Fjala e Presidentes Jahjaga në fillimin e “Javës së Gruas në Kosovë”

Jam e nderuar që së bashku sot, edhe këtë vit, po hapim javën e gruas, një prej ngjarjeve të rëndësishme që dërgon një porosi të qartë për gjithë shoqërinë – se avancimi i pozitës së gruas dhe i të drejtave të saj e zhvillon gjithë shoqërinë, dhe e demokratizon atë. Mbi të gjitha avancimi i shoqërisë arrihet vetëm me pjesëmarrjen e plotë të gruas në çdo fushë të jetës.

Të nderuara pjesëmarrëse,

Jam e nderuar që së bashku sot, edhe këtë vit, po hapim javën e gruas, një prej ngjarjeve të rëndësishme që dërgon një porosi të qartë për gjithë shoqërinë – se avancimi i pozitës së gruas dhe i të drejtave të saj e zhvillon gjithë shoqërinë, dhe e demokratizon atë. Mbi të gjitha avancimi i shoqërisë arrihet vetëm me pjesëmarrjen e plotë të gruas në çdo fushë të jetës.

Dhe, Ne jemi bashkë – jo për ta dalluar shoqërinë e për ta ndarë atë më dysh. Por jemi bashkë për të dëshmuar se fuqia jonë është fuqi e shoqërisë dhe se e drejta jonë është e barabartë në këtë shoqëri. Po aq sa edhe obligimet tona dhe përgjegjësia jonë.

Dua që sot prej këtu, të shpreh mirënjohjen time për një kategori të veçantë në shtetin tonë, për të gjitha ato viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, që kanë kaluar 15 vjetët e fundit të heshtura, të izoluara dhe të rrënuara shpirtërisht. Si shoqëri kemi gjetur kurajën dhe forcën për t’ua njohur këtyre viktimave të drejtën e tyre dhe statusin e tyre në shoqëri, për t’i kthyer në mesin tonë dhe për t’i parë si pjesën tonë. E kemi bërë përmes miratimit të një projektligji, që shënon hapin e parë drejtë njohjes së të drejtës së statusit të viktimave, me të cilin do të gëzojnë përkrahjen institucionale si të gjitha kategoritë e tjera, viktima civile të luftës.

E drejta e tyre është e drejtë për të jetuar dinjitetshëm, pavarësisht fatkeqësisë së rëndë. E drejta e tyre është që të kërkojnë të drejtën. Dhe vetëm drejtësia do të qetësojë shpirtrat e tyre.

Ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën e tyre, por mund të sigurohemi që e ardhmja të mos përcaktohet nga kjo e kaluar e hidhur, që e ardhmja e familjeve të tyre, e fëmijëve të tyre, të mos përcaktohet nga një krim i kryer padrejtësisht mbi to.

Dua të them se me Parimet e Prishtinës, që kanë dalë nga Samiti Ndërkombëtar i Gruas, kemi kërkuar rehabilitimin, riintegrimin dhe luftimin e stigmatizimit social të viktimave të luftës, duke njohur statusin e tyre ligjor si viktima civile dhe duke njohur publikisht përjetimet e tyre e duke kërkuar që përgjegjësit të ndiqen penalisht.

Dhe prandaj së bashku me ju dhe me institucionet e tjera të vendit, me shoqërinë civile dhe botën akademike, përmes Këshillit për të Mbijetuarit e Dhunës seksuale gjatë luftës, me një qasje gjithëpërfshirëse dhe koordinuese, do të mundësojmë forcimin e mekanizmave ekzistues dhe ngritjen e vetëdijes shoqërore. Gjithashtu, do të bëjmë edhe identifikimin dhe koordinimin e aktiviteteve që përkrahin rehabilitimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe përcaktimin e prioriteteve e politikave për zbatimin e agjendës legjislative në përkrahje të të mbijetuarve, duke adresuar më mirë nevojat e viktimave të dhunës seksuale dhe përgjigjen tonë ndaj tyre.

Të nderuara mike,

Java e Gruas në Kosovë tashmë ka dëshmuar suksesin e saj si platformë që përkrah fuqizimin e gruas dhe promovon pjesëmarrjen aktive të saj me anë të programit, rrjetit dhe qasjes gjithëpërfshirëse që ka krijuar, për t’ju ofruar mundësi të gjitha grave dhe vajzave nga e gjithë Kosova për t’u bërë pjesë e saj, duke siguruar se po ndërtojmë një shtet ku të gjithë janë pjesë dhe japin kontributin e tyre në avancimin dhe zhvillim e tij.

Një shtet që përfaqëson zërin e të gjithë qytetarëve të tij pa dallim.

Në këtë rrugëtim NDI ka ofruar një përkrahje të vazhdueshme dhe të pakursyer, duke dëshmuar se është një partner besnik i avancimit të shoqërisë gjithëpërfshirëse në Kosovë, për të cilin dëshiroj ta përgëzoj dhe të falënderoj drejtuesin e saj dhe të gjithë stafin.

Të dashura pjesëmarrëse,

Para pak ditësh në një Universitet në Florida, Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, foli për rëndësinë e përmirësimit të mundësive ekonomike për gratë dhe familjet e tyre duke thënë se “kur një gruaje i privohet mundësia për të ecur përpara, në fakt kjo mundësi po i privohet të gjithëve”.

Nuk mund të presim e aq më pak të pretendojmë që do të kemi zhvillim të qëndrueshëm kur bëjmë dallime në mundësitë që ofrojmë, në qasjet që krijojmë, në trajtimin që kemi ndaj vajzave dhe djemve, burrave dhe grave.

Ne do të avancojmë atëherë kur ta konsiderojmë çështjen e barazisë gjinore si çështje që lidhet drejtpërdrejt me progresin dhe prosperitetin e vendit tonë. Atëherë kur ta shohim çështjen e barazisë gjinore si të pandarë nga synimi ynë për të arritur mirëqenie ekonomike, sociale dhe shoqëri demokratike.

Mbi të gjitha – do të shënojmë përparim në shoqëritë tona dhe do ta avancojmë demokracinë e secilit vend kur luftën për barazi gjinore do ta shohim vetëm si pjesë të historisë dhe përpjekjeve të dikurshme për të vendosur barazinë. Do të ecim me hapa më të sigurt kur barazia gjinore nuk do të bëhet pengesë por vlerë e shoqërisë dhe kur përfaqësimi do të shndërrohet në domosdoshmëri të aftësive dhe jo imponim.

Ne kemi shënuar suksese të konsiderueshme që po thyejnë barrierat dhe sfidojnë stereotipet e shumta që e shohin rolin e gruas si dytësor në shoqëri, që sfidojnë mentalitetin e margjinalizimit të gruas apo privimit të të drejtave të saj të cilat janë të garantuara me Kushtetutën e vendit.

Dhe gruaja në Kosovë sot, është ajo që ka udhëhequr me procese të rëndësishme për vendin dhe është po ajo që sot po tregon se mund të jetë e zonja për të drejtuar komunë dhe institucione qendrore.

Kemi arritur të krijojmë mekanizma dhe të fuqizojmë ato ekzistuese që synojnë përkrahjen e barazisë gjinore dhe ofrimin e ndihmës së nevojshme institucionale dhe shoqërore për të garantuar që gratë kanë trajtim dhe vëmendje të njëjtë.

Është bërë tashmë traditë që çdo vit të përmendim sukseset që kemi arritur në zbatimin e Parimeve të Prishtinës që dolën nga Samiti Ndërkombëtar i Gruas, dhe që me anë të përkushtimit konkret dhe iniciativave të prekshme, synojnë të fuqizojnë rolin e gruas në çdo fushë të shoqërisë dhe të sigurojnë pjesëmarrjen e saj në çdo nivel.

Si produkt i përpjekjeve dhe bashkëpunimi të ngushtë me Zyrën time, Universitetin e Dartmouth-it dhe Universitetit të Prishtinës në nëntor të vitit të kaluar u lansua themelimi i një dimensioni të ri akademik, përkatësisht qendra kërkimore për studime gjinore pranë Institutit për Studime Sociale dhe Humanistike të Fakultetit Filozofik, duke zgjeruar kështu gamën e mekanizmave që kanë pjesë të misionit të tyre jetësimin e Parimeve të Prishtinës.

Investimi në grua është investim në vizionin e një vendi.

Vizion ky i lidhur drejtpërdrejt me drejtimin do të marrë një shoqëri. Dhe ne si shoqëri jemi përcaktuar dhe betuar të ecim drejt garantimit të mundësive të barabarta për të gjithë, pa dallim.

Të dashura pjesëmarrëse,

Gjatë kësaj jave ju do të njihni njëra-tjetrën, do të mësoni nga njëra-tjetra, mbi të gjitha do të keni mundësinë të ndjeheni të fuqizuara duke besuar edhe më shumë në potencialin që secila prej jush ka.

Jam e bindur se pas kësaj jave ju do ta ndjeni që keni marrë përsipër misionin e rëndësishëm për t’i nxitur vajzat dhe gratë e rrethit tuaj për të besuar në vetvete dhe për t’i shkuar pas ëndrrave që kanë.

Secila prej jush është shembull shprese, besimi e suksesi që përcjell mesazhin e rëndësishëm që gratë në çdo nivel mund t’ia dalin.

Sot nderojmë kujtimin e njërës prej pjesëmarrësve të Javës së Gruas, znj. Gjylgjyzare Xharavina duke shprehur dhimbjen tonë për ndarjen e saj të parakohshme nga jeta. Ajo vazhdon të mbetet simbol i gruas së fuqishme, shembull i përkushtimit dhe vendosmërisë për t’u bërë zë dhe për shumë gra të tjera.

Siç e kemi dëgjuar shpeshherë të thuhet, ka ardhur koha të përballemi me padrejtësinë e shekullit tonë, me padrejtësinë e gjeneratës sonë për t’ju ofruar grave të njëjtat të drejta dhe liri.

Prandaj na përket ne, është përgjegjësi e jona, të ndryshojmë kahen e historisë dhe së bashku të ndërtojmë një shoqëri, një botë më gjithëpërfshirëse, një botë ku barazia gjinore nuk do të jetë më temë diskutimi.

Përgjegjësi që na prek të gjithë ne pasi pjesëmarrja e gruas, e gjysmës së shoqërisë, reflekton llojin e shoqërisë në të cilën duam të jetojmë, mirëqenien dhe progresin që duam të kemi, dhe botën që do t’jua lëmë trashëgim gjeneratave të ardhshme.


Të dashura mike,

Këtë fjalim, dëshiroj ta përfundoj me një thënie të mikes sime të dashur, ish-sekretares së shtetit të SHBA-ve, znj. Hillary Clinton e cila thotë është koha e fundit që gratë të marrin vendin e merituar, krahas burrave, në tryezat ku vendoset për fatin e njerëzve, fatin e fëmijëve dhe nipave e mbesave të tyre.

Ju uroj një javë të suksesshme.