Fjala e Presidentes Jahjaga në hapjen e konferencës “Java e Gruas”

Kam kënaqësi të veçantë t’Ju drejtohem sot dhe së bashku të hapim Javën e Gruas në Kosovë duke e vënë theksin në një temë shumë të rëndësishme për avancimin e rolit të gruas në shoqëri - pjesëmarrjen e saj në politikë dhe në vendimmarrje.

Të nderuara pjesëmarrëse,
 
Mike të nderuara,
 
Kam kënaqësi të veçantë t’Ju drejtohem sot dhe së bashku të hapim Javën e Gruas në Kosovë duke e vënë theksin në një temë shumë të rëndësishme për avancimin e rolit të gruas në shoqëri - pjesëmarrjen e saj në politikë dhe në vendimmarrje.
 
Gjatë vitit të kaluar afërsisht në të njëjtën kohë, gjatë Javës së Gruas, vlerësuam rëndësinë e pjesëmarrjes së gruas në çdo fushë të jetës si mënyrë për zhvillim të qëndrueshëm të vendit.
 
Dua të falenderoj NDI-in që në bashkëpunim me grupin e grave deputete, edhe këtë vit organizuan Javën e Gruas në Kosovë për të kontribuar në fuqizimin e pozitës së gruas në vendimmarrje.
 
Avancimi i pozitës së gruas dhe garantimi i vendit të saj të denjë në shoqëri po bëhet çdo herë e më shumë një temë kyçe që po trajtohet jo vetëm në shoqëritë në tranzicion apo ato të pas konfliktit, por dhe në shoqëritë e avancuara, pasi tashmë është vërtetuar se ekziston një lidhje e drejtpërdrejt në mes nivelit të përfaqësimit të grave dhe nivelit të zhvillimit të atij vendi.
 
Kosova po shndërrohet në një vend udhëheqës të politikave dhe nismave konkrete në rajon duke adresuar rëndësinë dhe vlerën e avancimit të rolit të gruas në shoqëri. Rol ky qenësor për vendosjen e parimeve demokratike gjithëpërfshirëse në një shoqëri, për zhvillimin ekonomik të saj dhe për shfrytëzimin e potencialit të çdo qytetari.
 
Në tetor të vitit të kaluar me mbështetjen financiare të USAID dhe ndihmën organizative të NDI mbajtëm Samitin Ndërkombëtar të Gruas “Partneriteti për ndryshim: Fuqizimi i Gruas”, i pari i këtij lloji në rajon, ku u mblodhën gra eksperte të fushave të ndryshme nga e gjithë bota.
 
E kthyem Kosovën në kryeqendrën rajonale të diskutimeve rreth barazisë gjinore dhe shkëmbyem përvojat e praktikat më të mira të shoqërive tona si dhe identifikuam hapat konkret që u mishëruan në dokumentin e Parimeve të Prishtinës.
 
Gjatë samitit adresuam përfshirjen e gruas në jetën publike nga aspekti i sigurisë, fuqizimit ekonomik dhe përfaqësimit politik. Të tre këto shtylla që janë të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe kanë ndikim të drejtpërdrejt te njëra-tjetra.
 
Siç vlerësoi dhe Sekretarja Albright gjatë Samitit, “përfaqësimi politik i gruas çon në fuqizimin ekonomik të saj që kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë e të gjithë qytetarëve. Sfida jonë është të gjejmë mënyrat për të përparuar në tre frontet njëkohësisht”.
 
Kërkimet dëshmojnë se  përfshirja e gruas në vendimmarrje krijon efekt të shumëfishtë, pasi ndikon në pozitën e përgjithshme të gruas në shoqëri, ndikon në ngritjen e vetëdijesimit shoqëror ndaj gruas, ndikon në nivelin e zhvillimin ekonomiko-social të një vendi si dhe ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin demokratik të vendit, në përgjegjësisë e institucioneve dhe shoqërisë ndaj çdo qytetari dhe në qeverisjen e mirë.

Përfshirja e gruas në vendimmarrje, por dhe në çdo fushë të jetës, përcakton çfarë shoqërie dhe shteti duam të kemi dhe të ndërtojmë.
 
Dëshiroj ta ritheksoj se fuqizimi i gruas, nuk është vetëm fuqizim i individit por është fuqizim i tërë shoqërisë dhe i vet shtetit.
 
Kosova ka ndërmarr hapa të rëndësishëm në krijimin e një ambienti gjithëpërfshirës me anë të legjislacioneve që mundësojnë dhe lehtësojnë qasjen aktive të gruas në vendimmarje dhe politikë. Ka ndjekur trendet botërore, i ka bërë pjesë integrale të sistemit të saj dhe ka qenë promotore dhe kontribuuese në proceset e politikave që avancojnë rolin e gruas.
 
Kemi arritur të dëshmojmë se jemi të përkushtuar dhe serioz në këtë çështje, të tejkalojmë ndarjet politike, etnike apo fetare dhe të qëndrojmë të bashkuar në kauzën e avancimit të shoqërisë sonë, të familjeve tona, të fëmijëve tanë, të femrës në Kosovë.
 
Në dhjetorin e vitit të kaluar, grupi i grave deputete me mbështetjen time të plotë i ka propozuar Kuvendit të Kosovës, miratimin e Rezolutës së Parimeve të Prishtinës, duke e bërë këtë dokument ligjërisht të zbatueshëm dhe duke përfshirë në të edhe nismën e ndërmarrë nga ish-Sekretarja Clinton për të rritur numrin e grave në shërbimin civil në 50% deri në vitin 2050.
 
Në nivelin qendror këto masa kanë prodhuar rezultate konkrete. Në Kuvendin e Kosovës gratë përbëjnë mbi 30% të deputetëve të Kuvendit dhe udhëheqin komisione të ndryshme parlamentare.
 
Në të njëjtën kohë, gratë janë pjesëmarrëse aktive në qeverisjen e vendit duke udhëhequr ministri të rëndësishme.
 
Por ky sukses i nivelit qendror, nuk është manifestuar në nivel lokal. Nga 30 komuna, sa ka Kosova, kemi vetëm një grua nënkryetare. Është e vërtetë që në nivel lokal gratë janë të punësuara në institucionet lokale, por niveli dhe fuqia vendimmarrëse që i akordohet gruas nuk e kalon nivelin e mesëm. Prandaj secila komunë në Kosovë, që prej zgjedhjeve lokale të ardhshme, duhet të zotohet që të ketë një nënkryetar – femër. Kjo do të mundësojë jo vetëm përfaqësim të dinjitetshëm të gruas në nivel lokal por edhe përmirësim të pozitës së saj  në secilën komunë.  
 
Përfshirja e gruas duhet të bëhet në çdo nivel dhe në çdo strukturë vendimmarrëse sepse kjo pjesëmarrje aktive në vendimarrje reflekton në vet procesin vendimmarës dhe në balancimin e interesave të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre gjinore.
 
Por përveç që duhet ta përmirësojmë pozitën e gruas me legjislacion, ne na duhet të punojmë për ta ndryshuar perceptim kulturor dhe tradicional për rolin e gruas në shoqëri.
 
Ne të gjithë jemi mëse të vetëdijshëm që aftësia për të marrë përgjegjësi dhe vendime nuk është ekskluzivitet i një gjinie të caktuar por ka të bëj me aftësitë e secilit individit. Gratë dhe burrat kanë të njëjtat aftësi.
 
Ne nuk jemi e vetmja shoqëri që përballemi më këto sfida. Por mund të shndërrohemi në ato shoqëri që gjejnë zgjidhje për to.
 
Një kërkuese e barazisë gjinore sjell një të vërtet që kam dëshirë ta ndajë me ju.  Ajo ngrit argumentin që në shekullin tonë, në shumicën e vendeve të botës, gruaja gëzon të drejtën për të votuar dhe për t’u zgjedhur. Por e drejta për të votuar nuk manifestohet në politika gjithëpërfshirëse, pasi në shumicën e rasteve mbeten meshkujt ata që zgjedhin të kandidojnë.
 
Dhe kur gratë futen në politikë, ato shpesh herë përballen më një ambient të paracaktuar që i bën ato të përballen me frikën për t’u bërë pjesë aktive e politikës dhe vendimmarjes, apo dhe për të paraqitur këndvështrimin e tyre.
 
Ky realitet mund dhe duhet të ndryshojë.
 
Ne duhet të shkojmë përtej roleve tradicionale të të dyja gjinive. Gratë dhe burrat, sjellin perspektivën e tyre personale përtej karakteristikave fizike apo
gjinore.
 
Është mungesa e besimit në vetvete një ndër shkaqet që i bëjnë gratë të hezitojnë të përfshihen në vendimmarje dhe në politikë. Nuk duhet ta lenë frikën të flas për to. Gratë janë të barabarta dhe kanë të njëjtin potencial me burrat, prandaj dhe duhet të kenë guxim më shumë për të luftuar për të drejtat e tyre.
 
Ne si shoqëri duhet të njohim rolin që gruaja ka luajtur tradicionalisht dhe kontributin që ajo ka dhënë në përparimin e Kosovës, duke i ndarë asaj rolin e merituar në historinë tonë të re - të rezistencës paqësore, luftës dhe shtetndërtimit e paqes.
 
 
Sakrifica e saj me gjenerata ka qenë e jashtëzakonshme dhe shpeshherë e dhimbshme. Gratë kanë qenë shënjestër e dhunës dhe sot, kur po mëtojmë të ndërtojmë një shtet ku çdo qytetar jeton i barabartë, me të njëjtat obligime edhe privilegje, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për përkrahjen dhe ndihmën që duhet t'ua ofrojmë.
 
Dhuna ndaj gruas është dhunë ndaj shoqërisë. Kërcënimi ndaj saj është kërcënim ndaj vlerave tona dhe traditës për të respektuar qenien e saj. Megjithatë ne ishim dëshmitarë që pikërisht ky kërcënim ndodhi javën e kaluar, ndaj një aktivisteje zonjës Nazlie Balaj, që u dha zë grave të dhunuara, qytetareve të Kosovës. Ky akt i ulët dhe qyqar, i papranueshëm dhe patolerueshëm nuk mund të mos ndëshkohet dhe nuk mund të heshtet. Nuk ka asnjë forcë dhe as individ në Kosovë që mund të kërcënojë me jetë dikë që po mbron me aq vullnet pjesën e shoqërisë që i nevojitet përkrahja jonë e parezervë. Kjo sjellje nuk përkon me Kosovën që me aq mund u zotuam ta bëjmë.
 
Ne si shoqëri duhet të luftojmë për realizimin e të drejtave të çdo qytetari. Ne duhet të ndërmarrim veprime konkrete që të përballemi me të gjithë faktorët që kontribuojnë në ndarjen tradicionale mes gruas dhe burrit.
 
Duhet të ndryshojmë kushtet ekonomike të gruas, të ulim nivelin e varfërisë që e prekë atë, të shtojmë qasjen e saj në shkollim dhe të nxisim pjesëmarrjen e saj në jetën publike.
 
Ne të njëjtën kohë duhet të punojmë që ky ndryshim të vijë nga vet gratë që duhet të shprehin gatishmërinë për të marrë pjesë dhe për të konkurruar; nga komuniteti i tyre ku ato jetojnë duke ju ofruar atyre mbështetjen e duhur.
 
Nga partitë politike duke ju ofruar hapësirën dhe financimin e duhur që ato të jenë pjesë aktive e jetës politike të partive dhe të komunës, nga shoqëria civile duke ju dhënë zë dhe përkrahje si dhe nga mediat duke i prezentuar objektivisht ato.
 
Jam e bindur se me kalimin e kohës, me rritjen e pjesëmarrjes aktive të grave në politikë, do të ndërtojmë një shoqëri demokratike gjithëpërfshirëse ku secili qytetar është pjesë aktive e vendimmarrjes.
 
Për të arritur këtë duhet të vazhdojmë ketë angazhim konstant dhe konkret nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Të gjithë kemi përgjegjësitë tona.
 
Më vjen mirë të shoh që në mesin tonë sot kemi dhe shumë meshkuj. Inkurajoj që organizime të tilla të përkrahen dhe nga partnerët tanë, pasi së bashku mund të ndërtojmë një shoqëri që shfrytëzon potencialin e saj, potencialin e secilit qytetar.
 
Ju përgëzoj që keni zgjedhur të trajtoni një çështje kaq të rëndësishme dhe të ndjeshme gjatë kësaj jave. Jam e bindur që dokumenti i Parimeve të Prishtinës do t’ju shërbejë si bazë e diskutimeve.
 
Ju uroj punë të mbarë dhe diskutime të frytshme në ditët në vijim!
 
Ju faleminderit!