Fjala e Presidentes Jahjaga në vënien e gurthemelit të Spitalit Pediatrik-Kirurgjik, donacion i Emirateve të Bashkuara

Sot është një ditë shumë e rëndësishme për shëndetësinë e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti për shëndetin e fëmijëve. Sot shënojmë një kthesë në shërbimet që ju ofrojmë atyre për t’ju garantuar një jetë të shëndetshme dhe pa dyshim një të ardhme më të ndritur.

E nderuara Ministre e Shtetit, Dr.Maitha Salem Al-Shamsi,
E dërguara posaçme e Madhërisë së saj, Sheikha Fatima Bint Mubarak,
E nderuara  Ambasadore  Hafsa Al Ulama,
E nderuara Dr. Maha Barakat, drejtoreshë e autoritetit të  shëndetësisë të Abu Dhabit,
I nderuar ministër Rrahmani,
I nderuar ministër Agani,
Të Nderuar, Profesor, Doktor, Infermier dhe infermiere,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Të  nderuar të pranishëm,

Sot  është  një  ditë  shumë  e  rëndësishme  për  shëndetësinë  e  Kosovës në përgjithësi, e  në  veçanti për  shëndetin e fëmijëve. Sot  shënojmë  një  kthesë  në  shërbimet  që  ju  ofrojmë  atyre  për  t’ju  garantuar  një  jetë  të  shëndetshme  dhe  pa  dyshim  një  të  ardhme  më  të  ndritur.

Të gjithë ne krenohemi me faktin se Kosova  e  ka popullatën  më  të  re  në  Evropë , por  për  fat  të  keq  Kosova  ka  ende shkallë të lartë të vdekshmërisë së foshnjave  dhe  fëmijëve.
Shumë  shpesh  dëgjojmë  lajme  të  hidhura  për  fëmijë  e  të  rinj  të  prekur  nga  sëmundje  të  ndryshme  të  rënda  që  nuk  kemi  mundësi  t’i  trajtojmë  në  vend.  Kemi  fondin  për  shërim  jashtë shtetit por fatkeqësisht nuk është i mjaftueshëm dhe nuk i mbulon të gjitha nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të Kosovës.

Duke  e  parë  këtë situatë dhe pamundësinë që me buxhetin tonë të kufizuar të ndërtojmë kapacitetet dhe infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, pas  vizitave  të shumta nëpër klinikat e QKUK-së, e kisha shumë të qartë se patjetër duhet të kërkojmë ndihmën e miqve  tanë,  partnerëve  dhe  aleatëve  që  na  u  gjenden  gjithmonë  pranë  në  kohërat  tona  më  të  vështira.

Një nga vendet mike që ka dhënë kontribut  shumë  të  çmuar  për  qytetarët  e  Kosovës  në  fushën  e  shëndetësisë  janë  Emiratet  e  Bashkuara Arabe, prandaj  pa  hezitim  jo  vetëm  në  cilësinë  e  Presidentes  së  Republikës  së  Kosovës, por  si  një  grua-gruas  e  kërkova ndihmën e Sheika Fatima bint Mubarak, Mbretëreshës së Emirateve të Bashkuara Arabe,  për  të  ndërtuar  një  spital  për fëmijët  në  Kosovë. Këtë spital që sot bashkërisht po hedhim gurthemelin, që simbolizon  miqësinë e fuqishme n mes shteteve tona dhe popujve tanë.

Mbretëresha Sheika Fatima, si një humaniste  e  madhe  e  cila  i  ka  kushtuar  një vëmendje të veçantë mirëqenies së fëmijëve  dhe  nënave  jo  vetëm  në  vendin  e  saj,  por  edhe  përtej, pa hezitim shprehu gatishmërinë e saj  për të mbështetur kërkesën time, për t’ju  ofruar fëmijëve  të  Kosovës  mundësi  për qasje në shërbime shëndetësore të specializuara.
Pas një sërë takimesh të ekspertëve dhe vizitave të shumta, më 27 prill të vitit të kaluar, gjatë  një  vizite  që  kam  realizuar në Abu Dhabi, nënshkrova marrëveshjen ndërshtetërore  për ndërtimin e Spitalit  për shërbime gjithëpërfshirëse Pediatrike dhe Kirurgjike, këtu në QKU në  Prishtinë. 

Duke e bërë Kosovën me spitalin më të avancuar pediatrik dhe kirurgjisë pediatrike në rajon.
Kjo patjetër që shënon një ndër marrëveshjet më të rëndësishme të nënshkruara, pasi shënon dhe donacionin më të madh në sektorin e shëndetësisë, duke garantuar që gjeneratës së re, të ardhmes  tonë - fëmijëve tanë, t’ju ofrohen mundësitë  për  një  jetë  më  të  mirë. Por, mbi të gjitha, të shpëtojmë jetë.

Në hartimin e projektit të këtij spitali janë përfshirë ekipe të  ekspertëve pjesë e Komitetit drejtues nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nga Republika e Kosovës  dhe  realizimi  i  këtij  projekti,  i  cili  pritet  të  përfundojë  deri  në  vitin  2018, do të menaxhohet nga autoriteti shëndetësor  i  Abu Dhabit, nën mbikëqyrjen  e kompanisë gjermane ICME.

Sot  jam  shumë  e  lumtur  që  donacioni  prej  22 milionë euro do  të  përdoret  për ndërtimin e objektit të këtij spitali, për pajisjen  me  shtretër  dhe  me  të  gjitha mjetet  e  tjera  të  nevojshme,  përfshirë këtu edhe aparaturën më të avancuar teknologjike shëndetësore, e cila do të ndihmojë në diagnostikimin sa më të hershëm të sëmundjeve  dhe  shërimin  sa  më  efikas  të  tyre.

Ky  spital  që  do  të  përfshijë  midis  të tjerash  kirurgjinë  e  fëmijëve,  onkologjinë  dhe  neonatologjinë, do të jetë  spitali  më  modern jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, me  pajisjet  më  të  avancuara  teknologjike  në  rajon  dhe  me stafin më të përkushtuar dhe më të përgatitur  profesional.

Me ndërtimin e këtij spitali në këtë hapësirë, shumë afër klinikës së Gjinekologjisë dhe asaj të Pediatrisë, synojmë  që  të  gjitha  shërbimet  pediatrike,  që  kanë  të  bëjnë me shëndetin e fëmijëve,  prej  çastit  të  lindjes, t’i  ofrojmë  në  një  vend, me shumë profesionalizëm, kujdes dhe dashuri.

Vënia e gurthemelit të këtij Spitalit për shërbime gjithëpërfshirëse Pediatrike dhe Kirurgjike, shënon një hap shumë të rëndësishëm në thellimin dhe fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe të miqësisë midis Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, midis institucioneve  dhe  midis  popujve  të  të  dyja  vendeve.

Sot kur në Emiratet  e Bashkuara Arabe shënohet Dita Ndërkombëtare e nënës, ne po  vëmë gurthemelin e këtij spitali, që është dhuratë për fëmijët e nënat  e Kosovës nga Mbretëresha e këtij vendi, Sheika Fatima bint Mubarak.

Nuk ka simbolikë më të mirë për të shënuar këtë ditë dhe jam thellësisht e bindur se nuk do të ketë falënderim më të përzemërt për Sheiken Fatima se sa të shohë se në këtë spital, fëmijëve të Kosovës do t’ju ofrohet kujdesi dhe shërbimet  më  të  mira  profesionale  për  jetë  më  të  shëndetshme  dhe  të  lumtur.

Institucionet  dhe  qytetarët e Kosovës do t’i  jenë  përjetë mirënjohës Mbretëreshës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheika Fatima bint Mubarak, për këtë donacion zemërgjerë.  Unë do t’i jem gjithmonë mirënjohëse  Nënës  Mbretëreshë Sheika Fatima bint Mubarak, mikes time te madhe, ashtu siç e quan populli i saj, për bujarinë  e  treguar.

Dëshiroj të shpreh falënderim dhe mirënjohjen time të thellë për shtetin mik - Emiratet e Bashkuara Arabe,  për Ministren e Shtetit - Maitha Al Shamsi, për ambasadoren -  Hafsa Abdullah Mohammed Sharif Al Ulama, për gjithë ekipin e ekspertëve të cilët me shumë përkushtim kanë punuar për realizimin e këtij projekti aq të rëndësishëm për shëndetësinë e Kosovës, i cili udhëhiqej nga  Dr. Barakat nën menaxhimin e Madhërisë së saj.

Për një të nesërme të ndritur të vendit, ne sot duhet të investojmë në shëndetin e fëmijëve tanë, sepse e ardhmja ju takon atyre.

Zoti e bekoftë Madhërinë e saj,
Zoti i bekoftë vendet tona dhe popujt tanë,
Ju Faleminderit!