FJALA E PRESIDENTIT SEJDIU NË 12-VJETORIN E BETEJËS SË LOXHËS

Sot është dymbëdhjetëvjetori i Betejës së Loxhës, në të cilën luftëtarët e lirisë, të udhëhequr nga kolonel Tahir Zemaj, shënuan njërën ndër fitoret më të lavdishme në luftën për çlirimin e Kosovës.

Të nderuar familjarë të dëshmorëve të Betejës së Loxhës,


Të nderuar luftëtarë të kësaj beteje të lavdishme,


Të nderuar deputetë, ministra dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Republikës së Kosovës,


I nderuar ambasador Lauka,


Bashkudhëtar dhe bashkëmendimtar të idealit të lirisë,


Përfaqësues të familjes së Presidentit Rugova,


Zonja dhe zotërinj,

 

Sot është dymbëdhjetëvjetori i Betejës së Loxhës, në të cilën luftëtarët e lirisë, të udhëhequr nga kolonel Tahir Zemaj, shënuan njërën ndër fitoret më të lavdishme në luftën për çlirimin e Kosovës. 


Ky përvjetor po e gjen Kosovën me shumë arritje, por edhe me shumë sfida. Republika e Kosovës është njohur nga 69 shtete demokratike anekënd botës, ka hapur 21 ambasada dhe dhjetë misione diplomatike, ka nënshkruar marrëveshje të ndryshme bilaterale me shumë vende mike. Kosova ka arritur gjithsesi rezultate të jashtëzakonshme, por, njëkohësisht, ballafaqohet me vështirësi ekonomike, me shkallë të lartë të papunësisë dhe me probleme të sigurisë në pjesën veriore të vendit, ku strukturat paralele serbe, të instruktuara drejtpërdrejt nga Beogradi zyrtar, vazhdojnë të shkaktojnë incidente e trazira të shpeshta, me qëllim që të dëshmojnë, siç pretendojnë ata, se Kosova është një vatër e krizës. 


Duke e pasur parasysh gjithë këtë gamë arritjesh e sfidash, theksojmë me bindje të plotë se kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës do të dalin të humbur sërish, ashtu siç kanë dalë edhe më parë, sepse bota po e kupton dita-ditës kush qëndron prapa tendencave për ta penguar progresin në Kosovë. 


Skenarët e shndërrimit të Kosovës në zonë muzgu janë të dënuar të dështojnë, sepse populli dhe institucionet e Republikës sonë kanë vizion të qartë ku duan të arrijnë. Së këndejmi, përsërisim fuqishëm se asnjë pengesë, të cilën mund të na qesin në udhë ata që e duan Kosovën pa qytetarët e saj, nuk do të na ndalojë dot derisa njëherë e përgjithmonë ta kemi realizuar idealin e bijave dhe bijve më të mirë të kombit, të cilët u flijuan për atdhe në Loxhë, në Koshare, në Drenicë, në Rrafshin e Kosovës, në Llap e Gallap, në Anamoravë e në të gjithë Kosovën. 


Siç e thoshte vazhdimisht Presidenti historik Ibrahim Rugova, Kosova e pavarur, e anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Evropian, dhe në miqësi speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është platforma jonë e vetme politike, është strategjia jonë shtetërore e nacionale. 


Tashmë, kur jemi në vitin e tretë të funksionimit të suksesshëm të pavarësisë së shtetit tonë, ne duhet t’i përqendrojmë të gjitha forcat tona, ta shkrijmë tërë mundin dhe dijen për ta bërë sa më të shkurtër edhe realizimin e pjesës tjetër të mbetur të programit tonë - anëtarësimin e Republikës së Kosovës në institucionet ndërkombëtare, në mënyrë që edhe Kosova të ketë vendin që e meriton në familjen e madhe të kombeve të lira të botës.


Dhe, vetëm kur ta kemi përmbyllur në tërësi këtë qëllim, do të mund të themi se vizoni politik i Ibrahim Rugovës dhe bashkëveprimtarëve të tij është përmbushur, se sakrifica legjendare e familjes Jashari është përdritësuar, se vepra titanike e trimave të Koshares, të Loxhës dhe të gjithë Kosovës është formësuar ashtu siç e kanë dashur ata vetë. 


Të dashur familjarë të dëshmorëve,


Zonja dhe zotërinj,

 

Strategu i fitores në Loxhë, kolonel Tahir Zemaj u privua nga jeta në një pritë klasike në fillim të janarit të vitit 2003. Bashkë me të ranë edhe i biri Enisi dhe kushëriri i tyre, po ashtu shumë i ri, aktivisti i devotshëm Hasan Zemaj. 


Asokohe, duke e dënuar ashpër këtë akt qyqar, Senatori Bob Doll theksonte se “vrasësit synojnë ta tërheqin Kosovën në nivelet e tyre të mafias, por nuk do të kenë sukses”. Ky besim i senatorit Doll po dëshmohet se ka qenë me vend. 


Republika e Kosovës, megjithëse jo pa vështirësi, po e ndërton sigurt shtetin e rendit e të ligjit, shtetin që garanton liritë dhe të drejtat themelore të njeriut për secilin qytetar të saj pa dallim etnie, besimi e bindjeje politike.
Në këtë përvjetor të Betejës heroike të Loxhës, përveç kolonel Tahir Zemajt, ne vlerësojmë lart veprën e të gjithë bashkëluftëtarëve të tij, të atyre që ranë në altarin e lirisë së atdheut dhe të atyre që mbijetuan për ta pritur ndërtimin e vendit, për të cilët vetë Tahiri gjithnjë shfaqte respekt të lartë: Rrustem Bruçin, Enver Alajn dhe Lumni Surdullin, pastaj të plagosurin Faruk Xhemajli, luftëtarët dhe eprorët e Brigadës 134, Sali Çekun, Nazif Ramabajën, Fadil Hadërgjonajn, Bajram Stojkajn, Esat Ademin, Cufë Kurtulajn, Rexhë Osajn e Shaban Shalën dhe gjithë komandantët dhe ushtarët që kanë marrë pjesë dhe kanë kontribuar në fitoren e Betejës së Loxhës.
 
Të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi përkujtimor,


Zonja e zotërinj,


Beteja e Loxhës është njëra ndër rrëfimet më madhështore për luftën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Edhe pse ishin të pajisur më keq me armë sesa kundërshtari, edhe pse numerikisht ishin më të paktë, luftëtarët e kësaj beteje treguan guxim, shkathtësi dhe vizion për ta fituar këtë përballje të ashpër. Duke e respektuar me përpikmëri hierarkinë, me një disiplinë të rrallë, të gjithë pjesëmarrësit e Betejës së Loxhës treguan trimëri të jashtëzakonshme dhe u bënë model i profesionalizmit dhe i qëndresës në gjithë luftën tonë çlirimtare.


Prandaj, Beteja e Loxhës sot kujtohet me krenari jo vetëm nga pjesëmarrësit e saj, po nga e tërë Kosova, sepse, pikërisht në këtë betejë, forcat e Millosheviqit morën një leksion të mirë të artit ushtarak. 


Lavdia e kësaj beteje bëhet më kuptimplote me faktin se Loxha e rrënuar me eskavatorët e pushtuesit, tashmë është rilindur si feniks, ashtu siç u rilind Kosova pas një lufte me pasoja tepër të rënda. Rimëkëmbja e Loxhës është simbol i rimëkëmbjes së Kosovës, është dëshmi se dashuria e një populli për liri është më e fortë se çfarëdo arme e pushtuesit.
 
Të nderuara familje Zemaj, Çeku, Bruçi, Surdulli e Alaj,


Të nderuar pjesëmarrës,

 
Sot, mbështetur në kompetencat dhe përgjegjësitë që me jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe në qëndrimin e shprehur nga Presidenti Rugova, unë kam vendosur ta dekoroj strategun e kësaj beteje të pavdekshme, kolonel Tahir Zemajn, me Urdhrin “Heroi i Kosovës”, me motivacion:


“Kolonel Tahir Zemaj tërë jetën dhe personalitetin e vet e shkriu për lirinë, pavarësinë dhe përparimin e Kosovës. Ai e udhëhoqi me mençuri Betejën e Loxhës dhe i solli vendit një fitore shumë të rëndësishme në luftën e përgjithshme të popullit të Kosovës për liri. 


Tahir Zemaj është emër që do të nderohet me pietet nga brezat që do të vijnë dhe do të kujtohet gjithmonë si një ushtar i zellshëm profesionist, si atdhetar që punoi me përulje për të mirën e atdheut. 


Kolonel Zemaj gjatë luftës u tregua burrë i sinqertë e trim, ndërsa pas mbarimit të saj njeri i pajtimit dhe i maturisë”.
 
Gjithashtu, unë kam marrë vendim t’i dekoroj me “Medaljen e Artë të Pavarësisë” dëshmorët Enver Alaj dhe Lumni Surdulli, me të cilën vjet e kam dekoruar bashkëluftëtarin e tyre Rrustem Bruçi. 


Diplomat dhe medaljet përkatëse familjarëve do t’u jepen në nje ceremoni të veçantë.. 


Zoti i bekoftë dëshmorët e Betejës së Loxhës!


Zoti i bekoftë të gjithë të rënët për lirinë e atdheut! 


Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqtë e saj kudo në botë!