Fjala e Presidentes Jahjaga në konferencën “Pjesëmarrja dhe roli i femrës në institucionet e sigurisë në Kosovë”

Gratë në Kosovë gjithmonë kanë qenë shtylla e shoqërisë duke ruajtur familjet por gjithashtu edhe duke marrë role të cilat nuk kanë qenë tradicionalisht të tyre për të ndihmuar mbijetesën e familjeve të tyre dhe duke rindërtuar komunitetin e tyre.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,
Të nderuar deputet,
I nderuar zv/ministër z. Veseli,
I nderuar drejtor z. Maxhuni,
I nderuar drejtor i NDI-së për Kosovë, z. Chavarria
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe Zotërinj,


Është kënaqësi të jem sot me ju këtu për të shënuar punën e grave në Kosovë të cilat janë të dedikuara të bëjnë Kosovën një ambient të sigurt, dhe punën e qindra mijëra, nëse jo miliona grave rreth e qark botës të cilat vazhdojnë të sakrifikojnë dhe të kryejnë detyrën e rëndësishme ditore për ndërtimin e shoqërive prosperuese dhe vendeve ku mbizotëron drejtësia.
 
Gratë në Kosovë gjithmonë kanë qenë shtylla e shoqërisë duke ruajtur familjet por gjithashtu edhe duke marrë role të cilat nuk kanë qenë tradicionalisht të tyre për të ndihmuar mbijetesën e familjeve të tyre dhe duke rindërtuar komunitetin e tyre.
 
Në këto vite të tranzicionit në Kosovë, një periudhë e mundimit dhe kontradiktave, gratë kanë qenë shpesh viktimat kryesore të sfidave që sjellin këto procese. Prapë se prapë, ato kanë gjetur vullnetin dhe motivimin të lëvizin shoqërinë përpara.
 
Pas luftës, gratë në Kosovë u bënë ndërtuese të urave në mes komuniteteve që u ndanë nga konflikti.
 
Ato ishin të përfshira në politikën ditore dhe shërbime publike dhe siguronin se politikat që ndërtoheshin në Kosovën e pasluftës të ishin të balancuara dhe të plotësonin nevojat e secilit komunitet dhe secilit individ pa marrë parasysh përkatësinë etnike.
 
Gratë kanë tejkaluar ndasitë partiake dhe ideologjitë e ngurta për t’u bashkuar rreth një agjende të përbashkët për të vazhduar fuqizimin e grave, veçanërisht në sektorin e sigurisë, i cili është çelës për të siguruar përfaqësimin e plotë të grave në Kosovë dhe kyç për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë.
 
Gjatë kohës sime në shërbimin publik dhe sektorin e sigurisë, jam bindur se nuk mund të kemi një demokraci të vërtetë dhe domethënëse nëse nuk bëjmë përpjekje çdo ditë për të përfshirë secilin anëtar të shoqërisë në procesin tonë të vendimmarrjes dhe nëse secili anëtar i shoqërisë sonë nuk ndjehet i sigurt dhe nuk trajtohet si i barabartë.

Të nderuar pjesëmarrës,
 
Shumë studime deri tash kanë ardhur në përfundim se niveli i pjesëmarrjes së grave në një shtet është ngushtë i lidhur me nivelin e zhvillimit të atij shteti.
 
Pra, pjesëmarrja e grave në çdo fushë të jetës nuk është vetëm moralisht e drejtë; por gjithashtu garanton një të ardhme të sigurt për të gjithë ne.
 
Duke ndërtuar mbi shumë punë të kryera për përfshirjen e grave në Kosovë që nga viti 1999 nga aktiviste femra, udhëheqës politik dhe shoqëria në përgjithësi, unë si Presidente e Kosovës kam kërkuar që të shtyj përpara këtë vizion të një shteti ku çdo anëtar trajtohet në mënyrë të barabartë.
 
Ne kemi fokusuar përpjekjet tona në hartimin e legjislacionit i cili është i ndërgjegjshëm për nevojat e gruas në shoqërinë tonë por gjithashtu edhe për potencialin e saj. Kemi ende punë për të bërë të kalojmë nga legjislacioni në implementim dhe duke shkuar përpara këtu qëndron sfida kryesore.
 
Duke përshëndetur punën që është bërë nga gjeneratat para nesh dhe shumë nga ju që vazhdoni të luftoni për barazi dhe drejtësi shoqërore, Ju ftoj të gjithëve këtu, nga Parlamenti në Ekzekutiv dhe Agjencitë tjera të përkrahni misionin e grave në këtë sektor.
 
Ne të gjithë jemi të barabartë dhe si të barabartë do të garantojmë një Kosovë të sigurt.
 
Faleminderit!