Fjala e Presidentes Jahjaga në konferencën “Gratë dhe Biznesi”

Kam kënaqësinë që të jem me ju sot dhe të ndaj përvojat me juve gra ndërmarrëse, por edhe me të gjithë ju që në mënyra të ndryshme keni dëshmuar mbështetjen për zhvillimin ekonomik të Kosovës, përmes përkrahjes së bizneseve të vogla dhe të mesme të udhëhequra nga gratë.

E nderuara zonja Maureen Shauket,
Të nderuara gra ndërmarrëse të Kosovës,
Të nderuar të pranishëm!

Kam kënaqësinë që të jem me ju sot dhe të ndaj përvojat me juve gra ndërmarrëse, por edhe me të gjithë ju që në mënyra të ndryshme keni dëshmuar mbështetjen për zhvillimin ekonomik të Kosovës, përmes përkrahjes së bizneseve të vogla dhe të mesme të udhëhequra nga gratë.

Gruaja në Kosovë, për shumë kohë, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm në mbajtjen dhe ruajtjen e familjes, por edhe në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetësisë, në fuqizimin e institucioneve të vendit dhe zhvillimin e demokracisë, përmes pjesëmarrjes së saj të drejtpërdrejtë në të gjitha proceset.

Për dekada me radhë, gruaja në Kosovë ka dëshmuar vendosmërinë për të bërë ndryshime pozitive në shoqëri, duke dëshmuar se ky ndryshim fillon me të, për të sjellë vlera të mirëfillta demokratike, si dhe për të thyer paragjykimet për të dhe vlerat e saj.

Krahas rolit shumë të rëndësishëm në përkujdesjen për fëmijët dhe familjen, gratë kanë dhënë kontribut të madh në proceset për të ardhmen e vendit tonë.

Me gjithë përfshirjen e gruas në proceset më të rëndësishme për vendin, që prej para luftës dhe gjatë gjithë periudhës së shtetndërtimit tonë, ajo ende nuk i ka tejkaluar barrierat gjinore dhe ende nuk është bërë pjesë plotësisht e barabartë e shoqërisë sonë.

Përpjekjet për ta fuqizuar ekonomikisht gruan, janë përpjekje për të treguar jo vetëm nivelin e demokratizimit të shoqërisë por, mbi të gjitha, për ta orientuar vendin drejt një zhvillimi më të drejtë dhe më të hovshëm ekonomik. Fuqizimi ekonomik i gruas është fuqizim i shoqërisë në tërësi, është investim në të ardhmen dhe garantues i prosperitetit të vendit.

Thellësisht jam e bindur se fuqizimi ekonomik i grave, do të na sjellë fuqizimin e tyre në politikë dhe vendimmarrje, aty ku çdo ditë vendoset për fatin e fëmijëve tanë, për të ardhmen e vendit por edhe më gjerë.

Është koha që gruaja ta dëshmojë edhe një herë se sjell ndryshimin në shoqëri, duke punuar në vazhdimësi për të shkolluar vajzat sot, që nesër ato të shndërrohen në agjente të ndryshimeve, të zhvillimit ekonomik dhe t’i rrisin fëmijët e tyre të barabartë pa dallime gjinore, t’ju krijojnë atyre mundësi për një jetë më të begatë.

Investimi në grua është investim në vizionin e vendit dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike, mirëqenien sociale dhe zhvillimin demokratik të secilit shtet.

Na takon neve, grave liderë, që t’i thyejmë të gjitha barrierat në mënyrë që gratë të japin kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit dhe jo vetëm.

Ne duhet të dëshmojmë përkushtimin dhe seriozitetin tonë si shoqëri, për të garantuar pjesëmarrjen aktive të vajzave dhe grave në çdo fushë të jetës dhe të shoqërisë sonë, duke e vlerësuar atë si pjesë të pandashme për arritjen e qëndrueshmërisë ekonomike, progresit shoqëror dhe përmbushjes së parimeve të demokracisë.

Në këtë kontekst, dëshiroj të vlerësoj angazhimin e secilës grua ndërmarrëse për t’ju njohur sfidat nëpër të cilat kanë kaluar me qëllim të arritjes së synimit për ta bërë gruan pjesë të barabartë të shoqërisë. Gratë në Kosovë sot udhëheqin me vetëm 6 për qind të bizneseve dhe vetëm 8 për qind e pronës është në emrin e saj.

Ky trend, megjithatë, duhet të ndryshojë. Institucionet e vendit duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, që udhëhiqen nga gratë ndërmarrëse, që udhëhiqen nga ju.

Ndihmë të jashtëzakonshme në këtë drejtim ka dhënë Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar. Andaj, dëshiroj të vlerësoj në veçanti kontributin e drejtoreshës së USAID znj. Maureen Shauket, mikes time, tek e cila institucionet e Kosovës dhe e gjithë shoqëria kanë gjetur një bashkëpunëtore të ngushtë dhe partnere besnike për zhvillimin e demokracisë dhe fuqizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Maureen, ju falënderoj nga zemra, për punën tuaj të palodhshme dhe përkushtimin për të përkrahur çdo iniciativë për barazi gjinore e sidomos gratë në politikë e vendimmarrje dhe gratë në biznes.  Në këtë formë ju personalisht keni mbështetur zhvillimin e institucioneve demokratike dhe fuqizimin e shtetit të së drejtës. Faleminderit Moureen për gjithë kontributin e juaj në kuadër të programit të USAID-it në Kosovë!
 
Të nderuara gra ndërmarrëse,

Në fund, dëshiroj të ndaj me ju një fakt të publikuar para disa ditësh në Revistën prestigjioze Forbs, ku thuhet se këtë vit gratë ndërmarrëse përbëjnë 20 për qind të grave më të fuqishme në botë.

Ato janë të suksesshme, sepse kanë rrezikuar, kanë talent, janë shumë kreative dhe, mbi të gjitha, ato kanë punuar shumë. Të tilla jeni edhe ju.

Ju dëshiroj shumë suksese në zhvillimin dhe zgjerimin e bizneseve tuaja!