Fjala e Presidentes Jahjaga në Forumin Ekonomik Kosovar-Austriak

Këtë javë mund ta quajmë si javën e fuqizimit të raporteve Kosovë-Austri. Të hënën mora pjesë në festimet për shënimin e 60-vjetorit të pavarësisë dhe deklarimit të neutralitetit të përhershëm të Austrisë. Dje dhe sot zhvillova takime intensive me Shkëlqesinë e Tij Presidentin Fischer, ku vlerësuam përkushtimin e dy shteteve tona për paqen, demokracinë e stabilitetin në rajon.

I nderuar z. President Fischer,
I nderuar ministër Hoti,
Ministre Bajrami,
Ministër Rrahmani,
Kryetar i komunës Ahmeti,
Ambasador Brieger,
Ambasador Ukelli,
Kryetar i OEK-ut, z. Gërxhaliu,
Zëvendëskryetar i Odës Ekonomike të Austrisë,
Të nderuar afaristë,
Zonja dhe Zotërinj,

Këtë javë mund ta quajmë si javën e fuqizimit të raporteve Kosovë-Austri. Të hënën mora pjesë në festimet për shënimin e 60-vjetorit të pavarësisë dhe deklarimit të neutralitetit të përhershëm të Austrisë. Dje dhe sot zhvillova takime intensive me Shkëlqesinë e Tij Presidentin Fischer, ku vlerësuam përkushtimin e dy shteteve tona për paqen, demokracinë e stabilitetin në rajon. Mbi të gjitha biseduam për marrëdhëniet bilaterale dhe ngritjen e bashkëpunimit ekonomik, investiv dhe tregtar në mes të vendeve tona. Tani jam e lumtur që së bashku me ju, po bëjmë hapa të tjerë në konkretizimin e marrëdhënieve tona duke stimuluar bashkëpunimin në sektorin privat dhe rritjen e investimeve austriake në Kosovë.

Kosova është një destinacion relativisht i ri për investitorët e huaj. Përkundër kësaj, vendi im ofron një mori mundësish për investime dhe një klimë gjithnjë e më të favorshme të biznesit.

Në përgjithësi ekonomia jonë ka vazhduar të rritet pandërprerë, që nga deklarimi i pavarësisë. Përballja me efektet e tranzicionit, të krizës ekonomike dhe financiare globale dhe me sfidat e brendshme strukturore është sot prioritet i yni kryesor. Institucionet tona janë të përkushtuara për reforma të vazhdueshme në eliminimin e barrierave burokratike, në sundimin e ligjit, përmirësimin e infrastrukturës dhe të klimës afariste.

Tradicionalisht Austria ka qëndruar gjithmonë përkrah aspiratave të popullit të Kosovës për paqe, liri e progres. Vjena është porta e rajonit tonë drejt BE-së dhe porta e BE-së drejt rajonit. Sot jemi të lumtur që kemi arritur të tërheqim investime serioze austriake, veçanërisht në sektorin financiar dhe atë të sigurimeve. Prezenca e këtyre kompanive në Kosovë ka sjellë përvoja të reja në tregun tonë dhe ka krijuar një infrastrukturë të përshtatshme për afarizmin vendor dhe për investitorët e huaj.

Megjithatë, niveli i bashkëpunimit tonë tregtar dhe prezenca e ulët e kompanive austriake në Kosovë tregon se ende mbeten shumë potenciale të pashfrytëzuara. Ne jemi të vetëdijshëm për rezervat që kanë kompanitë austriake për të investuar në Kosovë. Ne jemi po ashtu të vetëdijshëm se një numër i tyre, që kanë potencial për të investuar jashtë, aktualisht ndodhen në një periudhë të konsolidimit të brendshëm, si rrjedhojë e krizës financiare botërore.

Por, nganjëherë janë mu këto momente konsolidimi dhe riorientimi, që mund të shërbejnë si shtytje për iniciativa tona të reja. Unë sot jam shumë e inkurajuar me prezencën tuaj kaq të madhe këtu. Shpresoj se gjatë qëndrimit tuaj do të keni rastin të elaboroni të gjitha mundësitë, idetë, brengat dhe shanset, si me partnerët tuaj vendorë, ashtu edhe me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, para se të merrni vendimet tuaja. Dua t’ju siguroj se dera ime është gjithnjë e hapur për ju dhe angazhimi im do jetë përherë maksimal për t’ju lehtësuar përpjekjet tuaja në realizimin e projekteve investuese me interes të dyanshëm të vendeve tona dhe të popujve tanë.

President Fischer, miku ynë, më lejoni që t’ju shpreh mirënjohjen time të fuqishme që brenda kësaj vizite në Kosovë, ju erdhët bashkë me afaristë më të njohur të Austrisë, për të parë mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe të investimeve, sepse një ekonomi e qëndrueshme dhe një mirëqenie e mirë për qytetarët tanë, fuqizon më tutje bazamentin e shtetit tonë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.

Faleminderit shumë!