilit shpërthente gjithmonë zjarr i gjallë atdhetarie. Ai rrezatoi energji të paskajshme gjatë gjithë shekullit të punës së tij, ai u shqua për punën tepër të përkushtuar për ndërtimin e institucioneve të vendit dhe në udhëheqjen e tyre në mënyrën më të mirë, duke dëshmuar në vazhdimësi urtësinë politike, që ishte një virtyt dallues i tij.

Me shkuarjen në amshim të Fadil Feratit, Istogu mbeti pa prijësin, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës pa një veprimtar të devotshëm, i cili dha shumë për lirinë dhe për punën e madhe gjatë rezistencës sonë të përgjithshme, ashtu edhe në vitet e pasluftës, kur ai punoi pareshtur për ndërtimin dhe forcimin e institucioneve tona shtetërore. Pra, Kosova mbeti pa një burrë të madh të saj.

Të tillë ne do ta kujtojmë dhe do ta nderojmë Fadilin përherë, duke mos ngurruar asnjëherë ta theksojmë krenarinë që ishim bashkudhëtarë të një idealizme – pavarësisë së Kosovës dhe forcimit të shtetit tonë.

Qoftë i përhershëm kujtimi për Fadil Feratin!
Zoti e bekoftë atë dhe familjen e tij!