Fjala e Presidentes Jahjaga në konferencën “Vlerësimi i zbatimit të Planit të Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial për Luftimin e Korrupsionit”

Kam kënaqësinë që sot bashkërisht jemi në Institutin e Kosovës për Drejtësi që përmes një studimi të detajuar jep vlerësimet për punën dhe rezultatet e institucioneve tona në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

I nderuari kryeprokuror i Shtetit,
Të nderuar prokurorë dhe përfaqësues të institucioneve të sigurisë në Kosovë,
E nderuara zëvendësshefe e Ambasadës Britanike në Kosovë, Louise Taylor,
Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
I nderuar z. Musliu,

Kam kënaqësinë që sot bashkërisht jemi në Institutin e Kosovës për Drejtësi që përmes një studimi të detajuar jep vlerësimet për punën dhe rezultatet e institucioneve tona në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Përmbledhjet e tilla gjithsesi se janë të vlefshme për të gjithë mekanizmat e thirrur për luftimin e dukurive negative në vend, në veçanti për luftën kundër korrupsionit, sepse ato mëtojnë të japin një pasqyrë të praktikave të suksesshme dhe sfidave që institucionet, shoqëria civile dhe qytetarët e Kosovës duhet t'i adresojnë për të përmbushur vizionin e ndërtimit të shtetit të së drejtës, të integruar në familjen euroatlantike.

Ne sot ndodhemi në një moment vendimtar për të ardhmen e shtetit, e  cila varet nga veprimet tona për t’u përballur me sfidat përpara nesh. Ndodhemi në një periudhë të rëndësishme për vendin, kur proceset nëpër të cilat po kalojmë përcaktohen nga guximi dhe forca jonë për të vepruar. Dhe veprimet tona varen plotësisht nga vullneti ynë, edhe politik, sepse fenomeni i korrupsionit dhe i krimit të organizuar nuk mund të çrrënjosen thjeshtë vetëm për shkak të dëshirës sonë për t’i parë të zhdukura.

Ka shumë kohë që shoqëria në Kosovë ka dëgjuar prej nesh, qoftë udhëheqës të institucioneve të shtetit, por edhe prej jush mekanizma të thirrur për luftimin e këtyre fenomeneve, zotime për tolerancën zero ndaj korrupsionit.Korrupsioni dëmton proceset demokratike dhe në veçanti godet sundimin e ligjit. Korrupsioni e prek cilësinë e jetës së qytetarëve tanë, shkatërron qelizat kryesore të shoqërisë dhe çon drejt fenomeneve të tjera të rrezikshme.  Ai gjithashtu mund të godas rëndë edhe vlerat më të rëndësishme të saj.

Dhe prandaj duhet ta ndalim!

Jemi përkushtuar për ndërtimin e një shteti që i trajton të gjithë qytetarët të barabartë para ligjit, se askush nuk mund të jetë mbi ligjin, se vullneti ynë për të ndërtuar shtetin e së drejtës është realitet dhe se e ardhmja nuk mund të pengohet nga kushdo, që del përtej ligjit. Ju jeni në ballë të institucioneve që janë të thirrura për të luftuar fenomenet negative në shoqëri. Barra mund të bie mbi ju, po aq sa mbi ne udhëheqësit e vendit, që duke treguar vullnetin tonë dhe mbështetjen tonë për ju, të dëshmojmë se të ardhmen e të rinjve tanë nuk do ta mbajmë peng.

Duhet të dëshmojmë së bashku, që të marrim përgjegjësinë tonë në luftën kundër korrupsionit. Ne duam që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm, sikur edhe qytetarët e tjerë të këtij rajoni, në vendet e BE-së. Dhe ky proces i liberalizimit të vizave varet nga ne, edhe nga udhëheqësit e institucioneve, nga ju prokurorë, nga ju gjykatës. Korrupsioni nuk mund ta pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, po aq sa nuk mund të ndalojë procesin e integrimit në BE.

Prandaj na duhet forcë dhe vullnet!

Ne duam që qytetarët tanë të jetojnë në një vend të mundësive të mëdha, të zhvilluar ekonomikisht. Zhvillimi ekonomik dhe investimet e huaja në Kosovë si dhe krijimi i një klime të mirë për biznes, nuk duhet të rrezikohet nga korrupsioni.

Lufta kundër korrupsionit bëhet në çdo nivel edhe atë qendror edhe komunal. Lufta kundër korrupsionit nuk mund të jetë e copëzuar, selektive dhe e pakryer. Ajo është gjithëpërfshirëse, sepse korrupsioni po e han çdo segment të jetës. Pra, një luftë e plotë, e përditshme dhe e bashkërenduar nga të gjithë mekanizmat institucional.

Prandaj këtu na duhet përfshirja e gjithë shoqërisë!

Jua kemi borxh qytetarëve të Kosovës, por mbi të gjitha obligim tonin, që të punojmë së bashku dhe të gjejmë mënyrat më të mira për t’u siguruar atyre një jetë më të mirë. Ne sot kemi nevojë për krijimin më të shpejtë të institucioneve të vendit, dhe ju mbetet në përgjegjësi të deputetëve të Kuvendit, që të tregojnë gatishmërinë për të zgjidhur nyjat për funksionimin e institucionit për të cilin kanë marrë votat e qytetarëve të vendit, dhe kjo do të mundësojë miratimin e një numri ligjesh që do të ndihmojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ligje që duhet të zbatohen dhe që duhet të respektohen.

Dhe, mbi të gjitha, ligje që do të kërkojnë guximin e vullnetin tonë dhe forcën tonë për të ecur përpara në ndërtimin e një shteti të së drejtës, të pastër dhe ku mirëqenia e qytetarëve tanë do të jetë përparësi.

Ne po dëshmojmë në vazhdimësi që tashmë kemi ndërtuar kapacitete të mjaftueshme dhe profesionale, të cilat po arrijnë të harmonizohen për t'u ballafaquar me kërcënime serioze ndaj sigurisë tonë kombëtare. Unë nuk kam dyshim që rezultatet në jetësimin e zotimit tonë për ta ndërtuar Kosovën si shtet demokratik e prosperues nuk do të mungojnë as në betejat tona të radhës.