Fjala e Presidentes Jahjaga takimin e Këshillit Konsultativ për Komunitete

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në takimin përmbyllës për këtë vit të Këshillit Konsultativ për Komunitete.

Në fjalën e mbajtur në hapje të takimit, Presidentja Jahjaga tha:
 
Këshilli Konsultativ për Komunitete, si kategori kushtetuese, është forumi më i rëndësishëm ku të gjitha komunitetet e Kosovës, së bashku, diskutojnë dhe ndërtojnë politika për përfaqësim më të mirë në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës, pa dallime etnike apo fetare.
 
Ky këshill është një zë i rëndësishëm në shoqërinë tonë, që po ndërtohet mbi bazën e gjithëpërfshirjes së qytetarëve të barabartë, që kanë përgjegjësi të përbashkëta për shtetin e përbashkët.
 
Ne qytetarët e Republikës së Kosovës kemi përgjegjësinë për ndërtimin e një jete më të mirë dhe të një të ardhmeje më të ndritur dhe këtë mund ta realizojmë duke punuar së bashku për përparimin e vendit tonë të përbashkët.
 
Puna juaj në këtë Këshill ka vërtetuar se multikulturalizmi në Kosovë është vlerë e shoqërisë sonë që e bën vendin më të begatë dhe më të fortë, duke ruajtur diversitetin ndërmjet komuniteteve. Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian, është e përbashkët dhe e pandalshme, sepse ne e kemi vendin në mesin e popujve të lirë e të barabartë, ku diversiteti dhe respekti i ndërsjellë është parimi bazë i bashkëjetesës.
 
Ky Këshilli duhet të vazhdojë të avokojë qëndrimet e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre për legjislacionin, politikat dhe programet publike, sepse vetëm në këtë mënyrë secili komunitet do të integrohet dhe do të ketë zë në vendimmarrje.
 
Ne duhet të jemi edhe më aktivë në kërkimin e të drejtave të secilit komunitet në fushën e arsimit, çështje sociale, punësim, përdorim të gjuhëve, në mënyrë që çështjet e adresuara të zgjidhen në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat më të mira të Republikës së Kosovës.
 
Dragi ucesnici,

Republika Kosovo je nassa zajedniccka drzzava, svih zajednica koje su posvecene izgradnji zajedniccke buducnosti. Zajednice na Kosovu su vrednost drusstva, koje tezzi evropskim integracijama, o boljoj budnuccnosti.To mozzemo ostvariti zajedno, mi ravnropravni gradjani Kosova.
 
Të nderuar pjesëmarrës,

Këtë vit kemi përmbyllur zgjedhjet komunale si një proces të rëndësishëm që ka treguar se Kosova është shtet demokratik ku të gjithë qytetarët, pa dallim, kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen. Rruga jonë e integrimeve evropiane tashmë është e pakthyeshme si aspiratë e kamotshme e çdo qytetari të Kosovës. Me zgjedhjet komunale në gjithë territorin e vendit, kemi përmbyllur procesin e konsolidimit territorial të Kosovës, duke ofruar komunitetet dhe duke gjetur zgjidhje të pranueshme për të gjithë qytetarët, pa dallim, bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
 
Sukseset tona janë të përbashkëta dhe ato duhet të shërbejnë si shembull se ne jemi duke ndërtuar vlera dhe se shteti ndërtohet mbi parime të barazisë dhe mosdiskriminimit.