Fjala e Presidentes Jahjaga në Forumin e Sektorit Privat të organizuar nga Programi KOSME

Sektori privat, kjo shtyllë kryesore e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, është një prioritet në rritje. I lënë anash për decenie me radhë, i konfrontuar me sfida strukturore e tranzitore, ky sektor, e në veçanti Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme e kanë pasur të vështirë të përmbushin misionin e tyre: zhvillimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës, zhvillimin e eksportit, jetësimin e produkteve e shërbimeve inovative dhe krijimin e kushteve më të mira të jetesës për qytetarët tanë.

E nderuara ministre Bajrami,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës
I nderuar ish-zëvendeskancelar Dr. Busek,
E nderuara ambasadore Marty Lang,
Të nderuar përfaqësues të organizatave zhvillimore, ndërmarrës, mysafirë të respektuar,

Sektori privat, kjo shtyllë kryesore e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, është një prioritet në rritje. I lënë anash për decenie me radhë, i konfrontuar me sfida strukturore e tranzitore, ky sektor, e në veçanti Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme e kanë pasur të vështirë të përmbushin misionin e tyre: zhvillimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës, zhvillimin e eksportit, jetësimin e produkteve e shërbimeve inovative dhe krijimin e kushteve më të mira të jetesës për qytetarët tanë.

Nga institucionet e Republikës së Kosovës kërkohet më shumë angazhim për krijimin e parakushteve për një qeverisje ekonomike më efektive, për mbizotërimin e konkurrencës së lirë dhe ndërtimin e bazës zhvillimore. Mbështetja e sektorit privat është përgjegjësi institucionale. Ne nuk guxojmë të kursejmë mundin për të kontribuuar në ndritjen e sfidave përballë, pesha e të cilave na ka qëndruar vazhdimisht mbi supe. Ne duhet të hapim rrugën përpara. Asnjëherë nuk mund të humbin shpresat për të ardhmen dhe duhet të kuptojmë që nuk mund t’i shmangemi përgjegjësive tona. Sa më herët që përballemi me këto sfida, aq më mirë për ne dhe gjeneratat që vijnë.

Prioritetet janë të qarta. Politikëbërja ekonomike duhet të bazohet në programe të mirëfillta mbështetëse e në të dhëna e hulumtime të besueshme. Programet si KOSME kanë dhënë një kontribut të fuqishëm në këtë drejtim. Për krijimin e rritjes ekonomike, aq të nevojshme për zbutjen e varfërisë dhe papunësisë, duhet mënjanuar pengesat që e ndalojnë këtë rritje.

Për këtë qëllim, unë në fillim të vitit që lamë pas i kam paraqitur Qeverisë së Kosovës një listë të masave ekonomike, që duhej të ndërmerreshin menjëherë, në mënyrë që disa nga këto pengesa të mënjanohen. Ndër masat e propozuara ishin edhe draftimi i ligjit të ri të prokurimit publik për të ulur shkallën e keqpërdorimeve dhe shkallën e korrupsionit. Jam e lumtur që këtë ligj e dekretova pak ditë më parë. Kam kërkuar, mes të tjerash, zvogëlimin e shpenzimeve qeveritare për të ulur deficitin buxhetor, draftimin e ligjit për investime strategjike, për të tërhequr investime të huaja dhe hartimin e strategjisë për zhbllokimin e resurseve natyrore. Pres nga Qeveria që të përshpejtojë përpjekjet për përmbylljen e kësaj pakoje të masave dhe që reformat në dobi të zhvillimit të sektorit privat të marrin drejtimin e duhur.

Në bashkëpunim me Odat Ekonomike të cilat veprojnë në Kosovë, në fillim të këtij viti kam filluar vizitat nëpër komuna të Kosovës, për të nxitur një dialog të nevojshëm dhe të munguar për zhvillimin ekonomik, punësimin dhe investimet e huaja. Është tashmë e qartë që zhvillimi ynë ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme investimi, pa pengesa administrative, me sundim të fortë të rendit dhe të ligjit dhe me konkurrencë të barabartë.

Qëllimi i këtyre vizitave kishte adresimin e drejtpërdrejtë të këtyre pengesave, për të ndihmuar bizneset që të depërtojnë në Kosovë, në përpjekje për të ulur papunësinë dhe për të ngritur kualitetin e jetës në vendin tonë.

Në përballjen tonë me këto sfida, ne nuk jemi të vetëm. Në takimet që kam pasur me presidentin austriak z. Fischer dhe me homologen time zvicerane, znj. Sommaruga, temë mbizotëruese ka qenë ekonomia. Austria e Zvicra janë ndër mbështetëset kryesore të Kosovës në rrugën e saj të forcimit të shtetësisë e të zhvillimit ekonomik. Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim Zhvillimor, siç e dëshmon edhe ky program, janë ndër kontribuuesit kryesorë të ndihmës zhvillimore në Kosovë. Këto dy shtete janë edhe shtëpi e dytë e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës, të cilët me kapacitetet e tyre profesionale e financiare janë bërë shtyllë e fuqishme e prosperitetit të vendit tonë, të Kosovës. Programi KOSME është vënë në jetë pikërisht nga pjesëtarë të diasporës, të cilët kanë ndërtuar sinergjitë më të mira me qeveritë e Austrisë e të Zvicrës, për të çuar përpara zhvillimin e sektorit privat. Këtu nuk mund ta lë pa ju falënderuar personalisht edhe juve, ish-zëvendëskancelar Busek, sepse kur pushtuesi na i kishte mbyllur shkollat e universitetet tona në gjuhën amtare, ju ishit ai, që si ministër i edukimit në Austri hapët portat për studentët shqiptarë dhe ju mundësuat atyre që me dijen e mbledhur atje të ndihmojnë sot në rimëkëmbjen e vendit tonë. Ju faleminderit shumë!

Përpjekjet tona të përbashkëta për një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës duhet të shtohen. Më shumë vende pune, më pak varfëri, më shumë siguri, të gjitha këto duhet të bëhen të mundura përmes zhvillimit të sektorit privat. Dialogu me ndërmarrësit duhet të jetë përherë i hapur e duhet të jetë gjithnjë konstruktiv. Ju uroj, prandaj, një forum të suksesshëm dhe frytdhënës.

Ju faleminderit!