FJALA E PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË CEREMONINË E DIPLOMIMIT TË KANDIDATËVE PËR GJYQTARË

E ardhmja jonë varet nga vullneti ynë i përbashkët që të tregojmë seriozitet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,

Të nderuar ambasadorë,

Të nderuar Gjyqtarë dhe Prokurorë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe Zotërinj,


Vlerësoj lart dhe çmoj aspiratat dhe përkushtimin tuaj si prokurorë dhe gjyqtarë për t’i shërbyer vendit, sundimit të rendit dhe ligjit. Kjo ngjarje është e rëndësishme për arritjet tuaja, por edhe për vendin pasi konsolidimi i kapaciteteve profesionale të gjyqësorit dhe prokurorisë është një nga elementet kyçe për një shtet të së drejtës.

Ju sot dëshmoni se keni vendosur të mbani një përgjegjësi të madhe mbi shpatullat tuaja ne zbatim te ligjit dhe kushtetutes.

Vetëm një gjyqësor i paanshëm, i pakorruptuar dhe i paindikuar do të sigurojë fuqizimin e një shteti funksional dhe demokratik që është në shërbim të nevojave dhe mbrojtjes së qytetarëve të tij.

Ne jemi një shtet i ri dhe si i tillë jemi të vendosur të zbatojmë të gjitha reformat e nevojshme që legjitimojnë vullnetin tonë për krijimin e një sistemi efikas dhe transparent të drejtësisë, në shërbim të qytetarëve, si dhe për të luftuar fenomenet negative me të cilat përballet shoqëria jonë. Me këtë kontribuojmë në ngritje të besimit të të gjithë qytetarëve pa dallim në sistemin tonë të drejtësisë.

Në kuadër të kompetencave të mia do të garantoj funksionimin kushtetues të gjyqësorit si shtyllë e pavarur e Shtetit. Mbrojtja e pavarësisë dhe respektimi i pushtetit të gjyqësorit nga pushtetet e tjera është i rëndësishëm për ngritjen e besimit ndaj gjyqësorit.

është detyrë e jona që të krijojmë të gjitha kushtet për të ofruar një mjedis të përshtatshëm ku qytetarët e Republikës së Kosovës i drejtohen me plotë besim institucioneve të drejtësisë, kurdo që konsiderojnë se janë cënuar të drejtat dhe liritë e tyre, ndërsa atyre që shkelin rendin dhe sfidojnë sundimin e ligjit, t’u ngushtohet hapësira e veprimit.

Kjo është edhe esenca e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit që unë e kam themeluar muajin e kaluar, ku u shpreh uniteti dhe përkushtimi institucional për ta bërë luftën kundër korrupsionit prioritet. Si angazhim gjithëpërfshirës për të siguruar të gjitha kushtet e nevojshme që gjyqtarët tanë të mos pengohen në vënien e drejtësisë.

E ardhmja jonë varet nga vullneti ynë i përbashkët që të tregojmë seriozitet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ju, Gjyqtarë të ardhshëm duhet ta mbroni me fanatizëm pozitën tuaj si gardianë të drejtësisë. Ju jeni ata që vazhdimisht do të përballeni me sfida gjatë kryerjes së punës tuaj. Mirëpo, të mbani në mend, se miku juaj i vetëm në ulësen e gjykatës është ligji dhe kushtetuta. Duke e respektuar këtë, ju ndihmoni në konsolidimin e shtetit por edhe dërgoni një mesazh të qartë se askush nuk është dhe nuk mund të jetë mbi ligjin.

Uroj që të gjithë ju ta kaloni me sukses procesin e verifikimit dhe pas emërimit tuaj të filloni sa më shpejtë t’i shqyrtoni lëndët e grumbulluara, zgjidhja e të cilave ka të bëjë me fatin e qytetarëve të Kosovës të cilët kërkojnë drejtësi.

Pres nga të gjithë ju t’i përmbaheni parimit të etikës profesionale për t’i shërbyer vendit në detyrën tuaj të gjyqtarit dhe prokurorit.

Jemi në një moment të rëndësishëm për të përmbushur ëndrrën tonë të integrimit në Bashkimin Evropian. Vetëm para dy ditësh Komisioneri për Zgjerim, z. Shtefan Fyle, lancoi studimin e fizibiletit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit gjatë takimit përurues të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian që unë e kam themeluar. Avancimi ynë në këtë proces do të varet drejtëpërdrejt nga përmbushja e një varg kriteresh dhe një ndër kriteret kyçe është sundimi i rendit dhe i ligjit.

Ne jemi të përkushtuar që të përmbushim të gjitha kriteret dhe obligimet tona në rrugën e integrimit të Republikës së Kosovës në BE.

Ju përgëzoj edhe njëherë për arritjet e juaja dhe ju dëshiroj suksese të vazhdueshme.

Ju faleminderit!