Fjala e Presidentes Jahjaga në shfaqjen e dokumentarit “Mendoj për ty” në Washington

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mbajti një fjalë rasti në shfaqjen e dokumentarit “Mendoj për ty” të artistes Alketa Xhafa Mripa dhe producentes Anna di Lellio në Universitetin NYU në Washington DC. Ky event është organizuar nga Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Grupi i Grave në Politikën e Jashtme dhe NYU në Washington DC.

Me këtë rast, ajo tha:
 
Të dashur studentë,
Zonja dhe Zotërinj,
 
Është kënaqësi e madhe t’ju drejtohem në këtë eveniment i cili shpalos një pjesë të vështirë të historisë së re të Kosovës. Para vetëm 17 vjetësh, Kosova doli nga një luftë e tmerrshme, e cila rezultoi me një milion refugjatë, mijëra jetëra të humbura, shkatërrim të tmerrshëm material dhe mijëra viktima të paimagjinueshme të dhunës dhe keqtrajtimit seksual.
 
Dhe përderisa kemi lëvizur përpara në rindërtimin e të ardhmes sonë mbi hirin e shkatërrimit dhe vuajtjes së pamasë njerëzore, duke u munduar të gjejmë zgjidhje për shumë sfida rreth ndërtimit të një vendi paqësor, stabil dhe të sigurt, ne ndërmorëm vendime si shoqëri për të nderuar dhe respektuar sakrificën e secilit qytetar të cilët dhanë çdo gjë për çlirim dhe për liri.
 
Ne i nderuam të gjitha gratë dhe burrat të cilët shtrinë dorën e ndihmës në kohët më të vështira dhe mbështetjen e fortë të të gjitha vendeve mike të cilat ndaluan gjenocidin në Kosovë dhe na ofruan mundësinë për një jetë në paqe dhe në liri.
 
Ne e bëmë këtë duke ndërtuar një shtet të bazuar në principe qytetare, duke garantuar dhe respektuar të drejtat e të gjithë qytetarëve, pa dallim etnik, fetar apo gjinor, sepse e dinim fare mirë se sa e shenjtë është mbrojtja e drejtave të njeriut, dhe se ne si shoqëri me dekada të tëra kemi vuajtur nga mungesa e respektimit të tyre.
 
Por, përkundër gjithë kësaj pune të palodhshme gjatë viteve për ta rindërtuar shoqërinë tonë, e kishim të vështirë ta adresonim një pasojë të rëndë të luftës, e cila kishte prekur dinjitetin e vajzave, motrave dhe nënave tona duke i kthyer trupat e tyre në fushë beteja.
 
Dhuna seksuale u përdor si mjet lufte në Kosovë ndaj mijëra grave dhe burrave më qëllim që të instalohet ndjenja e frikës dhe shtypjes tek qytetarët e pafajshëm, u përdor për të nxitur pastrimin etnik, për t’i përulur meshkujt, për ta zhveshur një shoqëri nga vlerat e saj njerëzore, dhe për të mbjellë farën e vuajtjes dhe dhimbjes përjetësisht në jetërat e viktimave, familjeve të tyre, dhe mbi të gjithë ne.
 
Në ditët e para të mandatit tim si Presidente e Kosovës shkova të takoj një grup të grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, Ato më pritën ngrohtësisht dhe m’i hapën zemrat e tyre.
 
Tmerret të cilat trupat e tyre i kishin përjetuar flisnin me zë të lartë për krime jo njerëzore, që na bënte thirrje të gjithë ne që të ngritemi dhe të kërkojmë drejtësi për viktimat, të kërkojmë dënim për kryesit e këtyre veprave, dhe që ta ndalojmë përdorimin e këtij mjeti të luftës. Tregimet e tyre pothuaj se nuk ishin dëgjuar fare jashtë mureve të organizatës ku po merrnin trajtime, dhe në shumicën e rasteve nuk ishin ndarë kurrë ne askënd.
 
Krimi i tmerrshëm i dhunës seksuale i kishte mbajtur viktimat të burgosura brenda tmerreve të cilat i kishin përjetuar, të heshtura, të stigmatizuara dhe të turpëruara nga mbarë shoqëria.
 
Ne nuk e kishim kuptuar se duke e zgjedhur heshtjen, ne si individë, si shoqëri dhe si institucione, ishim bërë pjesë e padrejtësisë së kryer mbi to.
 
Kur u ktheva në zyre atë ditë, me zemër të thyer dhe e tmerruar nga e gjithë ajo, nuk munda që më gjatë ta pranoj atë heshtje e cila e rrethonte këtë çështje. Vendosa se ishte koha për ta udhëhequr shoqërinë tonë drejtë gjetjes së rrugës për të adresuar këtë pjesë të historisë sonë të përbashkët, dhe për ta ndryshuar diskursin social dhe institucional të cilin e kishim mbajtur për vite me radhë.
 
Para dy vitesh, unë themelova me dekret special Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, një mekanizëm të paprecedent, i cili mblodhi rreth vetes të gjithë sektorët e shoqërisë, institucionet shtetërore, organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të përbashkët për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për t’i ofruar të mbijetuarve njohje ligjore, mbështetje psiko-sociale, qasje në drejtësi, qasje në burime ekonomike dhe mbi të gjitha, njohjen nga mbarë shoqëria dhe nga mbarë bota të krimit të kryer mbi ta.
 
Me krenari e kujtoj takimin e parë të Këshillit Kombëtar me 7 mars 2014, kur me një zë, për herë të parë, ne si institucione dhe si shoqëri shprehëm vendosmërinë tonë për ta thyer tabunë e cila e rrethonte këtë çështje për një kohë aq të gjatë, të luftojmë stigmën e cila akoma i rrethon ata dhe për të punuar pa ndalur për ti trajtuar ata siç i kishim trajtuar kategoritë tjera të luftës, me respekt dhe nderim të dinjitetshëm të sakrificës së tyre.
 
Më 12 qershor të vitit të kaluar, në Ditën e Çlirimit, mbarë vendi u zgjua nga një realitet i ndryshuar. Stadiumi i Prishtinës ishte i mbuluar me mijëra fustane, të cilat mbanin tregime të krimeve të dhunës seksuale të kryera mbi njerëz të pafajshëm, krim për të cilin më nuk mund të heshtnim.
 
Instalacioni artistik “Mendoj për Ty” i artistes Alketa Xhafa-Mripa dhe producentes Anna di Lellio, na solli zërin e fuqishëm të të gjitha viktimave, një solidarizim të paprecedent të grave dhe burrave nga çdo cep i vendit dhe përtej, të cilët iu përgjigjën thirrjes për të dhuruar një fustan për këtë instalacion artistik.
 
Me ndihmën e Këshillit Kombëtar, organizatave të grave dhe aktivistëve, institucioneve qeveritare, njerëzve të thjeshtë dhe shumë partnerëve, ne pamë një kërkim artistik për drejtësi nga Alketa dhe Anna i cili u shndërrua në një lëvizje e cila doli përtej kufijve të vendit tonë, lëvizje e cila fliste hapur për dhunës seksuale si mjet lufte dhe e cila kërkonte drejtësi për të gjithë të mbijetuarit në Kosovë dhe në botë.
 
Ajo ditë do të mbetet përherë e freskët në kujtesën time, sepse nëpërmes gjuhës universal të artit ne si shoqëri u bashkuam, dëgjuam tregimet e njëri-tjetrit për një krim të tmerrshëm dhe shprehem vendosmërinë tonë për tu ofruar paqe të gjithë të mbijetuarëve.
 
Dhe derisa po ecja në stadium, nëpër mijëra fustane, hasa në dy funde të cilat mbanin të shkruar dy mesazhe të cilat ta thyenin zemrën: Në njërin fund shkruante: “Unë kam një përvojë të hidhur”, ndërsa në tjetrin: “ Ky fund mban në vete një histori të mbyllur nga pranvera e vitit 1998”.
 
Sot, ato dy funde janë të varura në muret e Zyrës së Presidentit të Kosovës për të na përkujtuar sakrificën e mijëra grave dhe burrave, por mbi të gjitha për të na përkujtuar se është obligim i yni për ti trajtuar ata me dinjitet.
 
Sot, u them të gjithë të mbijetuarve, faji nuk bie mbi ju dhe se ne do të vazhdojmë të luftojmë për drejtësi për ju. E falënderoj Alketën dhe Anën për këtë instalacion të fuqishëm artistik i cili na bën të gjithëve krenarë.
 
Të dashur studentë,
Zonja dhe Zotërinj,
 
Gjatë viteve kam dëgjuar tregime të grave ëndrrat e të cilave për tu bërë nëna kurrë nuk u realizuan sepse ato humbën fëmijët akoma të palindur për shkak të dhunës jo njerëzore të kryer mbi to.
 
Kam dëgjuar tregime të nënave të cilat kanë qenë dëshmitare të përdhunimit, rrahjes dhe torturimit të vajzave të tyre, para syve të tyre, tregime të grave të abuzuara seksualisht në mënyra të paimagjinueshme para syve të burrave, baballarëve të tyre, para syve të mbarë fshatit. Tregime të fëmijëve të vegjël të cilët nuk i mbijetuan këto akte jo njerëzore. Tregime të grave të cilat humbën familjet e tyre për shkak të turpit nga ky krim, gra dhe vajza të reja, të lëna prapa me njollën e turpit të vendosur thellë në trupat e tyre.
 
Në të gjitha këto tregime po ashtu u bëra dëshmitare e guximit të vajzave të reja dhe grave, të cilat përkundër çdo gjëje, gjetën forcë për të rindërtuar jetërat e tyre, të kujdesen për fëmijët dhe familjet e tyre, të cilat i luftojnë për çdo ditë tmerret të cilat i kanë përjetuar dhe të cilat nuk dorëzohen asnjëherë. Gra të cilat e inkurajojnë njëra tjetrën për të mbijetuar dhe të cilat i thonë njëra tjetrës se ato janë heroinat e shoqërisë sonë.
 
Po ashtu kam dëgjuar tregime për gra të fuqishme të cilat përmes vendosmërisë së tyre i kanë ofruar mbështetje të mbijetuarve që nga përfundimi i luftës dhe kanë ngritur zërin edhe atëherë kur askush nuk tregonte vullnet për ti dëgjuar.
 
Ju them të mbijetuarve se ju jeni me të vërtetë heroinat tona dhe i shpreh falënderimet më të thella në emër të shoqërisë gjithë grave dhe burrave të cilët luftuan pa ndërprerë për drejtat e tyre.
 
Shpresoj se duke e shikuar këtë dokumentar rreth instalacionit të fuqishëm artistik “Mendoj për Ty”, ju do ta kuptoni shkallën e lartë të këtij krimi të lemerishëm të luftës i cili ndodhi në Kosovë dhe do ta merrni me vete forcën dhe kurajën e të mbijetuarve.
 
Ne mund ta ndalim këtë mjet lufte, i cili çdo ditë po shkatërron jetëra në cepe të ndryshme të botës, po shkatërron thelbin e njerëzisë sonë; por ne duhet të veprojmë bashkarisht dhe ta luftojmë këtë kulturë të mosndërshkueshmërisë.
 
Neve si shoqëri na u desh kohë e gjatë për ta gjetur rrugën e drejtë. Aplikacionet e para nga tri gra për njohjen ligjore të statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës i kam pranuar javën e kaluar, 17 vjet pas përfundimit të luftës.
 
Dhe po ashtu, edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës akoma asnjë person nuk është dënuar për krimet e dhunës seksuale të kryera në Kosovë.
 
Por, ne sot nuk jemi më të heshtur, sot flasim me një zë për të mbijetuarit. Sot kërkojmë drejtësi.
 
Dëshiroj të falënderoj organizatorët e këtij evenimenti të rëndësishëm, ambasadën e Kosovës në Washington, D.C, sepse populli dhe qeveria Amerikane kanë qëndruar pranë nesh në kohërat tona më të vështira. Jam e nderuar dhe kam kënaqësinë që shoh se e kemi mbështetjen tuaj edhe në këtë kërkim tonin për paqe dhe drejtësi.
 
Ne nuk mund ta ndryshomë të kaluarën por mund të punojmë së bashku dhe të garantojmë një të ardhme më të mirë për secilin. Besoni në fuqinë tuaj për të sjellë ndryshime.
 
Ju faleminderit.