Fjala e Presidentes së Republikës së Kosovës zonjës Atifete Jahjaga në inaugurimin e Shoqatës së Grave Police të Kosovës

Kam kënaqësi të veçantë të inaugurojmë së bashku, Shoqatën e Grave të Policisë së Kosovës, që është kurorëzim i punës së palodhshme dhe i vendosmërisë e përkushtimit tuaj të palëkundur, për të qenë pjesë e forumeve profesionale ndërkombëtare, që ka për synim të forcojë institucionin e Policisë dhe te sigurojnë barazinë gjinore brenda tyre.

Ju përgëzoj për ketë sukses - rezultat i angazhimit shumëvjeçar me qëllimin parësor që shërbimet e sigurisë të jenë sa më profesionale dhe sa më afër secilit qytetar.
 
Policia e Kosovës vazhdon të mbetet njëri ndër institucionet më të besueshme dhe kjo është meritë e angazhimit të gjithsecilit për të krijuar një institucion që i shërben çdo qytetari, në mbrojtje të rendit dhe zbatimit të ligjit.

Policia e Kosovës është ndërtuar me standardet më të larta profesionale, të gjithëpërfshirjes së komuniteteve, me numrin më të lartë të grave në të, duke u bërë kështu institucioni më i afërt dhe më i prekshëm nga çdo kategori e shoqërisë.

Ka qenë pjesëmarrja e grave në polici që ka luajtur rol të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie ku çdo qytetar merr përsipër përgjegjësitë e tij dhe të saj, dhe jep kontributin e vet të pakursyer në ndërtimin dhe garantimin e shtetit ligjor.
 
Ka qenë pjesëmarrja e gruas në polici që ka sfiduar pikëpamjet se pjesëmarrja dhe angazhimi i grave në shoqëri është i kufizuar në fusha të caktuara.

Gruaja në polici dhe në struktura të tjera të sigurisë ka thyer tabutë se gratë nuk mund të kenë rol parësor kur bëhet fjalë për sigurinë e vendit, pasi që tradicionalisht një rol i tillë i është besuar burrave.
 
Me pikëpamjen dhe kontributin e saj, gruaja është vënë në qendër të mbrojtjes së çdo qytetari, të çdo grupi të margjinalizuar, të luftimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, të formimit të një shoqërie të drejtë, duke u përball dhe duke i tejkaluar me sukses të gjitha rreziqet shoqërore dhe profesionale që vijnë me punën. Gruaja në polici ka ndryshuar perceptimin e qasjes së qytetarëve në siguri duke e bërë atë një institucion gjithëpërfshirës.

Ju keni dëshmuar se roli i gruas në shtetin që jemi duke e fuqizuar çdo ditë e më shumë, është shumë domethënës, për ndërtimin e një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse që i përgjigjet nevojave të secilit qytetar.
 
Ka shumë shembuj nëpër botë ku gratë kanë dhënë kontribut në arritjen e paqes dhe vendosjen e sigurisë, shembull konkret janë gratë e Kosovës. Gjatë kohës së rezistencës paqësore ishin gratë ato që themeluan dhe udhëhoqën shoqërinë civile, ishte zëri i tyre që depërtoi izolimin e atëhershëm të Kosovës, vendosën themelet e miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet perëndimore.
 
Shumë i rëndësishëm ka qenë roli i gruas kosovare edhe gjatë luftës ku, përpos pjesëmarrjes aktive në luftë, ajo ka qenë shtylla e rezistencës përmes përkujdesjes që ka treguar ndaj fëmijëve, të moshuarve, të zhvendosurve brenda Kosovës.
 
Gruaja e ka mbajtur gjallë institucionin e familjes në çdo rrethanë e në çdo kohë.

Gjatë këtyre viteve të pas luftës kemi kaluar nëpër përvoja të ndryshme, kemi pësuar transformime të mëdha socio-ekonomike, kemi kaluar nëpër procese të ndryshme politike të udhëhequr nga një synim-  ndërtimin e një shoqërie, një shteti në shërbim të qytetarit pa dallim.

Por, ne kemi ende shumë punë për të bërë për të përmbushur synimin tonë për të qenë anëtarë të familjes evropiane dhe të strukturave ndërkombëtare të sigurisë. Prioritet për ne mbetet lufta kundër korrupsion e krimit të organizuar, nëpër të cilat ka kaluar çdo shtet në fazën e tranzicionit, e që po mbajnë peng të ardhmen e shtetit tonë.

Në këtë sfidë tonën për rend dhe ligj, roli i Policisë është kyç. Funksionalizimi i strukturave, si kjo Shoqatë, që forcojnë institucionin e Policisë, forcojnë edhe vet këtë luftë.

Kosova po ecën çdo ditë përpara në ofrimin e një shteti të fortë, që ofron mundësi e qasje për realizimin e çdo qytetari. Në këtë rrugë vazhdojmë të përballemi me sfida, por suksesin e kemi të garantuar, kur kemi një Polici gjithëpërfshirëse, sipas standardeve më të larta profesionale.
 
Prandaj, ritheksoj që pjesëmarrja e gruas në strukturat e policisë dhe institucionet e tjera të sigurisë dhe të drejtësisë do të forcojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe do të fuqizojë rrugëtimin tonë në ndërtimin e një shteti ku mbizotëron rendi dhe ligji dhe ku të gjithë qytetarët i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë e tyre, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare, racore apo gjinore.
 
Gruaja me rol vendimmarrës në institucionet e sigurisë është sinonim i një shoqërie të zhvilluar e demokratike. Është obligim i secilit prej nesh, të marrim përgjegjësit tona qytetare dhe institucionale, që të punojmë në ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit në të cilin sundon rendi dhe ligji.
 
Të dashura mike,

Ju përgëzoj për angazhimin dhe punën tuaj të palodhshme në shërbim të secilit qytetar të Kosovës, në çdo cep të vendit. Me punën tuaj, me kontributin e dhënë e keni bërë Kosovën një vend më të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim dhe kështu keni ngritur vetëdijen shoqërore mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së gruas në çdo qelizë të jetës së një shteti.

Ky sukses padyshim e ka renditur Kosovën në mesin e vendeve që mund te ofrojnë praktikat më të mira për shtetet e tjera në tranzicion të cilat nuk kanë arritur të bëjnë atë që ne bëmë këtu për vendin tonë - të krijojmë një institucion shtyllë që çdo ditë i kontribuon përmbushjes së vizionit për një Kosovë demokratike, për një shtet gjithëpërfshirës.

Ju dëshiroj suksese në punën tuaj dhe ju shpreh të gjithë mbështetjen dhe përkrahjen institucionale në funksionalizimin e Shoqatës së Grave Police të Republikës së Kosovës, në të gjithë atë që e keni përcaktuar si fushëveprim tuajin, në ngritjen e imazhit të gruas, të policisë dhe të mbarë shoqërisë, si shoqatë mbështetëse e barazisë gjinore, si kontribuuese e rëndësishme në respektimin e të drejtave të njeriut, që e gjen bazën në Kushtetutën dhe në ligjet e shtetit tonë.