Fjala e Presidentes Jahjaga në lansimin e platformës për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë

Më lejoni që fillimisht të falënderoj Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadën Britanike në Kosovë dhe Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, që po përkujdesen që zëri dhe nevojat e grave viktima të dhunës së drejtpërdrejtë në luftën e fundit në Kosovë të mos heshten.

Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni që fillimisht të falënderoj Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadën Britanike në Kosovë dhe Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, që po përkujdesen që zëri dhe nevojat e grave viktima të dhunës së drejtpërdrejtë në luftën e fundit në Kosovë të mos heshten.

Këto organizime njëkohësisht po ngrisin në vazhdimësi vetëdijen për parandalimin e përdorimit të dhunimit si mjet lufte dhe po kontribuojnë në identifikimin sa më adekuat të masave që duhet të ndërmerren për të adresuar pasojat afatgjate që kjo lloj dhune lë në shoqëritë e dala nga konflikti.

Dhunimet kanë lënë plagë të thella në Kosovë. Gruaja në Kosovë, gjatë tërë periudhës së luftës, ka qenë pjesë e pandashme e tragjedisë dhe e përpjekjeve të përbashkëta për të siguruar një të ardhme më të mirë. Si e tillë ajo ka qenë edhe viktima më e madhe e gjithë luftës – në rrethana aq të vështira sa janë të papërshkrueshme, ajo shumë shpesh ka bartur barrën e familjes dhe ka siguruar ekzistencën e saj.

Fatkeqësisht, gratë kanë qenë edhe shënjestra të drejtpërdrejta të dhunës si mjet lufte, luftë kjo e cila për to kurrë nuk do të ketë një fund. Sepse gratë e përdhunuara gjatë konfliktit jo vetëm që janë viktima të përdhunuesve, të mbijetuara të torturës dhe bartëse të kësaj episode të rëndë, por shpesh janë edhe viktima të rrethit në të cilin jetojnë, për shkak se përballen me përbuzjen dhe përjashtimin nga shoqëria për lirinë e së cilës ato sakrifikuan shumë.

Para pak kohësh, ne ishim dëshmitarë të një debati të shëmtuar rreth statusit të grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë dhe e sulmit ndaj një aktivisteje dhe deputeteje të Kuvendit të Kosovës, që pareshtur po mbronte dinjitetin e viktimave të luftës.

Si Presidente e Republikës së Kosovës, u bëra thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, komisioneve parlamentare, mekanizmave qeveritarë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit – të përqendrohemi bashkërisht në gjetjen dhe përcaktimin e formës më të përshtatshme për ta ofruar ndihmën tonë si institucione dhe si shoqëri viktimave të dhunës seksuale të luftës.

Po e përsëris atë që e kam thënë edhe atëherë – Asnjëherë nuk do të gjejmë përgjigje të lehta në pyetje të vështira. Por, kjo nuk është arsye që t’i shmangemi obligimit tonë si shoqëri dhe përkujdesjes tonë për këtë kategori të viktimave.

Dhe qëndroj pranë premtimit tim se do të përkujdesem personalisht, në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese, të mos lejoj që gratë e dhunuara të viktimizohen sërish dhe të stigmatizohen më tej nga pakujdesitë tona, nga bindjet personale, mospajtimet politike apo hezitimi që ka dominuar sferën tonë publike në raport me këtë kategori viktimash.

Po e them edhe një herë: Në këtë diskutim nuk ka ne dhe ato. Jemi ne dhe jemi një.

Qëllimi që i kemi vënë përpara vetes që të ndërtojmë një shoqëri ku çdo qytetar ka qasje të barabartë në shërbimet që i nevojiten për të pasur një jetë të dinjitetshme duhet të shndërrohet në realitet për çdo qytetar të shtetit tonë.

Ua kemi me borxh këtyre grave dhe vetes që t’i njohim vuajtjet e tyre dhe të mos ua kthejmë shpinën, të mos i lëmë të vuajnë në heshtje.

Të nderuar të pranishëm,

Si Presidente e Republikës së Kosovës dhe nikoqire e Samitit Ndërkombëtar të Grave, të mbajtur në Kosovë vitin e kaluar, në kuadër të Parimeve të Prishtinës për herë të parë kemi kërkuar që grave të përdhunuara t’iu njihet statusi ligjor i viktimave të luftës.

Megjithatë, obligimi ynë si institucione dhe shoqëri ndaj grave të dhunuara nuk duhet të përfundojë me përgjigje legjislative, përkrahje morale dhe masa të tjera rehabilituese.

Mbi të gjitha, ne sot duhet të kërkojmë drejtësi për to. Viktimave të dhunës seksuale, që besohet të kenë përfshirë afro 20 mijë femra shqiptare në Kosovë, u duhet drejtësi, sepse dhunuesit përgjegjës për këtë krim makabër kanë kaluar të pandëshkuar deri sot.

Mosadresimi i drejtë dhe me seriozitet i këtij fenomeni të shëmtuar të luftës dhe mosndëshkimi i atyre që e bartën këtë strategji për qëllime të caktuara politike, i viktimizon edhe më tej gratë e prekura nga kjo dhunë dhe nuk e lejon integrimin e tyre.

Ju faleminderit!