Fjala e Presidentes Jahjaga në Konferencën e Ambasadorëve

Ndonëse shumë prej jush ju kam takuar në zyrën time këtë vit dhe më ka rastisur që të punojmë bashkërisht në realizimin e një viti të suksesshëm diplomatik për Kosovën, kam kënaqësinë që sot t’ju shoh të gjithëve të mbledhur në Prishtinë për të zhvilluar një diskutim - shpresoj produktiv dhe gjithëpërfshirës - që vlerëson përpjekjet tona të deritashme në politikën e jashtme, që i identifikon mangësitë që i kemi hasur në pesë vitet e ekzistimit si shërbim diplomatik i organizuar dhe që vendos parimet bazë mbi të cilat do të hartojmë strategjinë tonë përpara.

Pesë vjet më parë kur Republika e Kosovës hapi ambasadat e saj të para, si shtet kishim përpara shumë sfida – atë të krijimit të institucioneve autonome, të marrjes së kompetencave dhe përgjegjësisë për ta qeverisur dhe menaxhuar shtetin demokratik, të riparimit të relacioneve mes komuniteteve brenda Kosovës dhe të një stabilizimi ekonomik që do të dëshmonte seriozitetin tonë për ta ndërtuar një shtet të qëndrueshëm.

Në planin e jashtëm na duhej të legjitimoheshim si shtet përmes njohjeve bilaterale, pranimit në organizata ndërkombëtare dhe lidhjes së urave të bashkëpunimit me shtetet e rajonit, shumica e të cilave na njohën si realitet të pamohueshëm, si faktor paqeje dhe stabiliteti.

Na duhej që të investonim edhe më tutje në forcimin e marrëdhënieve tona me partnerët strategjik –  Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e Bashkimit Evropian - me të cilët e ndërtuam Kosovën e re dhe të vazhdonim të projektonim optimizmin dhe suksesin që kishte përshkuar këtë periudhë të partneritetit shtetndërtues, të paparë më herët në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare.


Njëkohësisht, u desh shumë mund dhe përpjekje për të zhbërë një imazh negativ që ishte krijuar për Kosovën në shumë qendra botërore nëpër të cilat ende nuk kuptohej në tërësi dhe drejt kauza e qytetarëve të Kosovës për të ndërtuar një vend të lirë dhe demokratik, me ambicie për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, për ta shtuar zërin e vet në përpjekjet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të adresuar sfidat globale.

Tani, kur po mbushim gjashtë vjet të realizimit të kësaj ëndrre të gjeneratave të tëra, që u arrit me sakrifica të shumta, shtetësia jonë është e pakthyeshme dhe e palëkundshme.

Ne u betuam që shtetin tonë dhe politikëbërjen e institucioneve tona do ta udhëheqin parimet dhe idealet e botës demokratike, se qytetari i Republikës së Kosovës do të jetë i barabartë pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare.

Me suksesin tonë të brendshëm për të rinisur një dialog të mirëfilltë me komunitetin serb në komunat veriore të Kosovës për t’i integruar ata në jetën institucionale dhe shoqërore të Republikës së Kosovës, dhe me orientimin tonë për të investuar në normalizimin e marrëdhënieve me shtetin fqinj të Serbisë – sado që i vështirë dhe kundërthënës të ketë qenë ky proces –  ne kemi ndryshuar jo vetëm të ardhmen e vendeve tona, por fuqimisht besoj se kemi ndërtuar një Kosovë të mëvetësishme që nuk është peng i të tjerëve. Me krijimin e një realiteti të këtillë ne kemi dëshmuar përfundimisht se nuk e presim duarkryq normalizimin, por aktivisht e krijojmë dhe e ndërtojmë atë.

U përkushtuam për këtë vizion të bindur se kjo rrugë e ndërmarrë do të forconte lidhjet mes qytetarëve tanë, do të rikthente besimin në institucionet shtyllë të shtetit, do të krijonte mirëqenien e të gjithëve. Investimi në këtë stabilitet të brendshëm ishte i domosdoshëm sepse, siç jemi të gjithë dëshmitarë, ai do të reflektonte në subjektivitetin tonë të jashtëm. Dhe është pikërisht domosdoshmëria për ta forcuar këtë subjektivitet që na sjellë sot së bashku.

Tash, kur kemi çimentuar pavarësinë, sovranitetin dhe kemi siguruar integritetin tonë territorial, na duhet një forcë e re, një élan i ri, për t’i bërë të pakthyeshme edhe proceset integruese të cilat i kemi filluar.

Sot jemi më të përgatitur se pesë vjet më parë. Jemi të pajisur me përvojat e shteteve nikoqire, me miqësinë dhe përkujdesin e pakursyer të aleatëve tonë dhe partnerëve tanë strategjik që suksesin tonë e konsiderojnë pjesë integrale të suksesit të tyre. 

Andaj kjo konferencë, të nderuar ambasadorë, është e domosdoshme, sepse prioritetet dhe resurset globale kanë ndryshuar dhe krahas kësaj, me orientimin tonë euroatlantik gjithmonë si pikë referimi - duhet të ndryshojë edhe aftësia jonë për t’u adaptuar, për të vazhduar të jemi relevantë dhe bashkëpunëtorë të partnerëve tanë strategjik dhe për të krijuar aleanca dhe mundësi të reja – sidomos në rrafshin ekonomik - aty ku ato më parë nuk kanë ekzistuar. Sepse sot nuk është e rëndësishme nëse je shtet i madh apo shtet i vogël. E rëndësishme është se si mund të bëhesh shembull stabiliteti, si mund ta japësh kontributin konkret në adresimin e sfidave lokale dhe globale.

Të nderuar ambasadorë,

Si Presidente e Republikës së Kosovës dhe faktor uniteti e bartëse e politikës së jashtme, dua t’ju falënderoj për punën dhe përkushtimin që e keni treguar gjatë shërbimit tuaj në diplomacinë e Kosovës, dhe në veçanti disa prej jush që keni bërë një përfaqësim dinjitoz të shtetit tonë.

E di se, si çdo fillim tjetër, as ky fillim nuk ka qenë i lehtë dhe e kam parasysh që shumë prej jush po përballeni me sfida të përditshme – duke filluar nga mungesa evidente e stafit esencial e deri te mungesa e instruksioneve nga institucionet tona.

Shpreh shpresën time që në këtë konferencë do të mund t’i adresoni disa nga këto kërkesa të cilat do t’i kontribuojnë komunikimit tonë më efektiv me qendrat vendimmarrëse të botës, bashkëveprimit dhe bashkërendimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, pa humbur synimin parësor të kësaj konference që të kontribuoni konkretisht me ide se si të adaptohen më mirë resurset që i kemi në dispozicion me nevojat dhe synimet tona.

Por njëherit dua t’ju përkujtoj që ne kemi nderin dhe privilegjin të jemi në shërbim të qytetarëve të Kosovës në këtë moment historie kur për herë të parë e kemi mundësinë ta vendosim fatin tonë dhe ta përcaktojmë të ardhmen tonë.

Për herë të parë, në shumë kryeqytete të botës, ju e përfaqësoni Republikën e Kosovës, idealet e ngërthyera në Kushtetutë, dhe i artikuloni zëshëm interesat e saj.

Andaj kërkoj nga ju që t’i rrini lojal misionit që keni marrë për të ndërtuar një shërbim diplomatik profesional dhe të papolitizuar, të bazuar në ligj, që në zemër dhe në mendje ka vetëm një qëllim: avancimin e interesave të Kosovës.

Në këtë ndërmarrje gjithmonë do ta keni përkrahjen time.

Ju faleminderit!