Fjala e Presidentes Jahjaga në hapjen e ekspozitës së veprave artistike të grave krijuese

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në hapjen e ekspozitës nga gratë deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që u mbajt në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Me këtë rast, Presidentja Jahjaga mbajti një fjalë para të pranishmëve, të cilën po e sjellim të plotë në vijim:

I nderuar kryetar i Kuvendit të Republikës, zoti Krasniqi,

Të nderuara, Teuta, Flora, Alma dhe deputetet të tjera,

Ambasadorë të respektuar të vendeve mike në Republikën e Kosovës,

Hapja e ekspozitës së veprave artistike të grave krijuese në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës e ka simbolikën e vet, pasi Kuvendi është organi më i lartë përfaqësues ligjvënës i vendit dhe këtu respektohet plotësisht jo vetëm kuota e përfaqësimit të grave, por gratë janë subjekte të barabarta dhe japin kontribut shumë të rëndësishëm në punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në seancat dhe komisionet parlamentare

Është pikërisht kuvendi vendi ku gratë i sublimojnë interesat e qytetarëve dhe të vendit në tërësi.

Ekspozita e juaj këtu flet për vlerat e larta artistike dhe krijuese të gruas, flet për perceptimin tuaj të realitetit që po e jetojmë shpesh të mbushur me sfida, por më shpesh me shpresë, optimizëm e krenari për të arriturat tona të përbashkëta.

Këto vepra të artit që burojnë nga thellësia e shpirtit e çlirimi i mendjes së gjeniut na ngjallin përjetime personale por njëkohësisht na mundësojnë të shijojmë bukurinë e tyre artistike të gjithë së bashku sot këtu.

Arti është formë e shprehjes unike, është gjuhë universale që e lehtëson komunikimin në mes njerëzve dhe mundëson shpërndarjen e vlerave e përvojave dhe depërtimin e tyre nëpër kultura të ndryshme.

Të nderuara dhe të nderuar, me këto vepra arti bashkëkohor artistët tanë të talentuar po i tejkalojnë barrierat që na kanë renduar mbi supe për një kohë të gjatë.

Ju po ia zbuloni botës Kosovën e re dhe po e thoni me krenari për thesarin dhe traditat e pasura që i ka vendi ynë dhe që i ka populli ynë dhe për këtë vetëm më mbetet t’ju uroj shumë suksese, shumë fat dhe t’ju përgëzoj për këtë iniciativë, veçanërisht gratë deputete për një iniciativë të tillë.

Ju faleminderit dhe suksese!