Fjala e Presidentes Jahjaga në Darkën e Lamës

Jemi bashkë sonte këtu, rreth sofrës, ashtu sikur dikur paraardhësit tonë: për të ngritur dollinë për bereqetin që na e ka falur Zoti këtë vit. Qysh në kohërat e lashta përfundimi i të korrave gjithmonë e ka sjellë gëzimin dhe festën e përbashkët - Darkën e Lamës - ku bujqit krenarë kanë sjellë ushqimin më të mirë që e kanë pasur, në sofrën e përbashkët.

Të nderuar përfaqësues të Institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të ambasadave dhe të misioneve ndërkombëtare në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare, të botës akademike e kulturore,
Të nderuar përfaqësues të familjeve të dëshmorëve,
Të nderuar prodhues dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit,
Të nderuar mysafirë,
 
Jemi bashkë sonte këtu, rreth sofrës, ashtu sikur dikur paraardhësit tonë: për të ngritur dollinë për bereqetin që na e ka falur Zoti këtë vit. Qysh në kohërat e lashta përfundimi i të korrave gjithmonë e ka sjellë gëzimin dhe festën e përbashkët - Darkën  e Lamës - ku bujqit krenarë kanë sjellë ushqimin më të mirë që e kanë pasur, në sofrën e përbashkët.
 
Darka e Lamës është një festë e dardanëve ilirë dhe e popujve të tjerë në lashtësi, një festë tradicionale në familjet tona. Ajo u ruajt dhe u përcoll brez pas brezi, si festë gëzimi për punët e kryera të stinës - për mbledhjen e drithërave, fryteve dhe të gjitha  prodhimeve bujqësore - kur secila familje i gëzohet bukës së re të motmotit dhe uron që këto të mira të shijohen e përdoren me shëndet e harmoni deri në të korrat e reja.
 
Të shijojmë, pra, këtë darkë të shtruar me begatinë e sivjetme të Tokës së vendit tonë. Çdo pëllëmbë e Tokës së Kosovës është e shenjtë; andaj të tillë janë edhe të gjithë ata që e ruajnë dhe e kultivojnë atë.
 
Në çdo vend të zhvilluar e të qytetëruar, bujqësia ka qenë sektori kyç që ka nxitur zhvillimin ekonomik. Prodhuesit bujqësorë janë pjesa më vitale e resurseve ekonomike të çdo vendi. Ata i japin imazhin kulturës popullore të vendeve dhe popujve. Ata janë krenaria e çdo populli.
 
Dhe ne, sot , krenohemi me rrushin dhe verën e Kosovës, me bletët dhe mjaltin e Kosovës, me qumështin dhe djathin e Kosovës dhe i  falënderojmë të gjithë ata që kanë punuar e punojnë pa u ndalë,  për të mirën e këtij vendi të mrekullueshëm.
 
Institucionet e vendit janë të vetëdijshme për sfidat nëpër të cilat kalojnë bujqit dhe prodhuesit e Kosovës në këto vitet e para të shtetit tonë të ri.
 
Ne e dimë që për të ardhur deri tek një ditë si kjo e sotmja, ku ekspozojmë frytet e punës dhe të djersës nuk është e lehtë. Ne po ashtu jemi të vetëdijshëm për peripecitë tona për të plasuar produktet në tregjet e Evropës e të botës. Por, unë ju siguroj që institucionet e Kosovës po bëjnë gjithë ç’është e mundur për të përmirësuar kushtet që ta kemi më të lehtë të zhvillojmë bizneset, duke pasur  përkrahjen e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës.
 
 
Të nderuar të pranishëm,
 
Secili vend dhe popull në faza të caktuara të zhvillimit të vet e  ka shfaqur në mënyra të ndryshme patriotizmin kombëtar, politik e ekonomik. Ka ardhur koha që edhe qytetarët e Kosovës të tregojnë një shpirt të ri patriotizmi - duke prodhuar dhe konsumuar sa më shumë produkte vendore dhe duke shtuar solidaritetin mes vete si vlera  fundamentale të shoqërisë sonë.
 
Kjo nuk do të thotë përbuzje ndaj produkteve të huaja, kurrsesi dhe as dëmtim i cilësisë së prodhimeve që i shfrytëzojmë . Por, ne duhet të zvogëlojmë varësinë ndaj importit. Produktet e Kosovës po e shtojnë çdo ditë e më shumë cilësinë dhe janë gjithnjë e më konkurrente me produktet e importuara. Prandaj, prodhuesit tanë me të drejtë kërkojnë hapjen e rrugëve për  në tregjet evropiane. Qytetarët tanë me të drejtë kërkojnë liberalizimin e vizave. Kosova me të drejtë kërkon integrimin në institucionet evropiane, sepse populli i Kosovës është popull evropian, dhe produktet e Kosovës kanë cilësi evropiane.
 
Jemi të vetëdijshëm që rruga jonë drejt anëtarësimit në BE nuk do të jetë e lehtë dhe nuk do të jetë pa sfida, por është një rrugë e vullnetshme e të ardhmes sonë e cila nuk ka  alternativë. Na pret punë e madhe dhe vendime të vështira, por në këtë rrugë nuk jemi vetëm.
 
Javën e kaluar, vendin tonë e vizituan dy lidere të fuqishme botërore, dy mike të përjetshme të  popullit të Kosovës: Sekretarja amerikane e shtetit, Zonja Hillary Clinton dhe shefja e diplomacisë evropiane Baronesha Catherine Ashton. Ato sollën në Kosovë mesazhin e qartë për perspektivën euroatlantike të vendit tonë dhe rikonfirmuan edhe një herë partneritetin tonë me Bashkimin Evropian dhe miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo ishte një vizitë historike në një moment të rëndësishëm për vendin tonë kur po përgatitemi të fillojmë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në. 
 
Ne, si liderë të vendit, kemi përgjegjësinë ta çojmë vendin përpara, të punojmë bashkërisht që të gjejmë zgjidhjet më të mira dhe më të përshtatshme për qytetarët tanë dhe për një të ardhme sa më të ndritur për gjeneratat që do të vijnë pas nesh
 
Ju përgëzoj për punën e madhe që keni bërë këtë vit dhe ju uroj që frytet e punës suaj - bereqeti i Kosovës - të shtohet edhe më shumë vitin e ardhshëm.
 
Le t’i lutemi Zotit të na e ruaj Tokën dhe të na shtojë begatinë.
Zoti  Ju bekoftë Juve.
Zoti i Bekoftë miqtë e Kosovës,
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.
Ju faleminderit!