Fjala e Presidentes Jahjaga në ceremoninë me rastin e shënimit të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”

Duhet vlerësuar tashmë që kjo javë është java e gatishmërisë dhe përkushtimit tonë institucional e qytetar për të ngrit zërin e vetëdijesimit për të drejtat e viktimave të krimit, çfarëdo lloj krimi qoftë ai. Është javë e respektit, avokimit dhe ndërtimit të sistemit të drejtësisë ku viktimat kanë qasje të plotë në përputhje me nevojat që kanë, që parandalojnë viktimizimin e tyre dhe mundësojnë ripjesëmarrjen e tyre aktive në shoqëri.

I nderuar zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë z. Kuçi,
I nderuar Kryeprokuror i Shtetit z. Kabashi,
I nderuar kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Peci,
I nderuar kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, z. Hasani,
E nderuar ambasadore Jacobson,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
 
Duhet vlerësuar tashmë që kjo javë është java e gatishmërisë dhe përkushtimit tonë institucional e qytetar për të ngrit zërin e vetëdijesimit për të drejtat e viktimave të krimit, çfarëdo lloj krimi qoftë ai. Është javë e respektit, avokimit dhe ndërtimit të sistemit të drejtësisë ku viktimat kanë qasje të plotë në përputhje me nevojat që kanë, që parandalojnë viktimizimin e tyre dhe mundësojnë ripjesëmarrjen e tyre aktive në shoqëri.

Janë javë të vetëdijesimit si kjo javë për të drejtat e viktimave të krimit, ku shohim punën që kemi bërë si institucione e shoqëri në përmbushjen e synimeve tona demokratike, të filluara tashmë prej më shumë se një dekade. Javë të tilla na venë në pah sfidat me të cilat përballemi dhe punën që kemi akoma për të bërë.

Është obligimin i institucioneve dhe i tërë shoqërisë për të mos lejuar viktimizimin e një pjesë tonën, fëmijëve tanë, grave, të moshuarve apo të kujdo tjetër. Duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur komunitetin tonë ndaj çdo rreziku që mund t’ju kanoset anëtarëve të saj, për të mos rënë pre e krimit.

Në shumë raste viktimat e krimit janë pre e dhunës dhe torturës së vazhdueshme dhe jetojnë duke marrë përsipër fajin e dhunës së ushtruar mbi ta. Duhet ta ndryshojmë njëherë e përgjithmonë këtë realitet. Duhet ta kalojmë fajin nga këto viktima te kryerësit e krimit dhe ushtruesit e dhunës e torturës, duke i nxjerr ata, përgjegjësit e vërtet, para drejtësisë.

Vetëm pak kohë me parë shoqëria jonë u përball me një debat rreth grave  viktima të dhunimeve e torturave gjatë luftës. Nuk duhet të lejojmë që debate të tilla të ndajnë shoqërinë tonë dhe t’na mjegullojnë rrugën tonë drejtë shoqërive të lira e demokratike. Duhet të vazhdojmë rrugën për të njohur statusin ligjor të kësaj kategorie të viktimave të luftës, për t’i siguruar atyre përkrahjen dhe mbështetjen e dinjitetshme institucionale e shoqërore që ato meritojnë.

Të nderuar të pranishëm,

Ditë pas dite, me përpjekje të vazhdueshme dhe me përkushtim të pareshtur, jemi duke ndërtuar një shoqëri të drejtë që respekton dhe i jep dinjitet çdo qytetari të saj. Duke u udhëhequr nga shembujt më të mirë të shoqërive demokratike jemi duke  ndërtuar një shtet të së drejtës ku sundon rendi dhe ligji, e ku qytetarët pa dallim ndjehen të mbrojtur e të sigurt në të.

Dua t’i cilësojë sot si gardianë të drejtësisë, të pavarësisë së gjithsecilit, të së drejtës për jetë, të gjitha institucionet dhe anëtarët e shoqërisë civile që me punën e tyre kanë ofruar ndihmën juridike e sociale për viktimat e krimit. Që kanë mundësuar qasjen e tyre në drejtësi dhe kanë ofruar mbështetjen e vazhdueshme me anë të programeve për rehabilitim, shkollim, punësim e vetëdijesim e tyre duke mundësuar kështu riintegrimin dhe risocializimin e tyre.

Duhet të vazhdojmë t’i mbrojmë viktimat e krimit, duke dëshmuar që ky vend nuk njeh të fort e të dobët, por që në këtë vend të gjitha janë të barabartë para ligjit dhe mundësive që i ofrohen. Kjo përpjekje e jona do të jetë e suksesshme me bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile e çdo qytetari, dhe me ndërgjegjësim tonë të gjithëmbarshëm.

Shpreh dhe njëherë përkushtimin tim individual dhe institucional për të mbrojtur të gjitha viktimat e krimit dhe për t’ju ofruar të drejtat e tyre të garantuara si qytetar të barabartë të këtij shteti.

Për një shoqëri pa diskriminim, për një Kosovë gjithëpërfshirëse, për të ardhmen tonë më të ndritur.

Ju faleminderit!