Fjala e Presidentes Jahjaga në pritjen e organizuar me rastin e 103-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e shënimit të 103-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast ajo theksoi:
 
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,
I nderuar kryetar i Kuvendit Veseli,
Ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë
I nderuari Ambasador Minxhozi,
Të nderuar të pranishëm,
 
Nuk ka një ditë më të veçantë në historinë e popullit shqiptar sesa kjo Ditë e Flamurit, që sublimon gjithë përpjekjet e sakrificën e popullit për pavarësinë e tij. Nuk ka një Ditë më të shënuar në historinë e popullit shqiptar se sa kjo Festë që bën bashkë të gjithë, që lirinë dhe pavarësinë e ndjejnë si vlerën më të lartë njerëzore.
 
Kjo është Dita që ka mbajtur të gjallë frymën dhe ëndrrën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve për të ecur papenguar në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit, në kohë të ndryshme – sa të vështira dhe sfiduese – por me një qëllim të vetëm për të qenë pjesë e pandashme e vlerave demokratike në botë. Dhe mëvetësia e Shqipërisë ka treguar se sa e rëndësishme është liria e një populli dhe përfshirja e tij në proceset e përparimit edhe për Evropën në tërësi.
 
Kjo është gjithashtu Dita që ka mbajtur përjetësisht të fuqishëm e të gjallë jo vetëm mishërimin por edhe synimin dhe aspiratën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, dhe për një të ardhme ndryshe dhe po aq të qartë - për t’u bërë bashkë pjesë e rëndësishme e familjes evropiane. Shqipëria e pavarur e bëri të mundur Kosovën shtet të pavarur e sovran – një realiteti të pandalshëm dhe të pakthyeshëm, një garanci e  paqes jo vetëm në rajon dhe një vend i barazisë dhe i lirisë si dhe shembull i diversitetit kulturor e fetar.
 
Të dyja shtetet sot janë bërë pjesë të pandashme të arkitekturës globale të sigurisë dhe përpjekjeve të botës demokratike për t’i bërë ballë sfidimeve ekstremiste me qëllim të ruajtjes së vlerave njerëzore – besimit në njëri tjetrin dhe jetës së përbashkët.
 
Shekulli i kaluar filloi me pavarësinë e Shqipërisë dhe u përmbyll me lirinë e Kosovës. Ky shekull na gjen  të  rreshtuar së bashku në idenë, synimin dhe përpjekjen për integrimet evropiane, si demokraci që ndërtohen e maturohen për çdo ditë, pavarësisht sfidave, bazuar në themelet e sundimit të ligjit dhe të rendit, ku respektohet çdo liri e secilit qytetar, me përgjegjësi e obligime për shtetin, që garanton të ardhmen e tyre të përparuar.
 
Ambasador Minxhozi, për ju dhe gjithë ambasadën, urime! Urime Shqipëri! Zoti i bekoftë dy shtetet tona.