Fjala e Presidentes Jahjaga në hapje të fushatës “Rritja e vendeve të punës për personat me aftësi të kufizuara”

Kam knaqësinë që sot jam këtu së bashku me të gjithë ju në këtë ngjarje e cila shënon iniciativën, e cila synon rritjen e vendeve të punës për personat me aftësi të kufizuara.

Të nderuar përfaqësues të Institucioneve të Republikës së Kosovës,

E nderuara zv/kryeministre Tahiri,

Të nderuar përfaqësues të komunitetit të biznesit,

E nderuara zonja Daija,

I nderuari zotëri Kelmendi,

I nderuari zotëri Foniqi,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe Zotërinj,

Kam knaqësinë që sot jam këtu së bashku me të gjithë ju në këtë ngjarje e cila shënon iniciativën, e cila synon rritjen e vendeve të punës për personat me aftësi të kufizuara.

Realizimi i kësaj nisme ndërlidhet drejtpërdrejtë me ndërtimin e shoqërisë gjithëpërfshirëse, ku secilit  qytetar i garantohen të drejtat e barabarta. E drejta për punë është pjesë e të drejtave themelore të njeriut, të cilat secili qytetar i Kosovës i ka të garantuara me ligjet në fuqi, me Kushtetutën e vendit por edhe me Konventat ndërkombëtare, të aplikueshme në vendin tonë.

Ne si lider duhet të paraqesim qartë vizionin tonë për këtë pjesë shumë të rëndësishme të shoqërisë, të angazhohemi dhe të punojmë konkretisht për  gjithpërfshirje, të përqendrohemi në aftësitë e jo në kufizimet e tyre sepse vetëm kështu do të na ofrohen mundësi që nuk i kemi pasur deri më sot.

T’i tejkalojmë paragjykimet, sepse duke i  zgjeruar pikëpamjet tona, dhe duke i përfshirë në mënyrë të barabarte të gjithë, do të mund të flasim për një shtet ku secili qytetar gëzon të drejta dhe mundësi të barabarta pavarësisht dallimeve.

Të dashur miq,

 “Strategjia  nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara 2013-2023” është njëri ndër dokumentet strategjike të Republikës së Kosovës, me të cilin synohet përmirësimi i cilësisë së jetës së personave me aftësi të kufizuara, por edhe fuqizimi i politikave të punësimit të këtyre personave në përputhje me standardet evropiane. Megjithatë, duhet punë konkrete dhe angazhim e përkushtim i të gjitha palëve, jo vetëm institucioneve, por edhe i shoqërisë civile dhe të gjitha grupeve të interesit, që kjo strategji të jetësohet, që secili person me nevoja të veçanta të shfrytëzoj të gjitha të drejtat e garantuara por dhe të marrë përgjegjësitë për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.

Kërkoj nga institucionet, dhe njëherit i ftoj përfaqësuesit e komunitetit të biznesit që të hapin vizionin e tyre, të shikojnë përtej paragjykimeve dhe të shfrytëzojnë në mënyrën sa më të mirë të mundshme talentin që kanë personat me nevoja të veçanta  sepse vetëm me nxitjen dhe avancimin e  aftësive të tyre ekzistuese do të kemi një shoqëri më të zhvilluar dhe gjithëpërfshirëse.

Kosova është vend i cili synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, për këtë na duhet të përmbushim kritere, duhet të kryejmë reforma, dhe të gjitha këto për interesin më të mirë tonin, që të gjithë qytetarët  të ndihen të barabartë dhe të gjithë pa dallim të gëzojnë mundësinë për qasje në punësim, që padyshim se do të ishte vazhdimësi e mundësive të barabarta për shkollim, shëndetësi dhe çdo sferë tjetër të jetës. 

Nga kjo iniciativë dhe nga kjo konferencë, dua të përcjelli mesazhin se, secila shoqëri avancohet duke shënuar përparim me shtimin e vendeve të punës për personat me aftësi të kufizuara, duke patur përfitime edhe më të mëdha duke respektuar dinjitetin  personal dhe profesional të secilit qytetar.

Sot është koha për veprim, për një Kosovë gjithëpërfshirëse  të mundësive të barabarta për secilin, për mundësi punësimi për të gjithë, pa dallim!

Ju dëshiroj punë të mbarë dhe suksese. E keni patur përkrahjen time nga fillimi, dhe do ta keni gjithmonë.

Ju faleminderit!