Fjala e Presidentes Jahjaga në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Pallatit të Drejtësisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Pallatit të Drejtësisë.

Me këtë rast, ajo mbajti një fjalim, të cilin po e sjellim të plotë në vijim:

Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,

Gurthemeli i Pallatit të Drejtësisë, një projekt ndërkombëtar dhe vendor, e përcjell simbolikën e angazhimit tonë të përbashkët që në Republikën e Kosovës sundimi i ligjit të jetë një nga parimet bazë të funksionimit të shtetit.

Besimi i qytetarëve në institucionet e vendit varet shumë nga sistemi i drejtësisë, nga puna e prokurorëve dhe gjyqtarëve, nga profesionalizimi, përkushtimi, ndershmëria nga puna e pakompromis e tyre, që janë në shërbim vetëm të drejtësisë dhe që zbatojnë vetëm ligjin, në secilin rast dhe ndaj secilit.

Reformat e sistemit të drejtësisë në Kosovë janë në funksion të përafrimit me normat dhe standardet e vendeve të Bashkimit Evropian, duke qenë një nga punët tona më të ndjeshme në periudhën e tranzicionit dhe të shtetndërtimit.

Pallati i Drejtësisë edhe në Republikën e Kosovës do të jetë në funksion të qytetarëve dhe për qytetarët, në sintagmën që askush nuk është mbi ligjin dhe që institucionet funksionimin dhe besimin e mbështesin në zbatimin e plotë të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.

Shteti i së drejtës është shtylla mbi të cilën mbështeten proceset demokratike, ndërsa institucionet e drejtësisë do të jenë vendi ku dëshmohet e vërteta. Pikërisht këtu është lidhja më e fortë e qytetarit me shtetin dhe pikërisht këtu mbështetet siguria e lirive dhe të drejtave të qytetarit, ushtrimi dhe mbrojtja e të drejtave të tyre.

Ndërtimi i Pallatit të Drejtësisë krijon parakushtet aq të nevojshme për punën e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe për efikasitet në përmbarimin e lëndëve duke respektuar afatet ligjore, që shtojnë efikasitetin dhe që ndihmojnë në eliminimin e dukurive negative dhe që japin kontribut sidomos në luftën kundër korrupsionit, si një nga dukuritë më negative me të cilat përballen shoqëritë në tranzicion.

Republika e Kosovës do të respektojë ndarjen e pushteteve dhe do të mbështesë fuqishëm rëndësinë e gjyqësorit dhe të sistemit të drejtësisë.

Ju faleminderit!