Fjala e Presidentes Jahjaga në ceremoninë e organizuar nga OSBE

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë në një ceremoni organizuar me rastin e përfundimit të mandatit të shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Werner Almhofer.

Në vijim po e japim fjalën që Presidentja Jahjaga mbajti me këtë rast:
 
Të nderuar udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës,
 
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
 
I nderuar ambasador Werner Almhofer,
 
Ju shpreh falënderimet për punën dhe angazhimin tuaj në Republikën e Kosovës dhe të dëshiroj sukses në punën tuaj të ardhshme.
 
Gjithsesi, përvoja dhe eksperienca që keni fituar këtu do të ndihmojë në karrierën tënde të mëtutjeshme.
 
Misioni i OSBE-së në Kosovë që nga çlirimi i Kosovës ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në shtetndërtim, në proceset demokratike, sidomos në fushën e sigurisë në ndërtimin e kapaciteteve të Policisë së Republikës së Kosovës dhe në procesin elektoral.
 
Është meritë e juaja që Kosova ka një polici të besueshme, të përkushtuar në mbrojtje të rendit dhe të ligjit, të shkolluar dhe të aftë profesionalisht, gjithashtu është meritë e juaja edhe pse çdo punë në Kosovë është punë e përbashkët që ne kemi pasur gjithherë zgjedhje të ndershme, fer dhe demokratike si në nivelin komunal ashtu edhe në zgjedhjet e përgjithshme.
 
Në misionin e OSBE-së ne gjithherë e kemi parë Evropën këtu, standardet dhe normat evropiane dhe OSBE-ja ka luajtur dhe po luan një rol tejet të rëndësishëm në promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, sidomos në të drejtat e komuniteteve.
 
Kosova është shtet qytetar ku të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie etnike dhe fetare dhe pavarësisht numrin i kanë të drejtat e barabarta  dhe i gëzojnë liritë në gjithë territorin e vendit tonë.
 
Pas përfundimit me sukses të Pavarësisë së mbikëqyrur në vendin tim, në OSBE-në ne shohim partnerin e besueshëm që t’i çojmë të gjitha proceset përpara dhe të bëhemi sa më shpejt anëtar i Bashkimit Evropian, duke pasur transparencë të plotë dhe kontroll demokratik të qeverisjes. Gjithsesi këtu nuk po e vëmë në dyshim anëtarësimin tonë në OSBE si një rrugë të natyrshme dhe si një sukses të përbashkët tonin.
 
Edhe një herë Zoti Ambasador ju faleminderit dhe ju dëshiroj sukses.