Fjala e Presidentes Jahjaga në tryezën e rrumbullakët: Mamografi mobil – impakti sot dhe nesër

Për një muaj me radhë, si institucione dhe shoqëri, kemi organizuar një sërë aktivitetesh për të shënuar muajin e vetëdijesimit për kancerin e gjirit, e kthyer tashmë në një traditë të përmotshme gjatë së cilës synojmë të ngremë vetëdijen qytetare mbi domosdoshmërinë e kontrolleve të rregullta mjekësore për parandalimin dhe mposhtjen e kësaj sëmundjeje.

I nderuar ministër Rrahmani,
I nderuar zëvendësministër Sadiku,
I nderuar drejtor i QKUK-së,
Ambasadorë të nderuar,
Përfaqësues të organizatave ndërkombëtarë dhe vendore,
Ju zonja dhe zotërinj,

Për një muaj me radhë, si institucione dhe shoqëri, kemi organizuar një sërë aktivitetesh për të shënuar muajin e vetëdijesimit për kancerin e gjirit, e kthyer tashmë në një traditë të përmotshme gjatë së cilës synojmë të ngremë vetëdijen qytetare mbi domosdoshmërinë e kontrolleve të rregullta mjekësore për parandalimin dhe mposhtjen e kësaj sëmundjeje.

Kemi kërkuar nga qytetarët e vendit, nga gratë e burrat, nga vajzat e djemtë, t’i kushtojnë vëmendjen e duhur shëndetit të tyre, duke shprehur përkushtimin institucional për ofrimin e shërbimeve shëndetësore të specializuara dhe profesionale për të garantuar diagnostikim të hershëm dhe trajtim adekuat në përballën me këtë sëmundje.

E kemi bërë gjithë këtë, pasi kanceri i gjirit është një ndër sëmundjet më vdekjeprurëse ndër gratë, e cila prek edhe burrat, por e cila mund të mposhtet, dhe mund të shërohet kur ajo zbulohet me kohë dhe kur zbulohet herët.

Kontrollet e rregullta, qofshin ato vetëkontrolle apo kontrolle të specializuara mjekësore, si ekografia dhe mamografia, janë mundësi për ta zbuluar herët dhe në kohë këtë sëmundje. Zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje është mundësi për jetë.

Duke mos diskriminuar shtresën shoqërore apo përkatësinë etnike, kjo sëmundje mund të prekë këdo. Prandaj, mbetet e domosdoshme që qytetarëve në çdo cep të vendit t’ju ofrohet qasje në shërbime adekuate shëndetësore për t'iu garantuar atyre mundësinë për zbulim të hershëm të kësaj sëmundjeje, dhe mundësinë për ta fituar betejën me të.

Duke u nisur nga ky synim, grupi i grave deputete të legjislaturës së kaluar ndërmorën nismën fisnike për të blerë mamografin mobil, i cili tashmë është pjesë e shërbimeve shëndetësore që i ofrohen qytetarëve të vendit, falë kontributin të institucioneve dhe donatorëve të shumtë.

I përgëzoj gratë deputete për nismën e tyre dhe falënderoj të gjitha institucionet, ambasadat, organizatat, bizneset, qytetarët që kontribuuan dhe mbështeten këtë iniciativë, për t’iu ofruar qytetarëve të vendit një shërbim shëndetësor që mund të shpëtojë jetë.

Gjatë tryezës së sotme, specialistë të fushës do të shpalosin rëndësinë e mamografisë në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe rezultatet e përdorimit të mamografit mobil në vendin tonë deri më tani.

Mesazhi do të jetë i qartë, kontrollet e rregullta mjekësore janë të domosdoshme për ta zbuluar me kohë këtë sëmundje dhe për ta mundur atë. Kontrollet mjekësore nuk duhet të bëhet vetëm një herë, kontrollet mjekësore duhet të  bëhen në mënyrë të rregullt, gjatë gjithë jetës të të gjithë neve.

Të nderuar pjesëmarrës,

Diskutimi ynë i sotëm, ndërsa flasim për rëndësinë e zbulimit të hershëm të sëmundjes së kancerit të gjirit, udhëhiqet nga parimi i çmuar mbi të cilin kemi ndërtuar vendit tonë, të cilën ne e mbrojmë dhe e garantojmë me ligjet dhe kushtetutën e vendit, e cila është e drejta për jetë.

Vetëm disa ditë më parë u bëmë dëshmitar të një krimi mizor, i cili i mori jetën nënës së katër fëmijëve, nga burri i saj, në shtëpinë e saj. U tronditëm të gjithë ne. Pamë historinë të përsëritet, pamë edhe njëherë Diana Kastratin, tashmë të quajtur Zejnepe Bytyçi-Berisha, viktimë e dhunës familjare të ushtruar mbi të me vite me radhë.

Një grua e pafajshme, Zejnepja, u bë pre e një krimi që sfidoi parimet tona më të vlefshme, se askush nuk është mbi ligjin, se jeta e secilit qytetar të këtij është e mbrojtur dhe e garantuar.

Si institucione duhet të angazhohemi më shumë dhe të marrim të gjitha masat e nevojshme për ta parandaluar njëherë e mirë që dhuna në familje të marrë jetën e qytetarëve tanë dhe të shkatërrojë të ardhmen e fëmijëve tanë.

Përkushtimi i institucioneve të vendit duhet të jetë i palëkundur për të mbrojtur qytetarët e saj dhe të drejtat e tyre, për të mbrojtur dhe për të garantuar të drejtën e tyre për jetë.

Dhuna në familje është e patolerueshme, nuk është çështje private, ajo na përket të gjithë ne dhe ajo duhet të dënohet nga të gjithë ne.

Ju faleminderit dhe ju dëshiroj punëtori të suksesshme gjatë ditës së sotme.