FJALA E PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, ZONJËS ATIFETE JAHJAGA, NË PËRURIMIN E AUTOSTRADËS SË KOSOVËS

Kjo Rrugë është një autostradë moderne në funksion të afrimit të popujve dhe vendeve. Kjo rrugë na lidhë me Korridoret e mëdha evropiane. Na afron me Evropën, dhe Evropën e vendet e Lindjes i afron me Detin Adriatik dhe Detin Jon. Falë saj, popujt dhe vendet tona do të afrohen e bashkëpunojnë.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
 
I nderuari kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dr. Sali Berisha
 
Të nderuar kongresistë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotëri Eliot Engëll dhe zotëri Gary Peters,
 
I nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë,
 
I nderuari ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
 
E nderuara ambasadore e Republikës së Turqisë,
 
Të nderuar ambasadorë të vendeve mike në Kosovë,
 
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë,
 
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Përurimi i kilometrave të parë në territorin e Kosovës të Rrugës së Kombit, të ndërtuar me standarde dhe parametra modern, është filli i një vepre të dëshiruar dhe të pritur shumë gjatë që Kosova dhe Shqipëria po e realizojnë sot.
 
Po i shkurtojmë distancat dhe po e lehtësojmë komunikimin mes nesh. Po i krijojmë rrethanat që të zhvillohemi dhe të përparojmë më shpejtë për t’u bërë pjesë e familjes së madhe të popujve evropian. Për këtë ndjehemi shumë krenarë.
 
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, këtë rrugë po e ndërtojnë me mjetet e veta, duke demonstruar përkushtimin dhe angazhimin për çështjet parësore të ndërtimit të infrastrukturës rrugore që do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik dhe të përgjithshëm të kombit tonë.
 
Kjo rrugë është në funksion të ndërlidhjes së popujve dhe të shteteve. Është lidhja jonë në korridoret e rëndësishme evropiane.
 
Sot po tejkalojmë barrierat e fundit që penguan lëvizjen e lirë mes qytetarëve tanë për të qenë bashkë si të gjithë popujt që mbeshtesin vlerat evropiane dhe që ndërtojnë ura bashkëpunimi.
 
Jemi të përkushtuar që puna e qytetarëve tanë dhe të mirat që na i fali Zoti të jenë në funksion të mirëqenies dhe të përparimit të gjithëmbarshëm të popullit tonë.
 
Ne vazhdojmë të frymëzohemi nga idetë dhe veprat e mëdha të prijësve dhe liderëve të këtij vendi, që na dhanë dinjitet dhe që na bëjnë krenarë. Ne po trasojmë rrugën e vizionarëve që përcaktuan përparësitë, mjetet dhe kohën kur duhet të ndërmerren hapa që e ndryshojnë historinë.
 
I tillë ishte Presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, që krahas platformës për liri, pavarësi e demokraci e dha idenë për ndërtimin e rrugës Durrës-Prishtinë, si rrugë e cila pandashëm na lidhë ne. Kjo rrugë shkurton distancat dhe mundëson daljen më të shkurtër në detin Adriatik, një çelës i rëndësishëm i zhvillimit dhe përparimit tonë si shtet.
 
Ndërtimi i autostradës sipas standardeve evropiane me mjetet e buxhetit të shteteve tona, tregon përgjegjësinë dhe përkushtimin e institucioneve, si dhe mirëkuptimin e sakrificën e qytetarëve, që të gjitha mjetet e potencialin që e kanë ta vënë në funksion të zhvillimit, të mirëqenies dhe të stabilitetit.
 
Kjo përvojë i hapë rrugë ndërtimit të projekteve tona të përbashkëta dhe i ndërlidhë ato me tregun ndërkombëtar.
 
Politikat e koordinuara do të na bëjnë anëtarë të lirë, të barabartë dhe të  dinjitetshëm të Bashkimit Evropian.
 
Të nderuar qytetarë,

Kjo Rrugë është një autostradë moderne në funksion të afrimit të popujve dhe vendeve. Kjo rrugë na lidhë me Korridoret e mëdha evropiane. Na afron me Evropën, dhe Evropën e vendet e Lindjes i afron me Detin Adriatik dhe Detin Jon. Falë saj, popujt dhe vendet tona do të afrohen e bashkëpunojnë.
 
Ndërtimi i kësaj rruge është realizim i një ëndrre shekullore. Ishte ide e vizion i gjeneratave të tëra, është realizim i brezave të sotëm dhe dedikim për brezat e ardhshëm.
 
Është një vepër me të cilën krenohemi, një përkushtim konkret për politikat zhvillimore, është një vendim dhe një punë e mbështetur në forcat tona si një dëshmi se dimë të punojmë, të ndërtojmë, të bashkëpunojmë dhe të forcojmë vlerat e ndërsjella.
 
Republika e Kosovës vetëm tri vjet pas shpalljes së pavarësisë së saj është e gatshme të dëshmohet me projektet madhore. Shteti ynë do të shfrytëzoj portin e Durrësit dhe të Shëngjinit. Në një të ardhmen të afërtë ne do të lidhemi me korridorin e Tetë dhe me Korridorin e Dhjetë qe na lidh me vendet e tjera te rajonit.
 
Me këto projekte rrugore si dhe me projektet për lidhjet hekurudhore moderne ne vëmë në shprehje potencialin tonë si vend i rëndësishëm në udhëkryqet e drejtimeve të mëdha Lindje – Perëndim, një faktor i rëndësishëm i Ballkanit dhe i Evropës.
 
Qytetarë të nderuar,
 
Ne sot po e realizojmë një ëndërr. Një vepër të një vlere të pakrahasueshme morale që çon në afrimin e njerëzve dhe ju shërben qytetarëve dhe vendeve tona. Po e dëshmojmë se mund t’i përballojmë të gjitha vështirësitë dhe se mund ta ndërtojmë të ardhmen tonë.
 
Udhët dhe urat bashkojnë njerëzit.
 
Urime dhe ta Gëzojmë.