Fjala e Presidentes Jahjaga në pritjen e ish-kryeministrit të Kosovës dhe kreut të AAK-së, z. Ramush haradinaj

E ndaj me ju gëzimin dhe e uroj z. Ramush Haradinaj, kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-Kryeministrin e Kosovës, ish-komandantin e UÇK-së, për shpalljen të pafajshëm nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës.

I nderuari zotëri Haradinaj,
E nderuara familje Haradinaj,
I nderuari kryeparlamentar Krasniqi,
Të nderuar ministra, deputetë, përfaqësues të institucioneve dhe partive politike të Republikës së Kosovës,
Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,
Ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në vendin tonë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

E ndaj me ju gëzimin dhe e uroj z. Ramush Haradinaj, kryetarin  e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-Kryeministrin e Kosovës, ish-komandantin e UÇK-së, për shpalljen të pafajshëm  nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës.

Kjo ka  një domethënie që tejkalon përgjegjësinë individuale dhe është dëshmi se lufta e popullit të Kosovës për Çlirim ishte e pastër dhe e drejtë.
 
Qytetarët e Kosovës dhe ju besuat në drejtësinë ndërkombëtare.

Me këtë rast i përgëzoj qytetarët e Kosovës për bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës në kërkim të drejtësisë për krimet e luftës të kryera në Kosovë, duke u bërë shembull për tërë rajonin dhe duke dëshmuar gatishmërinë tonë si shtet dhe shoqëri qe t’i përmbushim obligimet tona ndaj drejtësisë ndërkombëtare.
 
Z. Haradinaj,

Ju mirëpresim për të vazhduar punën në përparimin e vendit tonë dhe në përmbushjen e vizionit për të ardhmen.

Si presidente e vendit e ke përkrahjen dhe mbështetjen time, duke llogaritur në angazhimin tuaj dhe të subjektit politik që e udhëhiqni që të punojmë që vendin tonë ta çojmë përpara, në kauzën tonë për të ndërtuar një shtet demokratik dhe një shoqëri ku të gjithë i gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre të barabarta, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Ta bëjmë Republikën e Kosovës shtet anëtar të BE-së dhe të NATO-s, dhe t’i ruajmë miqtë tanë ndërkombëtarë që me shumë mund i kemi fituar.

Ju dëshiroj suksese.