Fjala e Presidentes Jahjaga në pritjen e organizuar me rastin e vizitës së Guvernatorit të Iowa-s, z. Terry Branstad

Jemi mbledhur të gjithë sot, përfaqësues të institucioneve publike e private, të botës ushtarake dhe asaj të biznesit, të asaj akademike e kulturore, për të kremtuar së bashku thellimin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Iowa-s dhe forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve miqësore në mes dy shteteve tona.

I nderuar Guvernator Barnstad,

E nderuar zonja Barnstad,

E nderuar ambasadore Jacobson,

I nderuar Gjeneral Orr,

Të nderuar përfaqësues të shtetit të Iowa-s

Të nderuar udhëheqës të institucioneve të Kosovës,

Të nderuar ministra dhe zëvendësministra,

Miq të nderuar,


Jemi mbledhur të gjithë sot, përfaqësues të institucioneve publike e private, të botës ushtarake dhe asaj të biznesit, të asaj akademike e kulturore, për të kremtuar së bashku thellimin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Iowa-s dhe forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve miqësore në mes dy shteteve tona.

Dita e sotme shënon një ngjarje të veçantë në shprehjen e përkushtimit të ndërsjellët për të ndërtuar mbi ngjashmëritë tona, mbi vlerat dhe parimet që ne ndajmë rreth lirisë dhe rreth krijimit të një shoqërie e shteti që i garanton jetë të dinjitetshme dhe prosperitet qytetarëve të saj pa dallim etnie apo feje.

Vetëm disa ditë më parë festuam së bashku ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 4 Korrikun, falënderuam aleatin tonë strategjik dhe mijëra qytetarë amerikanë që i qëndruan pranë qytetarëve të Kosovës, në kohërat e tyre më të vështira, duke u ofruar mbështetje dhe përkrahje në rrugën e tyre drejt paqes dhe pavarësisë.

Është po kjo përkrahje e vazhdueshme e mikut të madh të shtetit të Kosovës, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që na ka mbledhur ne sot në kurorëzimin e Partneritetit me shtetin e Iowa-s.

Së bashku me përkrahjen e miqve të saj ndërkombëtarë, Kosova është shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë, dhe  model i konsolidimit të shtetit shumetnik.

Falënderoj Guvernatorin e shtetit të Iowa-s, shtetin e Iowa-s dhe qytetarët e saj për përkrahjen e vazhdueshme dhe për bashkëpunimin e sinqertë që i kanë ofruar shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Jam e bindur se do të vazhdojmë të ndërtojmë ura të bashkëpunimit dhe do të thellojmë miqësinë midis dy vendeve tona. E ngre  këtë dolli për miqësinë e përjetshme midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mes popujve tanë dhe dy shteteve tona.

Gëzuar!