Fjala e Presidentes Jahjaga në shënimin e 27-vjetorit të grevës së minatorëve të Trepçës

Kam kënaqësinë që sot të jem në mesin tuaj për të përkujtuar njërën nga kthesat historike të rrugëtimit tonë të gjatë që filloi pikërisht këtu, në horizontet e Trepçës, 27 vite më parë, në atë kohë të vështirë, të vuajtjeve dhe dyndjeve të mëdha, të pasigurisë dhe shumë të panjohurave. Të zhvillimeve vendimtare për të ardhmen e Kosovës.

Të nderuar minatorë të vitit 1989,
Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë që sot të jem në mesin tuaj për të përkujtuar njërën nga kthesat historike të rrugëtimit tonë të gjatë që filloi pikërisht këtu, në horizontet e Trepçës, 27 vite më parë, në atë kohë të vështirë, të vuajtjeve dhe dyndjeve të mëdha, të pasigurisë dhe shumë të panjohurave. Të zhvillimeve vendimtare për të ardhmen e Kosovës.

Thellë në nëntokën e kësaj qyteze, duke u hedhur në grevën më të gjatë që kishte njohur historia e asaj kohe, ju, 180 minatorët e Trepçës, ngritët fuqishëm zërin ndaj nacionalizmit që kanoste të zhbënte atë pak liri që Kosova gëzonte. Kundër ndryshimeve kushtetuese të asaj kohe që dhunshëm po revokonin autonominë e Kosovës, që paralajmëronin ditë të zeza për shqiptarët e Kosovës e popujt e ish Jugosllavisë. Para 27 vjetësh ju kontribuuat në vetëdijesimin qytetar e ndërgjegjësimin ndërkombëtar për shtypjen që kishte marrë hov në Kosovë.

Me grevën tuaj filloi një etapë e re. I madh e i vogël u bashkuan për t'u solidarizuar me protestën dhe kërkesat tuaja që zëshëm i kishit artikuluar simbolikisht nga thellësia e tokës së Kosovës. Kauzën paralajmëruese për ditët e tmerrshme që po vinin - që tashmë e kishit marrë mbi supet tuaja - po e mësonin të gjithë, fqinjët tanë dhe ata larg Ballkanit që në këtë grevë tetëditëshe do të shihnin ngjalljen e filleve të rezistencës ndaj okupimit, ndaj represionit, ndaj trajtimit çnjerëzor që do të pasonte. Vuajtjet nuk u ndalën këtu. Ato u zgjeruan dhe thelluan për të përfshirë krejt Kosovën. Ne u bashkuam për ta bërë Kosovën shtet, për t'ua dhënë gjeneratave të reja mundësinë që të jenë të zotë të fatit të vet.

Të nderuar të pranishëm,

Sot, kur sapo shënuam tetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, kur reflektojmë mbi këtë rrugëtim të tre dekadave, e shohim sa e gjerë e e thellë ishte dhe vazhdon të jetë kjo sakrificë për secilin prej nesh.

Përgjegjësia për ta bërë Kosovën shtet, për ta jetësuar ëndrrën shekullore ra mbi ne pas përpjekjeve kolektive të shumë brezave për ta realizuar këtë ideal për paqe dhe liri, për pavarësi dhe demokraci. Për shumë njerëz kjo ishte sakrificë jetësore deri në flijim. Për ju dhe familjet tuaja pothuaj një jetë e tërë rezistence për ta realizuar lirinë.

Falë kësaj sakrifice dhe vlerave të cilat na udhëhoqën e që përkrah nesh rreshtuan shtetet demokratike të botës, kjo ëndërr është realizuar dhe pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Sot gjendemi para një sfide tjetër - atë të forcimit të shtetësisë tonë dhe subjektivitetit të Republikës së Kosovës. Tani na duhet mobilizim po aq i qëndrueshëm dhe insistues që demokracinë tonë të brishtë dhe institucionet tona që duhet ta mbrojnë dhe avancojnë këtë demokraci t'i forcojmë çdo ditë. Kjo është beteja jonë e radhës, beteja e së ardhmes, që varet nga ne dhe të cilën patjetër duhet ta fitojmë. Sepse ua kemi borxh juve, dhe ua kemi borxh gjeneratave që vijnë pas nesh.

Ne na duhet një platformë e re se si duhet të ecim përpara, një dialog i brendshëm për të ardhmen e Kosovën dhe drejtimin që do ta marrim si shtet dhe shoqëri. Na duhet të mbesim lojal ndaj orientimit tonë properëndimor - anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO - në frymë dhe në vepër.

Na duhet t'i ripërtërijmë vazhdimisht vlerat që i vumë në themele të shtetësisë tonë. Me ngulm dhe guxim duhet ta bëjmë reformën e ekonomisë tonë për të garantuar që vendeve si Stantërgu dhe banorëve të përkushtuar të tij t'i kthehet shkëlqimi dhe krenaria që e gëzonin dikur. Nuk kemi alternativë pos të ndërtojmë shtet ligjor.

Besoj thellë se këto qëllime nuk janë të paarritshme, por duhet të jemi të vetëdijshëm që ato kërkojnë më shumë angazhim e punë.

Minatorë të nderuar,

Të dashur miq,

Ju faleminderit për kontributin tuaj; që na dhatë këtë episod frymëzues në historinë tonë të re me kurajën tuaj. Greva e nisur këtu 27 vite më parë është pjesë e kthesës së madhe historike që solli Kosovën këtu ku është sot: shtet të pavarur dhe sovran, të palëkundur në realizimin e të ardhmes euroatlantike.

Ju faleminderit!