Fjala e Presidentes Jahjaga në mbledhjen komemorative me rastin e vdekjes së deputetes Nekibe Kelmendi

Është moment shumë pikëllues dhe i dhimbshëm mbledhja për t’u përshëndetur për herë të fundit me zonjën Nekibe Kelmendi, e cila i dha aq shumë Kosovës, atdheut dhe popullit të saj.

E nderuara familje e zonjës Nekibe Kelmendi,
 
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Është moment shumë pikëllues dhe i dhimbshëm mbledhja për t’u përshëndetur për herë të fundit me zonjën Nekibe Kelmendi, e cila i dha aq shumë Kosovës, atdheut dhe popullit të saj.
 
E nderuara zonja Nekibe Kelmendi gjithë jetën e saj u angazhua për të mirën e qytetarëve, për liritë dhe të drejtat e njeriut, për sundim të ligjit, për shtetndërtim dhe për krijim e funksionim të institucioneve demokratike.
 
Vizioni i saj mbeti - Republika e Kosovës shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.     
 
Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës Nekibe Kelmendi dhe të të gjithë lëvizjes gjithëpopullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal.
 
Puna e zonjës Nekibe Kelmendi zgjoi admirim për përkushtimin e saj, për qasjen tejet profesionale, për qëndrimin dashamirës si dhe për vendosmërinë që të jetë e pakompromis në mbrojtjen e parimeve në të cilat besonte, në barabarësinë e të gjithëve përpara ligjit dhe në përjetësimin e normës së sundimit të ligjit në shoqërinë kosovare.
 
Angazhimi politik ishte përafrues që harmonizonte dallimet por që asnjëherë nuk lëshonte pe në konceptet dhe në parimet që i konsideronte parakusht i ndërtimit të së ardhmes më të mirë për brezat që do të vijnë.
 
Familja Kelmendi flijoi më të dashurit e saj në altarin e lirisë së atdheut, dhe të gjithë ne mbeteshim të stepur përpara stoicizmit të kësaj nëne, bashkëshorteje dhe motreje, që neve na jepte kurajë t’i kapërcejmë traumat e së kaluarës duke mos pasur fije të urrejtjes në shpirtin e saj të mbushur me plot dashuri dhe humanizëm.      
 
E ardhmja nuk duhet te jetë peng e së kaluarës dhe e kaluara, sado e rëndë dhe e dhimbshme të jetë, nuk bën të na mbetet pengesë për të ndërtuar shoqërinë e së ardhmes, na thoshte zonja Nekibe  kur ne ndonjëherë i shfaqnim dilemat e çastit.
 
Zonja Nekibe Kelmendi në këtë botë po i lë më të dashurit e saj, familjen, miqtë, shokët, dashamirët, përkrahësit të cilëve ju shërben si shembull i mirë,  për të shkuar në botën e amshueshme, për të takuar familjarët më të dashur, për të cilët ndjente mall dhe dhimbje që dinjitetshëm i mbante për vete.
 
Kosovës do t’i mungojë zonja Nekibe Kelmendi dhe plejada e njerëzve që u shkrinë për idealin kombëtar, por Kosovës do t’i jetë udhërrëfyese e përhershme që sa herë të zihet në vështirësi, kurajën dhe besimin ta merr te zonja Nekibe Kelmendi. 
 
Zonja Nekibe, ju faleminderit për të gjithë atë që bëtë për ne.