Fjala e Presidentes Jahjaga në Lutjet e Mëngjesit

Është kënaqësi që në këtë ceremoni, që organizohet për herë të parë në Republikën e Kosovës, po marrin pjesë kaq shumë miq të vendit tim duke qenë të bashkuar në këtë lutje të mëngjesit.Kjo lutje është një mundësi që së bashku, me të gjitha dallimet që secili prej nesh ka në vete, të ndalemi dhe të mendojmë për veprimet tona të deritanishme dhe ndikimin e tyre në jetën e përditshme të qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre.

I nderuar Kryetar i Kuvendit Krasniqi,
I nderuar Kryeministër Thaçi,
Të nderuar zv. Kryeministra,
Ministra dhe zv. Ministra nga Kosova dhe Rajoni,
Kongresmen Aderholt dhe McEwen,
Të nderuar Ambasador dhe përfaqësues të Misioneve Diplomatike në Kosovë,
Të nderuar Lider të partive Politike,
Deputet të Kuvendit të Kosovës,
Zoti Beasley dhe Zoti Holmes,
Të nderuar udhëheqës dhe përfaqësues të komuniteteve Fetare,
I nderuar Kryetar i Komunës së Prishtinës Dr. Isa Mustafa,
Të nderuar mysafir nga Rajoni dhe më gjerë,
Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi që në këtë ceremoni, që organizohet për herë të parë në Republikën e Kosovës, po marrin pjesë kaq shumë miq të vendit tim duke qenë të bashkuar në këtë lutje të mëngjesit.

Kjo lutje është një mundësi që së bashku, me të gjitha dallimet që secili prej nesh ka në vete, të ndalemi dhe të mendojmë për veprimet tona të deritanishme dhe ndikimin e tyre në jetën e përditshme të qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre.

Vendimet e liderëve kanë të bëjnë me përditshmërinë dhe cilësinë e jetës së secilit qytetarë,  andaj   të ndalemi dhe të analizojmë se mos sfidat e përditshme na kanë bërë të harrojmë atë që është qenësore, respektin për jetën e njeriut.

Republika e Kosovës është në një moment shumë të rëndësishëm të fuqizimit të shtetit duke e pasur për prioritet interesin e secilit qytetar.

Kosova sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, është model se si funksionon një shtet shumetnik dhe është një shembull konkret se si diversiteti është vlerë e një shoqërie.

Republika e Kosovës, shteti me i ri ne Evropë, synon të jep shembullin  më të  mirë se si ndërtohen marrëdhëniet e mira ndëretnike e ndërfetare, duke u karakterizuar me tolerancë, mirëkuptim e  bashkëjetesë. Ky është  identiteti.  Ky është vullneti ynë i përbashkët i shprehur lirshëm për ndërtimin e  shoqërisë  demokratike të njerëzve të lirë dhe të barabartë, të ndërtimit të shtetit të së drejtës. 

Të nderuar të pranishëm,

Besimi është një motiv , një shtysë shtesë për të  arritur çdo synim me shumë përkushtim e dashuri. Unë fuqimisht besoj se aty ku ka vullnet të mirë dhe besim, mund të arrihet sukses. Kurrë nuk duhet të harrojmë se ndryshimi fillon me ne, me veprimet dhe ndërveprimet tona ditore, në jetën tonë të përditshme.

Të nderuar të pranishëm,

Republika e Kosovës është shtet shumetnik. Qytetarët e Kosovës me përkatësi të ndryshme nacionale, fetare, kulturore e gjuhësore, përbëjnë një mozaik të mrekullueshëm dhe dëshmojnë se pavarësisht se sa të ndryshëm mund të jemi, secili në përpjekje për të ruajtur, kultivuar dhe avancuar identitetin e vetë, në të gjithë jemi shumë unik në dashurinë që kemi për vendin tonë.

Sa më të avancuara që te jenë të drejtat e  komuniteteve të ndryshme në një shtet, aq më i forte do të jetë ai. Këto vlera nuk mund të bëhen pjesë e politikës tonë, nëse nuk janë pjesë e zemrës tonë.

Ndryshimet nuk vijnë me fjalë por me veprime konkrete. Të flasim më pak e të punojmë më shumë. Ashtu siç na ka porositur e lumja Nënë Tereze se:

”E djeshmja ka shkuar, e nesërmja ende nuk ka ardhur. Ne kemi vetëm të sotmen . T’ia fillojmë”.  E cila gjithashtu thotë se  “Nëse nuk ka paqe ne botë, kjo është ngase ne kemi harrur se i përkasim njëri-tjetrit”.

Te lutemi të gjithë për njeri-tjetrin. Të mendojmë për të mirat tona të përbashkëta. Të punojmë secili në vendin dhe për vendin e vet, duke menduar për të mirën e të gjithëve.
 
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Zoti e Bekoftë Kosovën!
Faleminderit !