Fjala e Presidentes Jahjaga në Kolegjin Barnard të Universitetit Columbia në New York

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mbajti fjalë në Kolegjin Barnard të Universitetit Columbia ne New York në temën e përfshirjes së gruas në shërbimet publike.

Në panel të organizuar në Kolegjin Barnard, në kuadër të projektit “Gruaja në Shërbimet Publike”, përveç Presidentes Jahjaga, morën pjesë edhe kryeministrja e Tailandës, Yingluck Shinawatra, kongresistja dhe drejtorja e Qendrës Woodrow Wilson, Jane Harman, e dërguara e posaçme e sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton për komunitetin mysliman, Farah Pandith dhe përfaqësuesja e posaçme e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për dhunën ndaj fëmijëve, Marta Santos Pais. 
Presidentja Jahjaga dhe pjesëmarrëset e tjera në panelin e organizuar në kolegjin Barnard folën për përvojat e tyre në shërbime publike dhe për përfaqësimin e femrës në këto shërbime si dhe për pozitën e tyre në shoqëri.
 
Në vazhdim po japim fjalën e plotë të Presidentes Jahjaga
 
E nderuara kryetare Spar,
E nderuara zonja Harman, zonja de Alwis, zonja Pais, zonja Pandith,
Zonja dhe zotërinj,
Të dashur miq,
 
Është kënaqësi të jesh këtu me ju këtë mbrëmje, që të bashkëbisedojmë mbi rëndësinë që ka gruaja lidere dhe mbi ndikimin që ka angazhimi i gruas në shërbimin publik, si dhe të ndajë me ju përvojat e mia si presidente e parë femër në Kosovë dhe e vetmja presidente, deri më tani, në Ballkan.
 
Unë jam zgjedhur presidente e Kosovës vitin e kaluar, pas një krize të paparashikuar politike me të cilën përballej vendi. Gjykata Kushtetuese sapo kishte marrë vendimin se zgjedhja e presidentit paraprak nuk kishte respektuar rregullat e procedurës dhe partitë politike iu kthyen tryezës së bisedimeve për të gjetur një kandidat të përshtatshëm, i cili do t’i bashkonte ata dhe qytetarët e Kosovës.
 
Ata m’u drejtuan mua që të jem kjo kandidate. Ishte një detyrë e vështirë, për arsye se, përkundër përvojës së paraardhësve të mi dhe shumicës së presidentëve në vendet e tjera të botës, unë asnjëherë nuk kisha kandiduar për këtë post e as nuk e paramendoja veten të inkuadruar në politikë.
 
Ajo që më bëri të dallohem ishte përkushtimi im ndaj një shërbimi, të cilin e njohin shumica në Kosovë.
 
Në vitin 2000, disa muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë, që la pasoja shkatërrimtare për vendin dhe me nevojën për një rindërtim të tërësishëm, unë iu bashkova forcës së re të Policisë së Kosovës. Iu bashkova kësaj force për arsye se gjatë gjithë jetës sime kam qenë në kërkim të lirisë dhe sundimit të ligjit, pas një periudhe të represionit dhe diskriminimit, që karakterizonte përvojën e shumicës së gjeneratës sime që jetonte në Kosovë. Për familjen time po ashtu. Babai im u lind në burg, sepse nëna e tij, një disidente në kohën e regjimit komunist, ishte arrestuar për shkak të kundërshtimit ndaj  regjimit, i cili na kishte mohuar të drejtën që të ushtrojmë liritë tona dhe i cili nuk respektonte as të drejtat themelore të njeriut.
 
Në një shtet të rrënuar, si Kosova e vitit 1999, themelimi i forcës policore ishte kyç, sepse sundimi i rendit dhe i ligjit është një parim bazë për një zhvillim të qëndrueshëm të shtetit. Ky ishte shansi ynë që, për herë të parë në historinë e Kosovës, të krijojmë një forcë e cila ishte demokratike, gjithëpërfshirëse dhe e cila ofronte siguri. Një forcë policore e cila do t’i shërbente të gjithëve, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, gjinore apo fetare. Një forcë policore e cila do ta garantonte lirinë e secilit dhe do të krijonte kushtet që secili qytetar i Kosovës të zhvillojë potencialin e tij të plotë, pa diskriminim, pa paragjykim, me mundësi të barabarta dhe me drejtësi. Të sigurojë prosperitet, i cili bazohet aq shumë në sundimin e ligjit, siç bazohet edhe ambicia e jonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
 
Kjo është arsyeja pse krijimi i Policisë së Kosovës, institucionit më të respektuar në Kosovë, ishte një imperativ për vendosjen e sundimit të ligjit në vendin tim. Për këtë arsye, jam krenare që të them se forca policore, në krijimin e të cilës unë kam ndihmuar, sot është e tillë.
 
Është po i njëjti përkushtim që t’u shërbejë edhe qytetarëve të Kosovës, të cilët kam nderin t’i përfaqësojë, i cili më ka motivuar që ta marr mbi supe përgjegjësinë, dhe sfidën, për t’u bërë Presidente e Republikës së Kosovës.
 
Në baza ditore, sfidat e mia janë sfida të secilit President.

Brenda Kosovës, unë punoj shumë që të jem faktor uniteti, për të cilin jam zotuar se do të jem, kur më kanë votuar në këtë post dhe mundohem që të udhëheqë dhe mbështes reformat të cilat janë të nevojshme për zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit.
 
Jashtë Kosovës, si këtë javë në Nju Jork, unë provoj që udhëheqësve të mbledhur këtu në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, t’ua prezantoj Kosovën e re, si një shtet i cili zhvillohet në paqe, me ndihmën e këtij shteti të mrekullueshëm dhe miqve të saj ndërkombëtarë.
 
Por, duke qenë femra e parë presidente në rajon dhe duke prezantuar një gjeneratë të re të udhëheqësve, unë kam një përgjegjësi shtesë - dua që t’i inspirojë posaçërisht femrat e reja të rajonit që t’i bashkohen “shërbimeve publike”, që të inkuadrohen dhe të kontribuojnë në rindërtimin e shoqërive të tyre dhe të rajonit në tërësi.
 
Pse është kjo e rëndësishme dhe e nevojshme?
 
Së pari, gratë janë shumë të zonja në ndërtimin e urave. Në një shtet që ka përjetuar konflikt, i cili ka dëmtuar lidhjet që mbajnë së bashku strukturën e një shoqërie, gratë kanë treguar një vullnet të jashtëzakonshëm, dhe aftësi, që t’i rindërtojnë ato lidhje të cilat do t’i bashkojnë komunitetet përsëri.
 
Shumë shpesh, gratë janë objektivat më të lehta gjatë konflikteve, dhe janë më të dëmtuarat nga humbjet të cilat i sjellë lufta. Po ashtu, ato janë më të prekura nga varfëria dhe mungesa e e mundësive, dhe ky është një fakt plotësisht i vërtetë, pa marrë parasysh se a jetojnë në Kosovë, Liberi apo Siri. Si të tilla dhe për shkak të mbështetjes në njëra tjetrën, ato janë më të vullnetshme për bashkëpunim dhe krijim të mundësive për vete dhe të tjerët.
 
Ato kanë treguar devotshmëri në kërkesat e tyre për ndryshim dhe i kanë qëndruar besnike parimeve; kanë treguar kurajë dhe nuk janë zmbrapsur aspak nga lufta e tyre për më shumë drejtësi dhe më shumë liri. Dhe për më shumë ato kanë treguar vullnet për të ecur përpara dhe që të mos përsëriten vuajtjet e të kaluarës. Ato kanë treguar përkushtim që të ndalojnë rrethin vicioz të dhunës dhe urrejtjes.
 
Nga viktimë e luftës, që ka vuajtur më drejtpërdrejt të gjitha pasojat, gruaja është shndërruar në udhëheqëse të proceseve e parimeve të përgjithshme në shoqëri. Ajo është bartëse e sigurisë për gjithë shoqërinë. Gruaja është themeli i shoqërisë dhe ajo garanton prosperitetin për të gjithë.

Dhe ato janë udhëheqëse të ndryshimit.

Nuk dua të ndajë burrat dhe gratë, sepse përgjegjësia për të gjitha proceset u bie barrë që të dyja gjinive në mënyrë të barabartë. Në vendin tim, ashtu si në çdo vend tjetër që kalon fazën e tranzicionit, sfidat janë më të mëdha dhe aspak të lehta.
 
Dhe këtyre sfidave kam vendosur që t’u vihem përballë për të siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët e vendit tim dhe për fëmijët tanë. Jam vënë në ballë të luftës kundër korrupsionit me vendosmërinë për ta fituar këtë luftë.

Kur janë të inkuadruara në politikë apo lidership civil, gratë ndihmojnë krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe një demokracie më kuptimplotë, për shkak se ato përfaqësojnë më së paku 50 % të shoqërisë, e cila shpesh nuk është e përfshirë në vendimmarrje. Prania e tyre në parlamente dhe qeveri ndihmon që të krijohen politika më të balancuara që adresojnë nevojat e secilit qytetar.

Përfundimisht, kjo është edhe arsyeja se pse puna e juaj e përbashkët, në  qendrën Woodrow Wilson apo në projektin Gratë në shërbimin publik është aq jetike.
 
Si shtesë e krijimit të një platforme nëpërmjet së cilës ne ndajmë përvojat dhe praktikat më të mira në tërë globin tokësor, përkushtimi konkret i kësaj iniciative për të shtuar numrin e grave në lidership deri në “ 50% deri në vitin 2050” do të rezultojë në politika më të balancuara, në adresimin më të mirë të nevojave dhe shoqëri më gjithëpërfshirëse si rezultat is ë cilës është stabiliteti dhe prosperiteti më të madh për komunitetet dhe vendet tona.
 
Siç ka thënë pak muaj më parë, sekretarja e shtetit Clinton, që është një inspirim për të gjithë ne, “gjasat tuaja që të keni sukses do të jenë më të mëdha nëse ju e zgjeroni rrethin në mënyrë që të përfshini një gamë më të gjerë të ekspertizës, përvojës dhe ideve…Kjo nuk ka të bëjë vetëm me barabarësinë po ka të bëjë me zgjerimin e numrit të njerëzve të talentuar të cilët do të ndihmojnë në përballjen me problemet tona më të mëdha”.
 
Fakti se a është arritur deri tek shtimi i pjesëmarrjes së grave nëpërmes kuotave apo si rrjedhojë e rritjes së vetëdijes se investimi në gruan është investim i garantuar drejt së ardhmes sonë, nuk është edhe aq relevant. Kur të arrihet ky qëllim i pjesëmarrjes së shtuar të grave në të gjitha fushat, do të jetë shembull udhëheqës i mënyrës se si mund të krijojmë një masë kritike për ndryshime pozitive në nivel global, duke i inspiruar gratë që të veprojnë në nivelet e tyre lokale. Prandaj, unë e përgëzoj sekretaren Clinton dhe udhëheqëset e kolegjeve simotra për një vizion kaq inspirues.
 
Përmbushja e këtij caku do të jete një dhuratë nga gratë e kësaj gjenerate për udhëheqëset e gjeneratave të reja, të cilat shpresojmë se do të përparojnë në një periudhë me më pak kufizime dhe më shumë barazi.
 
Juve, grave të reja udhëheqëse, ju them mos u dorëzoni kurrë! Sepse, pa marrë parasysh se sa i vështirë ka qenë ose do të jetë rrugëtimi juaj, duke marrë pjesë në shërbimin publik, ju do të merrni mbi vete zotimin për zgjerimin e lidhjeve mes jush dhe krijimin e partneriteteve të reja, për t’u bërë mentore dhe drejtuese të për njëra tjetrën. Të bëheni shembull. Të tregoni solidaritet dhe të gjeni kurajë. Të ndryshoni jetët e njerëzve dhe të punoni për të mirën e gjithëmbarshme.
 
Dhe ju siguroj se nuk ka asgjë më shpërblyese se kjo.
Ju faleminderit!